Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të zhvillojë një takim ditën e sotme me homologun turk Recep Tayyip Erdoğan në Stamboll, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t'i dhënë fund luftës me Rusinë e cila vijon prej më shumë se katër vitesh e gjysmë. Kievi shpreson që gjatë muajit nëntor të ketë përparim drejt rifillimit të negociatave të paqes, ku synohet të përfshihen edhe Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane.
Në fjalimin e tij ditën e djeshme Zelensky bëri të ditur se diskutimet lidhen edhe me mundësinë e rifillimit, gjatë muajit nëntor, të negociatave që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin.
“Negociata të rëndësishme do të zhvillohen në Turqi. Po punojmë gjithashtu për të siguruar që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë diplomatike në dispozicion”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai shtoi se Kievi shpreson që gjatë muajit nëntor të ketë përparim drejt formateve të negociatave që janë diskutuar prej kohësh.
Ndërkohë, drejtori i Komunikimit i Presidencës turke, Burhanettin Duran,konfirmoi përmes një reagimi në platformën X se Zelensky do të takohet të shtunën në Stamboll me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.
Vizita zhvillohet në një moment kur përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund luftës po marrin një rëndësi të veçantë. Zelensky ka deklaruar këtë javë se shpreson që një takim trepalësh mes negociatorëve të Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të zhvillohet në Abu Dhabi, në periudhën 6–10 nëntor.
Lajmi kryesor:
Lufta/ Rusia sulmon me dronë termocentralin e Kievit! Kryeqyteti mbetet pa energji elektrike dhe pa ujë







Komente
Komento