Kosovë - Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burg të përjetshëm Bllagoje Spasojeviçin dhe Vladimir Tolliçin të akuzuar për sulmin e armatosur në komunën e Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Po ashtu ka dënuar me 30 vite burg Dushan Maksimoviçin.
Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiçin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviçit, Toliçit dhe Maksimoviçit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.
Tre të akuzuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.
Për Radoiçiçin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.
42 të dyshuarit akuzohen për terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiç akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për pastrim parash.

Foto: Albulena Haxhiu
Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëherësh kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, deklaroi sot se vendimi i sotëm për dënimin e tre prej të akuzuarve për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023 është dëshmi se sulmi ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit nuk mbetet pa ndëshkim.
Megjithatë, Haxhiu shton se drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu, por se do të përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit në krye me Milan Radoiçiçin të dalin para drejtësisë.
“Me aktgjykimin e shpallur sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Blagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviç me 30 vjet burgim për sulmin terrorist në Banjskë. Sot foli rendi kushtetues i Kosovës të cilin rreshteri Afrim Bunjaku e mbrojti deri në fund.
Ky vendim është dëshmi se sulmi ndaj Policisë së Kosovës, ndaj rendit kushtetues dhe ndaj sigurisë së vendit tonë nuk do të mbetet pa ndëshkim.
Megjithatë, drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit në krye me terroristin Millan Radoiçiç të dalin para drejtësisë.
Lavdi Afrim Bunjakut, heroit tonë!”, shkruan Albulena Haxhiu në rrjetet sociale.
Komente










