Një sulm rus ndaj një shkolle të përdorur për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Komyshuvakha në rajonin e Zaporizhzhias, ka shkaktuar 24 viktima dhe pesë të plagosur. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili akuzoi Moskën se ka shënjestruar qëllimisht civilët që ndodheshin në këtë ambient për të marrë ndihma.
Sipas Zelenskyt, zona është goditur disa herë me bomba ajrore që prej orëve të para të mëngjesit. Pas bombardimit të parë, forcat ruse ndërmorën një tjetër sulm, duke hedhur nëntë bomba drejt vendstrehimit ku njerëzit kishin kërkuar mbrojtje.
“Pas bombardimit të parë ajror, pasoi një sulm i ashtuquajtur double-tap, me nëntë bomba të tjera të hedhura qëllimisht drejt strehës ku njerëzit kishin kërkuar mbrojtje”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai bëri të ditur se kërkimet për persona të zhdukur vijojnë, ndërsa e cilësoi sulmin si dëshmi se Rusia nuk po kërkon uljen e tensioneve apo arritjen e paqes.
“Duhet të ketë një përgjigje nga bota, një përgjigje të fortë dhe vendimtare”, u shpreh Zelensky.
Ndërkohë, në një tjetër zhvillim të luftës, sulme kibernetike kanë goditur aplikacionet e emergjencave në Ukrainë dhe Rusi, ku janë shpërndarë njoftime të rreme për kërcënime bërthamore. Po ashtu armëpushimi humanitar në Oleshky mundësoi evakuimin e afro 800 personave dhe dërgimin e ndihmave ushqimore e mjekësore, përpara përfundimit të tij më 1 nëntor.



Komente
Komento