Tirana zyrtare dhe politikan kanë reaguar duke dënuar shpërthimin në Zubin Potok të Kosovës mbrëmjen e djeshme, ku dyshohet se 15 kilogramë lëndë eksplozive u përdorën për të shkatërruar kanalin që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.
Kryeministri Edi Rama e quajti akt sabotazhi mbi infrastrukturën kritike dhe një krim të rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë,
Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Ai I bëri thirrje Bashkimit Europian të tërheq sanksionet e mbetura ndaj Kosovës, dhe të angazhohet për gjetjen e një formati të ri dialogu me saj dhe Serbisë.
Sakaq, presidenti Begaj mori në telefon homologen Vjosa Osmani, ku ndër të tjera sipas Presidencës, shprehu mbështetjen e tij që Kosova të kryejë 'një hetim të plotë ndaj këtij akti sabotues dhe terrorist.'
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali tha se frymëzuesit, shkaktarët dhe fajtorët e këtyre akteve meritojnë ndëshkimin e merituar.
Edhe kryetari i PD-së e quajti 'skenar tipik i Rusisë së Vogël dhe kërkoi t'i hiqen sanksionet Kosovës.
Kreu i partisë së demokratëve euroatlantikë Lulzim Basha e ka quajtur një akt terror, me prapavijë destabilizuese. Nga ana tjetër ai shton se mbështet Kosovën për të vënë para përgjegjësisë autorët.
Ndiqni më poshtë reagimet në lajmet e renditura në zhvillim sipas orës
Lajmi ne perditesim...
Kryetari i PD-së Sali Berisha dënoi sulmin në veri të Kosovës me qëllim destabilizimin e rajonit.
Kanë synim madhor destabilizmin e atij rajoni. Këto akte janë një aktakuzë e rëndë e Beogradit i cili kërkon me çdo kusht një zonë konfliktuale të re, destabilizimin e Kosovës, Një skenar i tillë është skenar tipik i Rusisë së vogël. Përgjegjësit të vendosin sa më shpejt para ligjit. Të hiqen të gjitha sanksionet absurde të vendosura ndaj Kosovës. Kosova është pjesë e NATO dhe askush nuk duhet të luajë me këtë vend.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dënoi sulmin mbrëmë në veri të Kosovës.
Akti terrorist mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një tjetër provë se Kosova është vazhdimisht në agresion dhe agresorët nuk kanë marrë kurrë ndëshkimin që meritojnë nga komuniteti ndërkombëtar. Akte të tilla janë një dëshmi e qartë se Serbia jo vetëm nuk është e angazhuar me seriozitet në dialogun normalizues të marrëdhënieve me Kosovën, por vazhdimisht synon destabilitetin e Rajonit dhe minimin e rregullave e ligjeve brenda territorit të Kosovës.
Duke dënuar me forcë këtë akt terrorist, mbetemi të palëkundër në mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosova e pavarur dhe së shpejti anëtare e Bashkimit Europian është një realitet i pakthyeshëm. Aktet destabilizuese nuk mund të triumfojnë kurrë mbi paqen e sigurinë në Rajon dhe as mbi të ardhmen e përbashkët të popujve tanë në familjen europiane.
Partia Djathtas 1912 ka reaguar pas shpërthimit të së premtes që dëmtoi një kanal që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.
Djathtas 1912 dënon me forcë aktin terrorist të ndodhur në Kanalin Iber-Lepenc në Kosovë, duke e konsideruar atë një përpjekje të qartë për destabilizimin e Republikës së Kosovës dhe krijimin e pasigurive në rajon.
Ky incident nuk është i izoluar, por pjesë e një fushate të vazhdueshme nga ekstremistët nacionalistë që synojnë të përhapin frikë dhe të dëmtojnë rendin demokratik në Kosovë.
Djathtas 1912 shpreh mbështetjen e saj të plotë për qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve, si dhe për mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit. Gjithashtu, ne e konsiderojmë jetik bashkëpunimin e organeve ligjzbatuese të Kosovës me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për ruajtjen e sigurisë dhe sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës.
Përballimi i sfidave të sigurisë kërkon koordinim të ngushtë dhe bashkëpunim të pandërprerë. Djathtas 1912 qëndron përkrah Kosovës në këto momente të vështira dhe riafirmon angazhimin për stabilitetin dhe paqen në rajon.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar pas shpërthimit në Zubin Potok ku u godit infrastruktura kritike e Kosovës për furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Spiropali dënon sulmin si akt terrorist dhe shprehet për kthimin e normalitetit dhe qetësisë për qytetarët e Kosovës.
'Aktet terroriste të shkatërrimit të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë në Kanalin e Ibër-Lepencit, nuk dëmtojnë vetëm shërbimet jetike ndaj qytetarëve të Kosovës, por përpjekjet e popullit dhe institucioneve të Kosovës për siguri, zhvillim, mirëqenie, dialog e paqe, dëmtojnë klimën dhe përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim në rajon.
Frymëzuesit, shkaktarët dhe fajtorët e këtyre akteve meritojnë ndëshkimin e merituar.
Jemi pranë institucioneve të Kosovës dhe mbështesim përpjekjet për kthimin e normalitetit, garantimin e qetësisë e sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin', shprehet Spiropali.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shpërthimit të së premtes që dëmtoi një kanal që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.
Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.
Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.
Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e…
— Edi Rama (@ediramaal) November 30, 2024
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenojnë sigurinë kombëtare të saj.
Begaj, thuhet në komunikatën e shpërndarë nga presidenca, ‘mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist.’
Lulzim Basha ka reaguar lidhur me shpërthimin në Zubin Potok, teksa u sulmua rrjeti i ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë. Basha dënon me forcë këtë akt terrori dhe kërkon menjëherë zbardhjen e saj.
Sipas tij, duke marrë parasysh edhe sulmin me granatë dore në komunën e Zveçanit, tregon se qëndron një skenar destabiluzues prapa.
'Dënoj me forcë aktin e terrorit në Zubin Potok dhe mbështes e inkurajoj institucionet e Kosovës që të hetojnë dhe zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Sulmet ndaj infrastrukturës jetike, që penalizojnë qytetarët në furnizimin me ujë dhe energji, janë vepra terroriste të frymëzuara nga ata që duan me çdo kusht tensione dhe destabilizim në rajon. Ky sulm, që pason dy të tjerët në stacionin policor të Zveçanit dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit, tregon se pas tyre qëndron një skenar i përgatitur për destabilizim.
Mosvënia para përgjegjësisë së autorëve dhe ideatorëve të sulmit të armatosur terrorist në Banjskë është një dështim, pasojat e të cilit i vuan jo vetëm Kosova, por e gjithë arkitektura e sigurisë euroatlantike. Prandaj, sot nevojitet një vëmendje e shtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për sulme të mundshme me pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë.'
Ku ishin gjithe keta trima kur hidheshin ne ere shtyllat e tensionit te larte ne Shqiperi...
Përgjigju