Shumë shpejt do të kuptohet nëse pas lëvizjes së Donald Trump kundër Jerome Powellit fshihet një demonstrim force, apo thjesht dobësi dhe miopi. Sepse hetimit të Departamentit të Drejtësisë ndaj kreut të Rezervës Federale mund t'i hapë rrugën edhe një skenari të dytë: ky mund të jetë një autogol i kreut të Shtëpisë së Bardhë, ndonëse ai mohon të ketë kërkuar ndonjë veprimligjor. Në lojë është pavarësia e Rezervës Federale.

Videoja e publikuar të dielën, me të cilën Powell e akuzoi Trumpin se kërkon të shtypë pavarësinë e bankës qendrore, në fakt, lë të kuptohen lëvizjet e radhës.

Mandati i presidentit të Rezervës Federale skadon më 15 maj dhe gjasat për rikonfirmim, natyrisht, janë zero. Por Powelli do të mbetet anëtar i bordit të bankës qendrore deri më 31 janar 2028. Si i tillë, ai mund të qëndrojë mes shtatë anëtarëve të këshillit që vendos për normat e interesit, së bashku me pesë presidentë të Rezervave rajonale Federale . Prania e Powellit në majë do të ishte e rëndë për drejtuesin e ri të Fed-it të zgjedhur nga Trump, i cili me gjasë do të ishte gati t’i ulë normat sipas diktatit të Shtëpisë së Bardhë.

I përçmuar, i fyer nga Trumpi dhe tani i ndjekur në gjykatë

Mundet që e gjitha kjo të ketë ndikuar në vendimin për të hapur një hetim ndaj Powellit. Ndoshta Trump shpresonte ta detyronte atë që të zhdukej krejt nga Fedi pas katër muajsh, ndoshta në këmbim të një amnistie personale. Por më e mundshme është që tani të ndodhë e kundërta. Powell u tregon miqve se e “genin e kokëfortësisë” e ka trashëguar nga e ëma, Patricia Hyden, e bija e drejtorit të shkollës së drejtësisë në Catholic University of America. Vetë ai është arsimuar nga jezuitët, ku duhet ta ketë përpunuar stilin e tij të përmbajtur dhe njëkohësisht jashtëzakonisht të vendosur.

Nëse ndonjëherë do të kishte dashur të largohej plotësisht nga Rezerva Federale në maj, tani mund ta ndryshojë mendje. Powell mund të vendosë të qëndrojë për të mbrojtur pavarësinë e bankës qendrore, për të cilën ai vetë, që nga dje, thotë se është nën sulm. I përçmuar, i fyer nga Trumpi dhe tani i ndjekur në gjykatë, bankieri qendror mund të kthehet në një gjemb në krah të presidentit për dy vitet e ardhshme: edhe me koston e një procesi penal, të cilin ai gjithsesi mund ta përballojë falë pasurisë së grumbulluar në Wall Street përpara se të shkonte në Fed. Për më tepër, disa senatorë republikanë tani kërcënojnë se mund të mos japin votat për konfirmimin e pasuesit.

Ekonomia amerikane në rrezik nga tarifat doganore

Nëse Trump ka vënë një bast kaq të rrezikshëm, duhet të ketë edhe arsye të tjera. Njëra është frikësimi: nëse jo ndaj Powellit (ai është i papërshkueshëm), ose ndaj pasuesit të tij (ndoshta s’do të ketë nevojë), patjetër ndaj pjesës tjetër të drejtimit të Fedit. Presidenti i ri i bankës qendrore do të ketë nevojë për shumicë në organin vendimmarrës për të zbatuar dëshirat e Trumpit. Dhe Trump do të nxisë kërkesën duke ulur normat deri në 1%, pavarësisht një inflacioni që bëhet më kërcënues nga tarifat doganore.

Kjo është arsyeja e thellë e përplasjes me bankën qendrore. Po të ishte i sigurt për gjendjen e ekonomisë, presidenti nuk do të përpiqej të përkulte çdo instrument ndaj imperativit për të shmangur një disfatë në zgjedhjet e mesmandatit. Ndërkohë, jashtë sektorit të teknologjisë, me qendrat e të dhënave që shpesh ndërtohen me borxhe, në mesin e vitit 2025 produkti i brendshëm bruto i Shteteve të Bashkuara ishte rritur vetëm me 1.3% në një vit. Nuk shihen valë shkarkimesh, por punësimet po ngadalësohen dhe amerikanët shprehen pesimistë për mundësitë për të gjetur punë. Investimet private, gjithashtu jashtë bumit teknologjik, në korrik të vitit të kaluar kishin rënë 4% në bazë vjetore.

Nervozizmi i Shtëpisë së Bardhë dhe llogaritë që s’dalin

Që Trump është nervoz sepse vetëm më të pasurit përfitojnë nga ekonomia e tij, vërehet edhe nga lëvizje të tjera: përfshirë kufirin e shpallur 10% për interesat e kartave të kreditit për personat me të ardhura të ulëta. Shumë banka do të reagojnë duke ua hequr kartat dhe duke ua prerë kreditin më të varfërve. Por kjo do të jetë një provë që bankierë të mëdhenj dhe titanë të financës, si Jamie Dimon i JPMorgan apo Ken Griffin, do të duhet ta përballojnë me Trumpin pas pak ditësh në Davos. Ata nuk mund të jenë dakord me sulmin ndaj Rezervës Federale, por Trump gjithnjë e më shpesh aplikon hakmarrje ndaj kujtdo që e kundërshton: madje edhe ndaj Exxon Mobil, që heziton të kthehet në Venezuelë për të kërkuar naftë.

Deri tani tregjet pothuajse e kanë injoruar përplasjen me Powellin. Por edhe cinizmi i tyre ka një kufi: nëse dhe kur abuzimi me pushtetin e çon inflacionin por edhe dollarin jashtë kontrollit./CorrieredellaSera