Numri 2 i qeverisë Albana Koçiu e quajti një pamje të trishtë protestën para Ministrisë së Arsimit, që sipas saj, ka degraduar në një dhunë të orkestruar.
“Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, shkroi ajo.
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla i cili me disa postime rresht, publikonte pamje që sipas tij, vërtetonin aktet e dhunës së protestuesve, shkoi edhe më tej duke akuzuar drejtpërdrejtë Partinë Demokratike dhe Sali Berishën për dirigjim të protestës.
Përballë Berishës, që fliste për shoqërime nën terrorin e policisë të protestuesve-studentë, Balla përgjigjej me të tjera pamje që sipas tij tregonin një tjetër anë të realitetit: protestues dhunues dhe një polici që reagon ndaj akteve të dhunshme.
“Sali mashtruesi nxirre të plotë videon! Shikojeni kur ky “studenti” godet me pllakën e betonit punonjësit e Policisë së Shtetit”, shkroi Balla.
Madje, me argumentin se protesta nuk është e studentëve por e kapur prej Berishës, Balla publikoi edhe këtë pamje ku thotë se është dhëndri i tij i bashkëpandehur në SPAK, Jamarbër Malltezi.
"Student është ky? Apo dhëndri hajdut i bufit?! Kurrë mos kini dyshime. Pas çdo sulmi dhe dhune kundër institucioneve në këto 30 vite është Sali Berisha", shkruan Balla.
Foto e publikuar nga Balla
Por opozita insistoi se protestuesit para Ministrisë së Arsimit janë studentë të dhunuar nga forcat e policisë dhe kësaj të fundit i kërkoi të tërhiqej nga reagimet jo-proporcionale me gaz, ujë e shkopinj gome.
“Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj dhe nga ndryshimi që ajo kërkon. Asnjë pushtet nuk mund ta shuajë me dhunë zërin e një brezi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe të ardhme në vendin e vet. Mos e ngatërroni heshtjen me bindjen dhe frikën me nënshtrimin. Rinia nuk intimidohet, nuk blihet dhe nuk ndalet”, shkroi Gazment Bardhi.
“Dhuna ndaj studentëve që ngrihen për të kërkuar një të ardhme më të mirë është e papranueshme dhe e pajustifikueshme! Protesta nuk është krim, fjala nuk është kërcënim dhe kërkesa për dinjitet nuk mund të marrë përgjigje me shkopinj, forcë dhe terror policor”, shkroi Erisa Xhixho.
Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri prezent në protestë, publikoi pamje, ku pretendon se protestuesit janë dhunuar në furgonët e policisë.
Deputetja Jorida Tabaku ka thënë për Report Tv se dhuna që ka parë sot ndaj protestuesve është, është si ajo e një vendi totalitar.
“Jam te spitali ushtarak për herë të dytë, për të parë të vizituar të dhunuarit e protestës .Për shumë vite me radhë kam parë protestat, por nuk kam parë ndonjë dhunë si kjo të policisë. Kjo është dhunë e pazakontë. Dhuna ndaj të rinjve dhe gazetarëve ka qenë se e një vendi totalitar. Kjo që ka ndodhur sot tregon se çfarë pushteti dhe arroganca e pushtetit. Sa shefa komisaristesh kemi ndryshuar ne, zgjidhja është vetëm largimi i Edi Ramës. Ne do të mbështesim çdo protestë që bëhet kundër qeverisë", tha Tabaku.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar si paqësore protestën 9-orëshe në Tiranë, e cila u shoqërua me akte dhune, sulme ndaj institucioneve, shkatërrim biznesesh dhe përplasje me Policinë. Pavarësisht skenave të dhunës, ku protestues të maskuar sulmuan Ministrinë e Arsimit dhe hynë deri në ambientet e Bashkisë së Tiranës, Berisha akuzoi Policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe u ka bërë thirrje demokratëve të mbështesin nesër protestën në 14:00.
Në reagimin e tij, Berisha e cilësoi ndërhyrjen e Policisë si dhunën më të egër ndaj studentëve që prej vitit 1990, duke e krahasuar kryeministrin Edi Rama me ish-diktatorin Ramiz Alia.
“Dita dhe nata më e egër e regjimit ndaj rinisë studentore që nga viti 90 e deri sot. Sot, padrino i Shqipërisë, Edvin Kristaq Koleka, tejkaloi në dhunën e egër dhe shtazore që ushtoi ndaj studentëve në protestë paqësore dhunën e diktatorit Ramiz Alia në dhjetor të ’90-ës ndaj studentëve liberatorë. Në një akt kriminal dhe pa asnjë motiv, studentë dhe studente, qytetarë të moshave të thyera, gazetarë dhe gazetare që bënin detyrën e tyre u agresuan në mënyrën më barbare, iu thyen gjymtyrët, u plagosën, u çanë në kokë, u goditën dhe morën plagë në gjoks, në të gjithë trupin, në dhjetëra e dhjetëra raste. Dëshmitarë okularë kanë dërguar video të cilat faktojnë barbarinë mbi qytetarin duke i thyer gjymtyrë në kohën kur ai nuk p kryente në mënyrë absolute asnjë akt ndaj askujt dhe e morën pa ndjenja, e plasën në makinën e tyre. Të tjerëve, banorëve u kanë hedhur në ballkon bombolat e gazit, gazetarëve u kanë çarë kokën. Situata sonte ishte ajo e një terrori të paparë”, tha Berisha.
Ai drejtoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Arsimit, Ervin Demo, duke i bërë përgjegjës për dhunën që pretendon se është ushtruar ndaj protestuesve.
“Dhuna e egër, thyerja e kockave, çarja e kafkave, plagë të tjera mbi protestuesit janë fytyra e vërtetë e Ramës, janë fytyra e vërtetë e Ervin Demos. Mendoni kush ka qenë zëvendësministri i Arsimit, çfarë turpi, çfarë krimineli.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë dhunë të pashembullt, ftoj të gjithë anëtarët dhe aktivistët e PD-së, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë prindërit e studentëve dhe çdo të ri, të mbështesin protestën e studentëve dhe kërkesën e tyre për largimin e Ramës. Nesër, në të njëjtën orë, para Ministrisë së Arsimit. Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve.
Shpresoj dhe uroj që kjo dhunë barbare të marrë dënimin e merituar nga e gjithë rinia. Nesër është dita e studentëve dhe atyre që mbështesin kauzën studentore”, tha Berisha.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas tensioneve dhe përplasjeve të regjistruara gjatë protestës së sotme para Ministrisë së Arsimit, ku të lënduar mbetën qytetarë, gazetarë dhe punonjës policie.
Në një postim në rrjete sociale ndërsa ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ministri shprehet se dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet.
Demo në fjalën e tij thekson se Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për protestë paqësore dhe duke vepruar në përputhje me ligjin. Më tej Demo shton se do të shqyrtohet çdo pretendim për përdorim të paligjshëm të forcës.
Fjala e plotë e Ervin Demos
Sot, në Luksemburg, Shqipëria mori një tjetër vlerësim për përparimin e saj drejt Bashkimit Europian, duke mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave. Ky përparim na ngarkon me përgjegjësi për të zbatuar standardet europiane edhe në mënyrën se si institucionet tona përballojnë kundërshtitë e cilitdo dhe mbrojnë të drejtat e qytetarëve.
Ngjarjet e sotme përpara Ministrisë së Arsimit janë shqetësuese. Shpreh shqetësimin tim për çdo person të lënduar, qoftë student, qytetar, gazetar apo punonjës policie, dhe u uroj të gjithëve shërim të shpejtë. Institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë e të verifikuar të të lënduarve.
Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.
Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre.
Njëkohësisht, çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet.
Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo. Përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave. Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij.
U kam kërkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore. Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri.
Standardi europian kërkon një shtet që garanton rendin, respekton liritë dhe jep llogari për veprimet e veta. Kjo është përgjegjësia që duhet të përmbushim edhe pas ngjarjeve të sotme.
Në protestën që po zhvillohet te Ministria e Arsimit, ka marrë pjesë edhe deputeti i partisë ‘Mundësia’, Erald Kapri.
Ai publikoi pamje, ku pretendon se protestuesit janë dhunuar në furgonët e policisë.
Zv.kryeministrja Albana Koçiu shkruan në rrjetet sociale se protesta që po ndodh te Ministria e Arsimit ka degraduar në dhunë të orkestruar. Ajo shton se dhuna ndaj institucioneve, policisë dhe shkatërrimi i pronës publike s’është gjuha e rinisë, por zakon i vjetër i atyre që i përdorin këta të fundit.
Deklarata duket se i referohet opozitës që deri më tani ka bërë reagime të vazhdueshme në mbështetje të protestës dhe ka akuzuar policinë për dhunë.
“E trishtë të shohësh se si kultura e protestës degradon në një dhunë të orkestruar dhe, me sa duket, të ‘provokuar’ rëndë nga pllakat e trotuareve.
Dhuna nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë zgjidhje. Zhurma e gurëve, sulmet ndaj institucioneve dhe Policisë së Shtetit, si dhe shkatërrimi i pakuptimtë i pronës publike, nuk janë gjuha me të cilën i ka hije rinisë të shprehet, por zakoni i vjetër i atyre që i përdorin të rinjtë për të mbuluar paaftësinë e tyre politike”, shkruan Koçiu.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për përplasjet mes protestuesve e policisë në protestën që po ndodh te Ministria e Arsimit.
“Stop terrorit të banditëve të narkoshtetit ndaj studentëve guximtarë! Nderim studentëve misionarë!”, shkruan Berisha në reagimin e tij në rrjetet sociale.
Por këtë video e ka ndarë edhe Taulant Balla duke publikuar një moment që kreu i PD e ka prerë: momentin kur protestuesi godet me pllakë policët.
“Sali mashtruesi nxirre të plotë videon! Shikojeni kur ky “studenti” godet me pllakën e betonit punonjësit e Policisë së Shtetit”, i përgjigjet Balla.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar në mbështetje të protestës te Ministria e Arsimit, duke i quajtur “zemërluanë.” Ai thotë se të rinjtë që luftojnë kundër “diktaturës” dhe për lirinë e Shqipërisë nuk mund të ndalet.
“Zemërluanët po dridhin narkoregjimin!
Mbështetje pa kushte për të rinjtë dhe të rejat që janë ngritur në këmbë kundër diktaturës dhe po përballen me dhunën çnjerëzore të regjimit!
Nuk ka forcë në botë që mund ta ndalë një rini që lufton për Lirinë e Shqipërisë!
Liria nuk burgoset! Revolta nuk ndalet!
Forca, zemërluanë! Shqipëria ka nevojë për guximin tuaj!”, shkruan Blushi.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë te Ministria e Arsimit, duke kërkuar ndalimin e “terrorit policor ndaj rinisë”.
"Të rinjtë dhe të rejat që protestojnë për një Shqipëri më të mirë meritojnë respekt, jo dhunë; përgjigje, jo represion; liri, jo frikësim! Kush ngre dorë mbi rininë, dëshmon frikën nga zëri i saj dhe nga ndryshimi që ajo kërkon. Asnjë pushtet nuk mund ta shuajë me dhunë zërin e një brezi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe të ardhme në vendin e vet. Mos e ngatërroni heshtjen me bindjen dhe frikën me nënshtrimin. Rinia nuk intimidohet, nuk blihet dhe nuk ndalet!Çdo akt dhune ndaj studentëve është një akt kundër së ardhmes së Shqipërisë. Dhe çdo pushtet që zgjedh dhunën përballë rinisë, përshpejton humbjen e legjitimitetit të vet. Duart larg studentëve!" shkruajti Bardhi nw njw postim nw rrjete sociale.










