Steve Bannon, një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të ish-Presidentit Donald Trump dhe një figurë me ndikim në të djathtën amerikane, u dënua të premten për shpërfillje të Kongresit, pas kundërshtimit nga ana e tij, të një thirrjeje zyrtare për të dëshmuar, të bërë nga komisioni që po heton rreth sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021. Ky zhvillim shihet një fitore e madhe për komisionin e udhëhequr nga demokratët.
Juria e shpalli zotin Bannon, 68 vjeç, fajtor për dy akuza për refuzim të dhënies së dëshmisë ose të dorëzimit të dokumenteve në komisionin e përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve.
Çdo shkelje për shpërfillje të Kongresit dënohet me 30 ditë deri në një vit burg, si dhe me gjobë nga 100 deri në 100,000 dollarë.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Vendimi i jurisë të përbërë nga 12 vetë, shënon ndjekjen e parë penale të suksesshme për shpërfillje të Kongresit që nga viti 1974, kohë kur një gjykatës shpalli fajtor G. Gordon Liddy, një prej komplotistëve në skandalin e Watergate-t, skandal që nxiti dorëheqjen e Presidentit Richard Nixon.
Zoti Bannon ishte një prej këshilltarëve kyç të fushatës presidenciale të republikanit Donald Trump në vitin 2016. Më pas ai shërbeu në Shtëpinë e Bardhë gjatë vitit 2017 dhe u largua për shkak të një mosmarrëveshjeje me ish-Presidentin, një marrëdhënie të cilën e rregulloi sërish më vonë. Zoti Bannon gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në mediat e krahut të djathtë.
Në argumentet përmbyllëse të paraqitura të premten, ekipi i tij mbrojtës tha se zoti Bannon po goditej politikisht dhe e cilësoi dëshmitarin kryesor të akuzës, si një demokrat të motivuar politikisht, e me lidhje me një nga prokurorët. Por në kundërpërgjigjen e tyre, përfaqësuesit e prokurorisë thanë se zoti Bannon përbuzi autoritetin e Kongresit duke kërkuar që ai të mbahej përgjegjës për veprimet e tij të paligjshme.
Dënimi i zotit Bannon mund të forcojë pozitat e komisionit ndërsa vazhdon me përpjekjet për të siguruar dëshmi e dokumente nga persona të tjerë të rrethit të ngushtë të zotit Trump.
Vitin e kaluar ish-presidenti u kërkoi bashkëpunëtorëve të tij që të mos bashkëpunonin me komisionin, duke e akuzuar atë se po përpiqej ta dëmtonte politikisht. Disa nga bashkëpunëtorët e tij i kundërshtuan kërkesat e komisionit.
Një tjetër ish-këshilltar i zotit Trump, Peter Navarro, u akuzua gjithashtu për shpërfillje të Kongresit në muajin qershor. Gjyqi ndaj zotit Navarro është planifikuar të fillojë në nëntor.
Departamenti i Drejtësisë vendosi të mos ngrejë akuza ndaj dy bashkëpunëtorë të tjerë të zotit Trump, Mark Meadows dhe Daniel Scavino, të cilët gjithashtu kanë refuzuar fletëthirrjet e komisionit, dhe pavarësisht se Dhoma e Përfaqësuesve rekomandoi ndjekjen penale të tyre. Në ndryshim nga zoti Bannon, zoti Meadows i ka dorëzuar komisionit disa komunikime që ka patur në lidhje me ngjarjet e 6 janarit./VOA
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)