Një ditë pas goditjes vdekjeprurëse të rebelëve Huthi që vranë 12 persona dhe plagosën më shumë se 300 të tjerë, raportohet për një tjetër sulm me raketa balistike ndaj Aeroportit Ndërkombëtar ‘King Khalid’ në Riad të Arabisë Saudite. Sipas Aljazeeras, një raketë goditi Terminalin 4 duke shkaktuar zjarr.

Zëdhënësi i koalicionit, Gjenerali Turki al-Maliki, tha në një deklaratë se më herët mbrojtja ajrore kapi dhe shkatërroi një raketë në zonën e Aeroportit.

Sipas autoritetit të Aviacionit Civile sulmi i sotëm në Aeroport shkaktoi të plagosur, pa specifikuar numrin e tyre. 

Zëdhënësi ushtarak i Houthi-t njoftoi zyrtarisht se organizata mori përgjegjësinë për sulmin e djeshëm me 12 të vrarë.

Huthët paralajmëruan që aeroportet dhe portet saudite të shmangen.

Zëdhënësi ushtarak i Huthive, Yahya Saree, iu drejtua të gjitha kompanive të transportit detar, kompanive ajrore, punonjësve, personelit dhe udhëtarëve, duke i këshilluar të mos përdorin aeroportet dhe hapësirën ajrore saudite, pasi ato janë të ekspozuara ndaj sulmeve të mundshme dhe mund të kthehen në skenë operacionesh të reja.

Në një postim në platformën X, Saree sqaroi se aeroportet e Mekës dhe Medinës përjashtohen nga çdo sulm.

Huthitë kanë premtuar se do ta vazhdojnë fushatën e tyre sipas parimit ‘aeroport për aeroport, bllokadë për bllokadë dhe përshkallëzim për përshkallëzim.’

Sulmi i së shtunës ndërkohë mund të tërheqë në konflikt SHBA. Kjo sipas presidentit amerikan Donald Trump do të shqyrtohet pasi ai të diskutojë me liderët e arabisë saudite.

“President i SHBA… Sulmi ndaj Arabisë Saudite është i tmerrshëm, ajo që ndodhi është e papranueshme. Kemi komunikime me Huthitë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Do të flas me Mohammed bin Salman”, tha Trump.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Jemenin, Hans Grundberg, deklaroi se sulmi ndaj aeroportit të Riadit përbën një përshkallëzim serioz” të konfliktit, duke drejtuar gishtin nga Huthët e mbështetur nga Irani

Veprime të tilla përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale, nxisin cikle dhune dhe i ndërlikojnë edhe më tej përpjekjet për paqe në Jemen”, deklaroi Grundberg në një njoftim, duke u bërë thirrje Huthive që t’u japin fund sulmeve kundër objektivave civile në Arabinë Saudite.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:35
Zyrtari i lartë i Iranit: SHBA-të kanë pranuar disa nga kushtet tona për armëpushimin 7-ditor dhe për hapjen e Ngushticës së Hormuzit

1791093833_ngushticaehormuzit.JPG

Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, tha se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar disa nga kushtet e vendit për t'i dhënë fund luftës dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht refuzimit publik të propozimit nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.

"Amerikanët na janë përgjigjur tashmë; në përgjigjen e tyre, ata pranuan disa nga kushtet tona, ndërsa të tjerat mbeten të paqarta", tha Rezaei, sipas agjencisë së lajmeve ISNA.

Irani i kishte paraqitur Shteteve të Bashkuara një propozim të quajtur "plani shtatëditor për të ndërprerë armiqësitë dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit" në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Trump e hodhi poshtë planin, duke e konsideruar atë "të papranueshëm". Megjithatë, sipas Rezaei, Uashingtoni pranoi disa pika të propozimit, megjithëse jo të gjitha, duke e bërë atë të konsideronte përgjigjen e SHBA-së "të pamjaftueshme". "Ata duhet të sqarojnë çështjet që mbeten të paqarta për ne", tha zyrtari iranian. Propozimi iranian kërkonte, ndër masa të tjera, një armëpushim shtatëditor në të gjithë Lindjen e Mesme, heqjen e bllokadës detare amerikane kundër Iranit, heqjen e sanksioneve mbi naftën iraniane dhe lirimin e aseteve të ngrira iraniane.

Në këmbim, Irani do të pranonte të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe në ditën e shtatë, Teherani dhe Uashingtoni do të rifillonin negociatat për një marrëveshje përfundimtare, e cila do të përfshinte edhe programin bërthamor të Iranit. Teherani deklaroi në fund të shtatorit se kishte marrë një përgjigje nga SHBA-ja për planin e tij dhe këtë javë njoftoi se do të përgjigjej nga ana e tij "brenda disa ditësh".

Ora 13:36
Tentoi të thyente bllokadën ndaj Iranit, momenti kur avioni amerikan godet anijen e mallrave në Gjirin e Omanit (VIDEO)

Një video e publikuar nga Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tregon momentin kur një avion ushtarak amerikan godet një anije mallrash në Gjirin e Omanit.

Sipas ushtrisë amerikane, në shënjestër u vu anija M/V Ocean Molica, e njohur edhe si "Arika Sun", me flamur panamez. SHBA pretendon se ekuipazhi kishte shpërfillur disa paralajmërime dhe po përpiqej të thyente bllokadën detare ndaj Iranit.

Goditja u krye me precizion në pjesën e pasme të anijes ndërkohë që ekuipazhi nuk pësoi lëndime.

Autoritetet amerikane thonë se anija kishte dalë më herët nga një port iranian. Po sipas tyre, që prej rifillimit të bllokadës më 14 korrik, katër anije tregtare janë nxjerrë jashtë funksionit dhe 135 të tjera janë detyruar të kthehen pas.

Pamjet e publikuara tregojnë momentin e goditjes nga ajri dhe dëmtimin e anijes, ndërsa SHBA vijon të zbatojë bllokadën detare ndaj porteve iraniane.