Prishtinë - Kanali i ujit Ibër-Lepencit në veri të Kosovës që furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj është hedhur në erë mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, në veri.
Kryeministri Kurti e quajti "sulm kriminel dhe terrorist, dashakeq" nga fqinj verior agresiv e armiqësor që ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
Në një konferencë të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme pak pas shpërthimit, kryeministri akuzoi Serbinë se fshihej pas këtij sulmi, i treti brenda 72 orëve në veri të Kosovës.
“Vetëm ditëve të fundit patën msyer me granata dore në stacioni policor në Zveçan, më 26 nëntor, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të objekti Komunës së Zveçanit, e sonte ishte akti më i rëndë, ku rreth orë 19:00 në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut, me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike.Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishme që kemi”, tha Kurti për gazetarët mbrëmjen e 29 nëntorit.
Menjëherë më pas, sot në mëngjes (30 nëntor) Policia e Kosovës ndërmori një operacion bastisjeje në Zubin Potok dhe në veri të Kosovës dhe kryeministri Kurti - i cili sot në mesditë shkoi për të parë nga afër dëmet në infrastrukturë - konfirmoi se kishte të arrestuar.
Bilanci i bastisjes u prezantua pasditen e sotme në një konferencë të jashtëzakonshme nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se ishin kryer kontrolle në 10 lokacione në veri të Kosovës, me shumicë serbe. 8 persona ishin arrestuar ndërsa ishte sekuestruar dhe një arsenal i madh armësh e uniformash. Sveçla nënvizoi edhe një herë se pas këtyre sulmeve është Beogradi zyrtar që i ka financuar dhe dirigjuar
“Sulmet e vazhdueshme të grupeve kriminale terroriste siç janë sulmet e fundit me granata në Zveçan dhe tani edhe sulmi i fundit terrorist i ndodhur mbrëmë ndaj infrastrukturës kritike janë sulme që dirigjohen nga Serbia dhe për këtë e mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar”, ka thënë ai.
Drejtori i policisë Gazment Hoxha tha se sasia e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme
Në një reagim në rrjete sociale zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi akuzoi Serbinë për mbështetje dhe financim të Milan Radoiçiçit, të cilin e cilësoi organizator të sulmeve në Kosovë. Sipas Bislimit, krahu i tij i djathtë, Nemanja Radivojeviq, është i dyshuari kryesor për sulmin me granatë dore në Zveçan para disa ditësh.
Ky është sulmi i tretë ndaj institucioneve të Kosovës me synimin që të shkaktojë frikë te qytetarët në veri të vendit për ta përshkallëzuar situatën atje e pastaj edhe në krejt vendin, tha Kurti.
Po mbrëmë u thirr këshilli i sigurimit të Kosovës ku kërkoi forcimin e sigurisë në të gjithë territorin e Kosovës si dhe drejtoi gishtin e fajësisë për organizimin e këtij sulmi tek Beogradi zyrtar dhe strukturat kriminale me në krye Radoiçiçin.
Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit.
Këshilli i Sigurisë aprovoi masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës u aktivizuan në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.
Nga ana e saj Serbia përmes një reagimi nga Ministri i jashtëm serb Marko Gjuriç dënoi të shtunën sulmin duke theksuar se veprime të tilla shkatërruese janë të papranueshme dhe kërcënojnë qëndrueshmërinë e brishtë. Në një reagim në rrjetin X, ministri serb tha se Kurti po ngre akuza të pabaza madje dhe se Serbia është e gatshme të ndihmojë financiarisht dhe teknikisht në riparimin e dëmeve. Edhe presidenti Vuçiç e mohoi. Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dënoi dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë.
Sulmi është dënuar nga ndërkombëtaret dhe Tirana zyrtare të cilët kanë shprehur gadishmërinë për të ndihmuar në hetime të gjithanshme
Si pasojë e shpërthimit gjatë natës u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm si dhe energjia elektrike e qeveria arriti të rikthente sot në mëngjes furnizimin e rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë
Për më tepër ndiqni lajmet në zhvillim
Korporata Energjetike e Shqipërisë ka filluar që nga mëngjesi i sotëm të ofrojë sasi energjie për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), për të përballuar situatën e krijuar me njësitë prodhuese të energjisë në Kosovë.
