Gjykata Themelore në Prishtinë do të shpallë në pasditen e së premtes vendimin në rastin Banjska ndaj Bllagoje Spasojeviçit, Vladimir Tolliçit dhe Dushan Maksimoviçit, të akuzuar për sulmin e armatosur në komunën e Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiçin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviçit, Toliçit dhe Maksimoviçit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.

Tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiçin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

42 të dyshuarit akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiç akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për pastrim parash.