Sulmi ndaj Kapitolit: Sëmuret gjykatësi, shtyhet dhënia e dënimit për ish-udhëheqësin e grupit të ekstremit të djathtë

Sulmi ndaj Kapitolit: Sëmuret gjykatësi, shtyhet dhënia e dënimit për ish-udhëheqësin e grupit të ekstremit të djathtë

Vendimi për dhënien e masës së dënimit për ish-udhëheqësin e grupit ‘Proud Boys’, Enrique Tarrio është shtyrë deri më 5 shtator, për shkak se gjykatësi ishte i sëmurë.

Ish-udhëheqësit të grupit ‘Proud Boys’, Djemve Krenarë, Enrique Tarrio pritej t’i njoftohej të mërkurën masa e dënimit lidhur me akuzat për një komplot të dështuar për të mbajtur në pushtet ish-Presidentin Donald Trump, pasi humbi zgjedhjet e vitit 2020.

Dënimi i tij i jep fund një prej proceseve penale më të rëndësishme që lidhen me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021që ndodhi ndërsa ligjvënësit ishin mbledhur për të çertifikuar fitoren e demokratit Joe Biden.

Prokurorët kanë kërkuar dënimin e Tarrio-s me 33 vjet burg edhe pse ai ishte arrestuar dhe urdhëruar të largohej nga Uashingtoni, në kohën kur anëtarët e grupit ‘Proud Boys’, iu bashkuan mijëra mbështetësve të zotit Trump në Kapitol. Por prokurorët thonë se Tarrio organizoi dhe udhëhoqi sulmin e grupit nga larg, duke frymëzuar ndjekësit me karizmën dhe prirjen e tij për propagandë.

Enrique Tarrio ishte i pandehuri kryesor i një prej çështjeve më të rëndësishme që Departamenti i Drejtësisë ndoqi penalisht lidhur me sulmin në Kapitol. Ai dhe tre persona të tjerë u dënuan në maj për akuza, mes tyre, konspiracion për rebelim - një vepër e rrallë, e sjellë nga epoka e Luftës Civile, për të cilën Departamenti i Drejtësisë akuzoi anëtarët e grupeve të ekstremit të djathtë, që luajtën një rol kyç në sulmin e 6 janarit.

“Duke përdorur platformën e tij të fuqishme, Tarrio ka treguar vazhdimisht dhe publikisht se nuk është penduar që ndihmoi lidhur me atë që ndodhi më 6 janar”, shkruhej në një dosje gjyqësore.

Së fundmi Departamenti i Drejtësisë ka paditur edhe zotin Trump për komplot për të përmbysur sistemin demokratik amerikan, duke akuzuar ish-presidentin për komplot në ditët para sulmit, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve që e shpallnin atë humbës.

Zoti Trump, i cili është kandidati kryesor i republikanëve për zgjedhjet presidenciale 2024, këmbëngul se nuk ka shkelur ligjin. Gjyqi ndaj tij mbi këtë çështje është caktuar më 4 mars.

Dënimi me 33 vjet burg që prokurorët kanë rekomanduar për 39 vjeçarin Enrique Tarrion, nga Miami, është gati dy herë më i gjatë se dënimi më i ashpër që është dhënë deri tani, si pjesë e procedime në masë, penale, që ka ndërmarrë Departamenti i Drejtësisë lidhur me 6 janarin.

Themeluesi i grupit ‘Oath Keepers’, Mbajtësit e Betimit, Stewart Rhodes, është dënuar me 18 vite burg për komplot për rebelim dhe akuza të tjera.

Gjatë kësaj jave gjykatësi Timothy Kelly që pritet të caktojë dhe masat e dënimit për tre anëtarë të tjerë të grupit ‘Proud Boys’, të cilët u dënuan nga një juri në muajin maj.

Entique Tarrio, Ethan Nordean, Joseph Biggs dhe Zachary Rehl u dënuan për komplot për rebelim kryengritje. Një anëtar i pestë i grupit ‘Proud Boys’, Dominic Pezzola, u lirua nga akuza për komplot për rebelim, por u dënua për akuza të tjera të rënda.

Prokurorët kanë rekomanduar dënimin me 33 vite burg për Biggs, 30 vjet për Rehl-in, 27 vjet për Nordean-in dhe 20 vjet për Pezzola-n.

Më shumë se 1,100 persona janë akuzuar për krime federale në lidhje me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit. Më shumë se 600 prej tyre janë dënuar dhe mbi gjysma, kanë marrë masa ndëshkimore me burgim./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave