Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka reaguar pas akteve të dhunës në protestë dhe sulmit ndaj godinës ndaj Ministrisë së Arsimit.
“Studentët nuk janë terroristë me maska! Nuk ka nxënës që thyejnë dritaret e shkollës”, shkruan Balla.
Në një tjetër postim, Balla ndau një foto ku thotë se në protestë mori pjesë dhëndri i Berishës.
"Student është ky? Apo dhëndri hajdut i bufit?! Kurrë mos kini dyshime. Pas çdo sulmi dhe dhune kundër institucioneve në këto 30 vite është Sali Berisha", shkruan Balla.
Opozita ka reaguar duke akuzuar se protestuesit u dhunuan.
Në protestën që po zhvillohet te Ministria e Arsimit, ka marrë pjesë edhe deputeti i partisë ‘Mundësia’, Erald Kapri.
Ai ngre edhe akuza se policia ka dhunuar protestuesit.
Zv.kryeministrja Albana Koçiu shkruan në rrjetet sociale se protesta që po ndodh te Ministria e Arsimit ka degraduar në dhunë të orkestruar. Ajo shton se dhuna ndaj institucioneve, policisë dhe shkatërrimi i pronës publike s’është gjuha e rinisë, por zakon i vjetër i atyre që i përdorin këta të fundit.
Deklarata duket se i referohet opozitës që deri më tani ka bërë reagime të vazhdueshme në mbështetje të protestës dhe ka akuzuar policinë për dhunë.
“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të ‘provokuar’ rëndë nga pllakat e trotuareve.
Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, shkruan Koçiu.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për përplasjet mes protestuesve e policisë në protestën që po ndodh te Ministria e Arsimit.
“Stop terrorit të banditëve të narkoshtetit ndaj studentëve guximtarë! Nderim studentëve misionarë!”, shkruan Berisha në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Por këtë video e ka ndarë edhe Taulant Balla duke publikuar një moment që kreu i PD e ka prerë: momentin kur protestuesi godet me pllakë policët.
“Sali mashtruesi nxirre të plotë videon! Shikojeni kur ky “studenti” godet me pllakën e betonit punonjësit e Policisë së Shtetit”, i përgjigjet Balla.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar në mbështetje të protestës te Ministria e Arsimit, duke i quajtur “zemërluanë.” Ai thotë se të rinjtë që luftojnë kundër “diktaturës” dhe për lirinë e Shqipërisë nuk mund të ndalet.
“Zemërluanët po dridhin narkoregjimin!
Mbështetje pa kushte për të rinjtë dhe të rejat që janë ngritur në këmbë kundër diktaturës dhe po përballen me dhunën çnjerëzore të regjimit!
Nuk ka forcë në botë që mund ta ndalë një rini që lufton për Lirinë e Shqipërisë!
Liria nuk burgoset! Revolta nuk ndalet!
Forca, zemërluanë! Shqipëria ka nevojë për guximin tuaj!”, shkruan Blushi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë te Ministria e Arsimit, duke kërkuar ndalimin e “terrorit policor ndaj rinisë”.
"Të rinjtë dhe të rejat që protestojnë për një Shqipëri më të mirë meritojnë respekt, jo dhunë; përgjigje, jo represion; liri, jo frikësim! Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj dhe nga ndryshimi që ajo kërkon. Asnjë pushtet nuk mund ta shuajë me dhunë zërin e një brezi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe të ardhme në vendin e vet. Mos e ngatërroni heshtjen me bindjen dhe frikën me nënshtrimin. Rinia nuk intimidohet, nuk blihet dhe nuk ndalet!Çdo akt dhune ndaj studentëve është një akt kundër së ardhmes së Shqipërisë. Dhe çdo pushtet që zgjedh dhunën përballë rinisë, përshpejton humbjen e legjitimitetit të vet. Duart larg studentëve!" shkruajti Bardhi nw njw postim nw rrjete sociale.




