VLORË - Flamurtari dhe Teuta barazuan 1-1 të mërkurën për raundin e 35-të ose thënë ndryshe të parafundit të Superligës. Të ndodhur në vendin e fundit me vetëm 36 pikë dhe me tre pikë diferencë nga rivalët, Flamurtari zyrtarisht është skuadra e parë e rrëzuar nga Superliga.
Klubi vlonjat në fillim të ndeshjes së djeshme doli me një deklaratë ku kundërshtonte arbitrimin nga Eldorjan Hamiti. Sipas tyre, në tre ndeshjet e fundit kundër Teutës ka qenë po ky arbitër që i ka penalizuar.
Edhe për ndeshjen e djeshme nuk kanë munguar akuzat dhe pretendimet e vendasve për penallti, teksa fundi ka qenë i tensionuar. Me të fërshëllyer mbylljen e ndeshjes, arbitrat Eldorjan Hamiti dhe ndihmësit Ridiger Çokaj, Ilir Tartaraj dhe Laver Alla u shoqëruan për në zhveshtore nga forcat e policisë me skafandra, për t'i mbrojtur nga sendet e forta të hedhura nga tribuna.
Edhe shumë minuta pas fundit të ndeshjes, kur gjithçka dukej e qetë dhe arbitrat do të largoheshin nga stadiumi, në tribunën kryesore të stadiumit 'Flamurtari', disa tifozë vendas të cilët nuk ishin larguar, sulmuan me bidona uji dhe një 'lumë ofendimesh' arbitrin kryesor Eldorjan Hamiti.
Gjyqtarët u larguan nga stadiumi me forca të shumta policie dhe me furgonin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Komente








