Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se kompania SpaceX ka kufizuar shpejtësinë e shërbimit satelitor Starlink duke theksuar se sistemi vijon të funksionojë por pa shpejtësinë e pakufizuar që kërkon pala ukrainase.
Në deklaratat e tij, Zelensky u shpreh se shërbimi nuk është ndërprerë, por se kufizimet në shpejtësi mbeten ende në fuqi.
“Starlink-u funksionon, por ende ka kufizime. Çështja është që të kemi shpejtësi të pakufizuar, por ajo ende është e kufizuar”, deklaroi presidenti ukrainas.
I pyetur nëse pas këtij kufizimi qëndron Elon Musk, pronari i SpaceX, Zelensky theksoi se është i sigurt që kompania e ka ngadalësuar shërbimin. Ai shtoi se beson se Musk është tashmë në dijeni të situatës.
“Jam i sigurt se Elon tashmë e di këtë, edhe nëse nuk e dinte më parë”, u shpreh Zelensky.
Starlink shërbimi satelitor i SpaceX ka një rëndësi të veçantë për Ukrainën, veçanërisht në kushtet e luftës ku përdoret për komunikime dhe për të siguruar lidhjen me internetin në zona ku infrastruktura tradicionale është dëmtuar ose nuk funksionon.






Komente
Komento