Kjo vjen si vijim i marrëveshjes së shkëmbimit dhe marrëdhënieve te bashkëpunimit midis dy korporatave. KESH do vazhdoje te ndihmojë deri në mbremje KEK, edhe ne ditet në vijim nëse do të ketë nevojë.
Ende nuk ka shifra se sa megavat do t'i transferohet Kosovës nga Shqipëria.
Pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në komunën e Zubin Potokut, IKSHPK, respektivisht Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” kanë marrë mostrat e ujit të patrajtuar për të kryer analizat e nevojshme.
Ministria e Shëndetësisë njofton se sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije.
“Sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije, ndërkohë që përveç analizave mikrobiologjike dhe atyre bakteriologjike, IKSHPK/QRSHP Mitrovicë, do të analizojë edhe paramatra të tjerë që kanë të bëjnë me praninë e metaleve në ujë”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se IKSHPK është në bashkëpunim të ngushtë me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi në Mitrovicë dhe KRU “Prishtina”, do të monitorojnë ujin nga Kanali i Ibër Lepencit dhe do t’i kryejnë të gjitha analizat e nevojshme për t’u siguruar që uji, para se të lejohet për pije, t’i përmbush parametrat e lejuar.
“Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK sigurojnë qytetarët që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që uji që përdoret në zonat e prekura nga pasojat e shpërthimit t’i përmbushë standardet e lejuara”, thuhet në komunikatë.
Një shpërthim i fuqishëm mbrëmë në Varagë të Zubin Potok, ka dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenc./Kosovapress
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se një nga vendimet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët e para të mëngjesit të sotëm ka qenë edhe angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në patrullime dhe vëzhgim të pikave të infrastrukturës kritike në vende të ndryshme në Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Kurti ka theksuar se patrulla të FSK-së janë vendosur në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë.
“Ndër vendimet e dala nga mbledhja e Këshilllit të Sigurisë, që e mbajtëm në orët e para të mëngjesit ishte angazhimi i FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile përmes detyrave të patrullimeve dhe vëzhgimit të pikave të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovë. Pas vizitës në Varagë të Zubin Potokut, kësaj radhe me ministrin e Mbrojtjes, Maqedonci ishim në pikat statike dhe patrullat ushtarake të vendosura në regjionin e Obiliqit dhe Vushtrrisë. Jemi të përkushtuar për garantimin e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Liqeni i Ujmanit
Një shpërthim ka ndodhur më 29 nëntor në veri të vendit dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se sulmi është terrorist e kriminal dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia. Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë sot disa persona të dyshuar.
Kanali i ujit të Ibër-Lepencit furnizon me ujë, nga Liqeni i Ujmanit, disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Pse është kaq i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit?
Liqeni i Ujmanit ka sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë. Shtrihet në pjesën veriore të Kosovës, në kufi me Serbinë.
Rreth 9 kilometra katrorë të Liqenit të Ujmanit janë në territorin e Kosovës dhe rreth 2 të tjerë në pjesën e Serbisë.
Ujmani është mbledhësi i ujit më i rëndësishmi për Kosovën.
Kur liqeni mbushet plotësisht me ujë arrin në rreth 370 milionë kub ujë.
Nëse mungon uji i Liqenit të Ujmanit, Kosova mbetet pa rrymë, e Prishtina pa ngrohje.
Një pjesë e konsiderueshme e banorëve të Prishtinës furnizohen nga rezervuari i Ujmanit që është më i madhi në Kosovë.
Nga kjo pjesë furnizohen me ujë edhe Mitrovica, Skenderaj, Vushtrria, Drenasi, Fushë Kosova dhe Obiliqi.
