Të gjitha provat tregojnë se sulmi ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit është orkestruar dhe mbështetur nga Beogradi, ndërsa Milan Radoiçiç ishte dora e hekurt e Vuçiç në këtë sulm. Kështu analizon eksperti i sigurisë në Kosovë Taulant Elshani në një intervistë për Report Tv.
“Fakti që njëri nga të vrarët në sulm ka qenë truproja e shefit të BIA-s serbe, Agjencisë së Inteligjencës në Serbi, Aleksandar Vulin është tregues se sulmi terrorist është i mirëmenduar e mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe ambiciet për hegjemoni rajonale e destabilizim të Kosovës nga presidenti Aleksandër Vuçiç. Organizator është terroristi dhe krimineli famëkeq Milan Radoiçiç i cili për një kohë të gjatë ka qenë dora e hekurt e Aleksandër të Vuçiç në veri të vendit. Kreu punët më të pista duke i detyruar të kryejnë punë të cilat do të krijonin destabilizim” thotë eksperti i sigurisë Taulant Elshani në një lidhje skype nga Prishtina për emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv
Sa i takon armatimit të sekuestruar grupit terrorist serb, eksperti i sigurisë tregon se janë armë të ushtrisë serbe.
“Janë armë luftarake të reja që i posedon ushtria serbe në mënyrë absolute. Për publikun në Shqipëri është shumë e rëndësishme të theksohet fakti që në Serbi çdo pore e jetës publike kontrollohet nga Aleksandër Vuçiç. Jo vetëm që i di por i kontrollon dhe ky grup është element në duar të Vuçiç për të destabilizuar jo vetëm Kosovën por dhe rajonin. Armatimi i sekuestruar është armatim ushtarak i ushtrisë serbe”
Eksperti tregon dhe si policia e Kosovës arriti të identifikonte terroristin Milan Radoiçiç
“Janë përdorur dronë me rezolucion të lartë. Profesionistët kanë arritur të kapin në pamje të gjitha lëvizjet e këtij grupi, madje dhe duke i hipur malit për tu larguar”
Eksperti thotë se ndërkombëtarët nuk duhet më të përkëdhelin më Vuçiç.
“Mos përkëdhelni më Vuçiç. Ai është kryesore për destabilizimin e vendit. Nuk ka më dyshime dhe janë prova se shteti serb është 100% i përfshirë në këtë sulm“ thotë eksperti i sigurisë Taulant Elshani në lidhjen skype nga Prishtina me gazetarin Nertil Agalliu.
E dime o vlla se si kontrollohet aspekti total i jetes publike se njesoj vepron edhe 'vllau' i Tiranes, Rama. Ce do qe iu prish plani per bashkprezanturs te show te darkes ne ERTV "Vucic dhe Rama".....
Përgjigju