Një sulm rus me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas, mbrëmjen e kaluar ka shkaktuar të paktën një viktimë dhe 10 të plagosur, mes tyre studentë pranë një konvikti universitar. Sulmi goditi një institucion arsimor, ndërtesa banimi, një stacion të metrosë dhe objekte mjekësore ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet në terren.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko deklaroi se viktima u gjet pranë një supermarketi. Sipas autoriteteve, një trup u zbulua pranë një pallati të dëmtuar rëndë. Nëntë nga të plagosurit po trajtohen në spital, ndërsa tre prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se bilanci i plotë nuk ishte përcaktuar ende.

“Për momentin, numri i saktë nuk dihet. Por, fatkeqësisht, ka viktima. Ka të plagosur. Operacionet e shpëtimit po vazhdojnë”, deklaroi ai në Telegram.

Zelensky përsëriti thirrjen për përshpejtimin e furnizimit me sisteme të mbrojtjes ajrore, duke paralajmëruar se vonesat po e lënë Ukrainën të pambrojtur përballë sulmeve të vazhdueshme.

Më herët gjatë ditës, presidenti ukrainas kishte deklaruar se Kievi po priste prej afro një muaji miratimin nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, për furnizimin me raketa të sistemeve Patriot dhe NASAMS.

“Prej gati një muaji po presim që zoti Hegseth të miratojë raketat për sistemet Patriot dhe NASAMS. Kam udhëzuar ekipin tonë që ta ngrejë sërish këtë çështje me palën amerikane”, shkroi Zelensky në rrjetin social X.