Liqeni i Ujmanit është ndërtuar në mes të 1979-1984.
Në Kosovë ekzistojnë edhe Liqeni i Batllavës, i Badovcit dhe ai i Radoniçit./ KosovaPress
Arbër Vokrri
Pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, Kosova ka siguruar energji elektrike nga Shqipëria, në rast nevoje..
Kjo u konfirmua nga zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, në një bisedë telefonike në “Info Magazine” të Klan Kosovës.
“Do të përkujdesen Qeveria e Kosovës, dhe institucionet tona që të mos ketë efekt ky sulm në infrastrukturën jetike të vendit”, u shpreh ai.
I pyetur se sa është sasia e energjisë elektrike të siguruar, Vokrri tha se nuk e ka këtë informacion.
“Këtë informatë me siguri e kanë kolegët nga Ministria e Ekonomisë, nuk e di sasisë e saktë e energjisë që është kërkuar të merret nga Shqipëria në rast nevoje. Mund të them se janë marrë të gjitha masat që të mos ketë ndërprerje as me furnizim me ujë as me energji elektrike”, deklaroi zëvendësministri.
Caroline Ziadeh
Shefja e Misionit të OKB-së në Kosovë, Caroline Ziadeh, ka dënuar sulmin e mbrëmshëm në fshatin fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ku u hodh në erë kanali i ujit Ibër-Lepencit, që furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social "X", Ziadeh shprehet se ky sulm është thellësisht shqetësues dhe rrezikon të dëmtojë stabilitetin.
“Një hetim gjithëpërfshirës transparent është i domosdoshëm për të identifikuar përgjegjësit dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës”, ka thënë ajo.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka akuzuar Serbinë për mbështetje dhe financim të Milan Radoiçiqit, të cilin e cilësoi organizator të sulmeve në Kosovë. Sipas Bislimit, krahu i tij i djathtë, Nemanja Radivojeviq, është i dyshuari kryesor për sulmin me granatë dore në Zveçan para disa ditësh.
Bislimi thekson se, megjithëse Serbia distancohet publikisht nga aktet terroriste, ajo vazhdon të lejojë Radoiçiqin të veprojë dhe të planifikojë sulme nga territori serb. Ai përmendi edhe rastin e ngjashëm të sulmit në Banjskë, shtatorin e kaluar, ku një polic kosovar u vra. Sulmet e fundit, përfshirë atë ndaj kanalit Ibër-Lepenc, po shihen si sulme ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke prekur furnizimin me ujë dhe energji për disa rajone, përfshirë Prishtinën.
“Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun.
Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit. Dora e djathtë e tij, Nemanja Radivojeviq - Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës”, ka shkruar ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend, pas sulmit të fundit terrorist në infrastrukturën jetike të Kosovës.
Gjatë takimit, Osmani ka potencuar cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve në infrastrukturën vitale.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë.
Në të njëjtën kohë, Presidentja theksoi sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit.
Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor.
Pak më parë e para e vendit është takuar edhe me komandantin e KFOR-it.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është e rëndësishme të vërtetohen faktet dhe përgjegjësit për shpërthimin në Ibër-Lepenc të sillen para drejtësisë.
Në një komunikatë për media sot, KFOR-i ka dënuar ashpër sulmin në tubacionin e ujit në Zubin-Potok, “i cili pati një ndikim të madh në furnizimin me ujë dhe energji elektrike në veri të Kosovës”.
Është e rëndësishme që të vërtetohen faktet dhe që përgjegjësit të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë. Personeli i KFOR-it që nga mbrëmë ka ofruar siguri në tubacionin e ujit dhe në zonat përreth; për më tepër, KFOR-i ka ofruar asgjësimin logjistik të mjeteve shpërthyese dhe mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë”, thuhet në reagim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ndodhi në veri të Kosovës, ku u dëmtua një kanal i ujit i Ibër-Lepencit, duke shtuar se “këtë e di edhe Prishtina”, raporton transmetuesi shtetëror serb, RTS.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për "sulm kriminal dhe terrorist", i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit. Por, Vuçiç, duke i komentuar këto akuza gjatë një bisede me të rinjtë në tribunën e Partisë Progresive të Serbisë: "Të rinjtë e Serbisë, kurthet dhe mundësitë", i hodhi poshtë akuzat.
Ai i këshilloi ata të mos marrin vendime nën trysni, duke treguar gjoja pse Serbia nuk reagoi menjëherë pas akuzave të Prishtinës.
“Përse të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat botërore, të kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë kur ata gjithsesi do ta interpretojnë si të duan”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkoi sot paradite për të parë nga afër pasojat e shpërthimit në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Kryeministri i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla konfirmoi se ka të arrestuar gjatë operacionit policor të bastisjes.
Policia ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”,
“Ky sulm terrorist e kriminal ka dëmtuar strukturën kritike, ka dëmtuar rëndë edhe prodhimin e energjisë elektrike edhe furnizimin me ujë. Duke ju falënderuar punën vetëmohuese të policëve, të inxhinierëve të ekspertëve, të punëtorëve kemi arritur që, deri diku, ta riparojmë dëmin, ndonëse jemi diku diç më shumë se çereku i prurjeve normale të ujit nëpërmjet kanalit Ibër-Lepenc, i cili bën edhe ftohjen e termoelektranave në Obiliç edhe furnizimin me ujë të qytetarëve të shumë komunave përfshirë edhe një pjesë të Prishtinës”, tha Kurti.
Ai theksoi se shteti është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike.
Disa të dyshuar janë arrestuar në fshatrat e Zubin-Potokut sot pas bastisjeve nga Policia e Kosovës.
Ende nuk dihen nëse të dyshuarit kanë lidhje me shpërthimin në Ibër-Lepenc. Përveç arrestimeve, Policia ka konfiskuar edhe sekuestrimin e disa materiale të ndryshme, informon media kosovare.
Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Varagë paraditen e sotme u shpreh se për shpërthimin nuk janë përgjegjës vetëm një ose dy persona, “por një grup i strukturuar i dirigjuar nga Serbia”.
Aksion i forcave të Policisë së Kosovës u zhvillua në veriun e vendit paraditen e sotme.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, ka reaguar për shpërthimin në Zubin Potok duke kundërshtuar pretendimet e Kurtit, teksa tha se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.
Ai tha se Serbia kërkon që të mbahen përgjegjës kryerësit e këtij sulmi dhe se është e gatshëm të ndihmojë në riparimin e dëmeve ndaj kanalit “qoftë financiarisht apo teknikisht”.
“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuriç në një reagim në X.
Foto: Pasojat e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, takoi Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Enrico Barduani, pas sulmit terrorist dhe kriminal në kanalin kryesor të ujit Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut.
Në takim u diskutua rreth bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet institucioneve të sigurisë dhe KFOR-it në garantimin e sigurisë së infrastrukturës kritike dhe sigurisë në vend, informoi sot kryeministria.
Kryeministri Kurti falënderoi KFOR-in për gatishmërinë për të asistuar në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga sulmi i mbrëmshëm dhe tejkalimin e situatës.
Palët u pajtuan që të mbesin në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se është siguruar furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e Prishtinës, pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin-Potok ku u dëmtua kanali i ujit Ibër Lepenc.
“Ibër Lepenci, rreth orës 02:00 pas mesnate, në një afat rekord, ka vendosur gjashtë tuba të përkohshëm me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit "Kosova B". Kësisoj, presim që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë i pacënuar. Në të njëjtën kohë, jemi koordinuar me Korporatën Energjetike të Shqipërisë për të siguruar energji shtesë për të evituar reduktime eventuale”, ka shkruar ajo.
Rizvanolli ka njoftuar më tej për planin për furnizim me ujë.
“Nga ky akt terrorist është ndikuar edhe furnizimi me ujë. Përderisa në Prishtinë furnizimi me ujë do të kompensohet nga Badovci dhe Batllava, furnizimi në Fushë Kosovë, Drenas dhe rajonin e Mitrovicës do të sigurohet përmes autobotëve, duke nisur nga mëngjesi i sotëm”.
Ajo ka inkurajuar qytetarët që të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta.
Kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër Lepenci”, ka njoftuar se është mundësuar furnizimi i papenguar i KEK-ut me ujë nga kanali i Ibër-Lepencit.
“Pas një nate plot ankth e stres, me gëzimin më të madh ju lajmëroj se pas një pune të palodhshme të gjithë akterëve relevant në kushte atmosferike tejet të rënduara, me në krye ndërmarrjen FAMIS CO, punëtorët e Ibër Lepencit dhe Policinë e Kosovës, në një afat rekord u vendosën 6 tuba 900 mm në kanalin e dëmtuar me të cilat u mundësua furnizimi i papenguar i KEK ut me ujë nga kanali i Ibër Lepencit”, ka shkruar ai në Facebook.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për shpërthimin në kanalin në Ibër-Lepenc në Zubin-Potok të premten në mbrëmje.
Ajo e ka quajtur akt terrorist shpërthimin, duke theksuar se “bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës” e se “do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste”.
“Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pakompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka kërkuar qetësi e maturi nga qytetarët deri sa institucionet të merren me hetim të rastit dhe përllogaritjen e dëmit.
“Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të këtij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, ka bërë të ditur ajo.
Osmani ka anuluar vizitën shtetërore në Brunei, pas shëprthimit që ndodhi mbrëmë në Ibër Lepenc. Ishte parashikuar që ajo të takohej me Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, me zhvillimet aktuale të sigurisë në vend.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar akt terrorist shpërthimin e sotëm në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok. Sveçla ka thënë se ky shpërthim është akti më i madh ndaj infrastrukturës jetike, që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ai shtoi se është e qartë se këto grupe sponsorizohen nga ushtria dhe policia e Serbisë.
Para gazetarëve mbrëmjen e djeshme ai tha se flitet se janë përdorur rreth 15 kilogramë eksploziv. Sipas tij, qëllimi i Serbisë tashmë është i qartë - pamundësimi i shërbimeve elementare për qytetarët dhe shkaktimi i frikës në masë.
Ai e ka quajtur incidentin e së premtes në mbrëmje, si aktin më të madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
"Si rezultat i një akti terrorist, një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit e cila është cilësuar si infrastrukturë kritike, është dëmtuar seriozisht. Nuk dihet ende sasia e saktë e eksplozivit, por sipas ekspertëve të policisë së Kosovës, të cilët pritet të ndihmohen edhe nga ekspertë të KFOR-it, flitet për rreth 15 kilogramë eksploziv... Momentalisht ka ndërprerje të furnizimit me ujë për disa qytete dhe po ashtu për KEK-un. Momentalisht janë duke u shfrytëzuar rezervat aktuale, por po punojmë që ekipet e angazhuara nga Ibër-Lepenci, KEK-u, ta sanojnë gjendjen, që do të mundësonte KEK-ut të furnizohet me ujë, që është e domosdoshme për funksionimin normal të turbinave të Kosovës A dhe B.
Po ashtu prej Ibër-Lepencit furnizohen Zubin Potoku, Mitrovica e Jugut, Veriut, Vushtrria, Drenasi, një pjesë e Prishtinës dhe e gjithë Fushë Kosova. Qëllimi tashmë është i qartë, defunksionimit të jetës në këtë rajon, pamundësimi i shërbimeve elementare dhe shkaktimi i frikës në masë... Është mesazh për gjithë Kosovën, është mesazh shpresoj edhe për partnerët tanë, se elementet terroriste nuk dëshirojnë që paqja të sundojë në këtë pjesë të Republikës së Kosovës. Ata tashmë po deklarojnë se nuk do të ndalen... Është mund të themi lirisht akti më i madh ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës në Kosovë", ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se shpërthimet e fundit në veri janë bërë me eksplozivë nga rezervat e Serbisë.
“Nuk po flasim për armë të vogla. Po flasim për eksplozivë që s’është e lehtë të gjenden në tregun e zi. Kjo patjetër se vjen nga rezervat, nga stoqet e eksplozivit të Serbisë”, ka thënë Sveçla kuke shtuar se ky është një mesazh për qeverinë e Kosovës dhe partnerët e saj.
Ministri tha se ata nuk kanë vullnet të ketë paqe në Kosovë dhe po e shfrytëzojnë situatën e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ndryshimin e pushtetit në SHBA.
Kurse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha para gazetarëve se masat e sigurisë nga Policia e Kosovës janë ndërmarrë të premten para se të ndodhte shpërthimi në Zubin Potok.
“Për shkak të dy shpërthimeve në veri, në stacionin policor dhe në Komunën e Zveçanit, kemi shtuar masat e sigurisë gjatë ditës së sotme dhe se paralajmërimet dhe masat janë marrë para se të ndodhte ky rast në Zubin Potok", tha Hoxha.
Aksion i forcave të Policisë së Kosovës është duke u zhvilluar paraditen e sotme.Po ushtrohen kontrolle në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut.
Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Po, është duke u zhvilluar aktivitet i bastisjes nga ana e policisë dhe tani për tani nuk mund të them asgjë më shumë", ka thënë shkurt Elshani.
Nuk dihet nëse nga ky aksion është arrestuar ndonjë person ose është gjetur armatim. Aksioni po zhvillohet pas shpërthimit të mbrëmshëm në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se flitet se janë përdorur diku për rreth 15 kg eksploziv / Kosovapress/
Këshilli i Sigurisë i Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orët e para të së shtunës pas sulmit të tretë brenda 72 orëve në veri të vendit. Më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan, ndodhi një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut të premten në mbrëmje 29 nëntor.
Pas mbledhjes Qeveria përmes një komunikate tha se indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës “është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist”.
Aty janë diskutuar masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmirren për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike. Ndërsa, masa shtesë janë ndërmarrë për të forcuar sigurinë rreth objekteve si në ura, trafostacione, antene, liqene e të tjera, ku do të aktivizohen Policia dhe FSK-ja. Në njoftim thuhet se kriminelët po dirigjohen nga Qeveria e Serbisë e po ushtrohen në Serbi për sulme të tilla.
Njoftimi i Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës mban mbledhje të jashtëzakonshme, 30 nentor 2024
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, me fillim në 01:30, nën udhëheqjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.
Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.
Kryeministri Kurti u shpreh: “Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha.”
Institucionet e Kosovës mbeten të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar që autorët e këtyre veprimeve të paligjshme të përballen me drejtësinë. Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe keqinterpretimeve të luftës hibride kundër shtetit dhe popullit tonë.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” bëri të ditur se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes. Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë.
Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja. Ndërkohë të martën granata dore ishin hedhur në oborrin e stacionit policor në Zveçan
Dhjetëra automjete të KFOR-it janë nisur rreth orës 3 të mëngjesit, drejt Zubin Potokut. Të ndara në dy grupe, lloje të ndryshme të automjeteve të blinduara, përfshirë edhe autoambulancat ushtarake, janë pozicionuar në këtë qytet të veriut.
KFOR u nis drejt Zubin Potokut,disa orë pas shpërthimit në kanalin kryesor të Ibër Lepencit, të cilin krerët e shtetit e cilësuan si sulm terrorist.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti në konferencën e jashtëzakonshme me gazetarë ka dënuar sulmin në Zubin Potok ku është dëmtuar rëndë sistemi i ujitjes Ibër-Lepenc, duke shkaktuar rrjedhjen e pakontrolluar të ujit në atë zonë. Kurti tha se është sulm kriminal dhe terrorist.
Kreu i Qeverisë tha se sulmet terroriste e dashakeqe që po vijojnë të na vijnë, ne besojmë nga fqinji ynë verior agresiv e armiqësor.
“Vetëm ditëve të fundit patën msyer me granata dore në stacioni policor në Zveçan, më 26 nëntor, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të objekti Komunës së Zveçanit, e sonte ishte akti më i rëndë, ku rreth orë 19:00 në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut, me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike.
Kryeministri tha se Policia e Kosovës është në vendin e ngjarjes dhe në krye të detyrës, derisa njoftoi se furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht sipas paralajmërimeve e njoftimeve nga KRU ‘Mitrovica’.
“Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishme që kemi”, tha Kurti.
Ai tha se ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë.
Kurti bëri thirrje qytetarëve që të jenë të qetë dhe ën vazhdimësi të ndjekin udhëzimet dhe njoftimet nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Organet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës, rikuperimin e dëmit dhe zbardhjen e plotë të rastit”, tha Kurti, teksa shtoi se ky sulm është kryer nga bandat që shtoi ai, dirigjohen orkestrohen nga Serbia, dhe se një pjesë e vendit rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes, derisa disa qytetet dhe një pjesë e kryeqytetit rrezikojnë të mbesin pa ujë të pijes.
“Për bindjen tonë të fuqishme, nuk mund të ketë adresë tjetër për përgjegjësin dhe fajësinë për organizimin e këtij sulmi përveç se Beogradi zyrtar dhe strukturat kriminale me në krye Radojiçiçin”, tha Kurti, teksa shtoi se ky është sulmi i tretë ndaj institucioneve të Kosovës me synimin që të shkaktojë frikë te qytetarët në veri të vendit për ta përshkallëzuar situatën atje e pastaj edhe në krejt vendin.
“Përpjekjet e këtilla do të ngelen të dëshpëruara për shkak se Kushtetutshmëria në vendin tonë, sundimi i ligjit, rendi dhe populli ynë nuk do të mund të mposhten asnjëherë nga askush”, tha Kurti derisa falënderoi partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE-në, për mbështetjen e tyre ndaj vendit tonë.
Kurti njoftoi se menjëherë pas konferencës do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së vendit dhe do ta takojë komandantin e KFOR-it.
Tutje, Kurti tha se suksesi i Kosovës është duke i çmendur ata, prandaj, shtoi ai, Kosova po përballet me sulme të tilla, teksa bëri të ditur se vendi ynë duhet të jetë i përgatitur për gjithçka.
“Duhet të përgatitemi për gjithçka, meqenëse Serbia nuk e ka ndryshuar as qëndrimin e as qëllimin. Dhe do të bëjmë edhe ne gjithçka me forcën, kapacitete dhe dijen që kemi. Jemi në bashkërendim me partnerët tanë. Por punën kryesore e bëjmë ne, policia, inxhinierët e KEK-ut, ekspertët në Ibër-Lepenc, qeveria, qytetarët. Ne jemi bartës të sanimit të kësaj gjendjeje, sepse ata po sulmojnë në mënyrë tinëzare e qyqare. Dikur i kanë kontrolluar këto asete, i kanë pasur komunat, kanalin, Policinë, liqenin e Ujmanit. Sulmet e tyre vijnë sepse e kanë humbur kontrollin. Po t’i kishin sikur dikur, do ta shantazhonin komplet shtetin e Kosovës”, ka thënë kreu i qeverisë, Albin Kurti, /shkruan rtk/
Dyshoj se kete gje e kane bere Albinet per ti mbushur mendjen idioteve kosovare se jemi nen terorin e serbise dhe duhet ta votojne ate perseri qe ti shpetoje nga serbet,Keshtu benin dhe
PërgjigjuMund të jetë edhe dorë e Rusisë.
PërgjigjuPo Shqipëria e denoi aktin terrorist apo ska dhënë leje vllai akoma?
PërgjigjuPo Rika po... Shqipëria i kërkon llogari Shqipërisë ..koqe kanari komplet