KUKËS-Gjykata ka caktuar masën e sigurisë 'arrest shtëpie' për katër personat e arrestuar katër ditë më parë për sulmin mbi KZAZ-në numër 11. Ahmet Cahani 46 vjeç, shofer ne Bashkine e Kukesit, Ermal Haziri 42 vjeç, po shofer ne Bashkine e Kukesit, Ersi Biçaku 26 vjeç, inspektor i policisë Bashkiake dhe Ervin Meshi, 35 vjeç, militant i PD-së tashmë do të hetohen në arrest shtëpie.

Ata u arrestuan pasi sulmuan KZAZ-në te gjimnazi  'Hazi Nela', ku në bashkëpunim me njeri tjetrin shkatërruan derën e palestrës dhe i vunë zjarrin në oborr, ndërsa kundërshtuan policinë. Tre punonjësit dhe militanti opozitar dolën sot para gjykatës, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë për t'i lënë në arrest shtëpie. Dje u shoqërua edhe Lulëzim Shehu punëtor gjelbërimi në bashkinë Kukës.

Ndërsa janë shpallur në kërkim 6 pjesëmarrës të tjerë dhe 4 janë proceduar në gjendje të lirë. Në momentin që po jepej masa e sigurisë, jashtë gjykatës ishin mbledhur drejtues të PD-së dhe militantë duke kërkuar lirimin e tyre me thirrjet 'Rama ik', pasi arrestimin e cilësuan si politik. Gjykata e qytetit të Shkodrës dje caktoi masën e sigurisë 'arrest shtëpie' për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, lidhur me sulmin në shkollën "Shejnaze Juka", e shndërruar në KZAZ. 

    Rendit zhvillimet sipas orarit:
    Ora 15:57
    Sulmuan KZAZ-në e Kavajës/ Burg për dy protestuesit e PD-së, 2 punonjësit e bashkisë 'detyrim paraqitje'

    Gjykata e Kavajës ka lënë në burg dy persona, të cilët janë identifikuar për sulmet e bëra ndaj KZAZ-së numër 42. Në burg janë lënë Arben Xhihanin dhe Ervin Bakllin, mbështetës të PD-së. Ndërkohë, është caktuar masa e sigurisë "detyrim paraqitje" për 4 të arrestuarit e tjerë, dy prej tyre punonjës bashkie.

    Ora 12:44
    Kryetari i PD-së Kukës: Rama kufomë, do të varroset para 30 Qershorit


    Kryetari i degës së PD-së në Kukës, Atif Rexhmati ka qenë mjaft i ashpër me kryeministrin Edi Rama, ndërsa vendimin për punonjësit që u arrestuan dhe sot u lanë në arrest shtëpie e cilësoi haptazi politik.

    "Kriminelët lihen jashtë dhe punonjësit e anëtarët e PD-së futen brenda. Sot ishte dënimi me arrest shtëpie, një hap më shumë që Rama në ikje e sipër po përdor të gjitha metodat duke urdhëruar prokurorinë të japë pretenca pa asnjë provë.

    Është haptazi vendim politik, avokati do e ankimojë. I bëjmë thirrje policisë, strukturave që e duan shtetin të mos bëhen vegël e Edi Ramës, të mos lejojnë të mbajnë akoma të gjallë një kufomë tashmë të vdekur, e cila do të varroset përfundimisht javën para se të shkojë në datë 30 qershor" deklaroi ai.

    Ora 11:52
    Sulmuan KZAZ-në në Kukës, punonjësit e bashkisë dalin me dy gishtat lart, nga qelia në arrest shtëpie (VIDEO)

    Gjykata e Kukësit ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke lënë në arrest shtëpie katër të arrestuarit. Ahmet Cahani 46 vjeç, shofer ne Bashkine e Kukesit, Ermal Haziri 42 vjeç, shofer ne Bashkine e Kukesit, Ersi Biçaku 26 vjeç, inspektor i policisë Bashkiake dhe Ervin Meshi, 35 vjeç, militant i PD-së tani do të hetohen në masën e sigurisë arrest shtëpie pas sulmeve mbi KZAZ-në.

    Ora 10:07
    Punonjësit e bashkisë futen në gjykatë, familjarët: Rama ik! Militantët: Do dilni, mos e vrisni mendjen (VIDEO)

    Në orën 10:00 kanë mbërritur në ambientet e gjykatës së Kukësit katër personat e arrestuar, mes tyre tre punonjës të bashkisë dhe një militant opozitar. Jashtë gjykatës ndodhen familjarët e të arrestuarve që nuk i kanë ndaluar thirrjet 'Rama ik', ndërsa edhe militantët e PD-së me në krye kryebashkiakun Bashkim Shehu janë në mbështetje të të arrestuarve. Në momentin që të arrestuarit zbritën nga makina e policisë për të hyrë në gjykatë, militantët e opozitës dëgjohen duke u dhënë mbështetje 'mos e vrisni mendjen, do të dilni'.

    Ora 10:03
    Arrestimet për sulmet ndaj KZAZ-ve, Bashkim Shehu: Rama kërkon të damkosë Kukësin (VIDEO)

    Kryetari i Bashkisë Kukes Bashkim Shehu, ka reaguar për arrestimin e qytetareve dhe punonjësve të Bashkise, që sot kane dale para gjykates. "Orë pas ore kryeministri Rama po shton presionin e paligjshmërisë që nxit qytetarët për reagime të forta në Kukës. Me çdo kusht kërkon ta damkosë Kukësin, pasi kuksianët i janë bërë pengesë dhunës e antishtetit të tij.

    Në territorin e Bashkisë Kukes janë arrestuar nga policia Ersi Biçaku polic bashkiak, Ahmet Cahani dhe Ermal Haziri shoferë sherbimesh, Lulëzim Shehu punëtor gjelbërimi, Ervin Meshi banor i Kukësit.

    Qeveria nuk duhet të ndërsejë as policinë e as organet e drejtësisë kundër kuksianëve, pasi qeveria ikën e ndërrohet shpejt një ditë, por kuksianët do të mbeten këtu ku janë, qofshin protestues, qofshin policë, gjyqtarë apo prokurorë. Nëse qeveria mendon ta djegë me gaz e napal vendin dhe të ngrohë duart e saj në atë flakë, sigurisht që në Kukës ajo do të digjet në zjarrin që po ndez vetë.

    Kukësin mjaft e kanë djegë qeveritë e huaja, nuk e toleron të digjet nga qeveria shqiptare. Sa ishte në fuqi Dekreti i Presidentit, Bashkia Kukës po bashkëpunonte korrekt me qeverinë dhe institucionet e saj për zgjedhjet. Tani që nuk ka datë zgjedhjesh, të cilën e cakton vetëm Presidenti në bazë të Kushtetutës, Bashkia e Kukësit nuk mundet të bëjë shkelje ligjore e të përfshihet në një proces zgjedhor të paligjshëm dhe nul.

    Në Shqipërinë pluraliste pushtetet janë të ndara dhe Bashkia e Kukësit nuk bëhet dot palë me qeverinë Rama që synon ta fshijë e ta zhbëje pushtetin kushtetues të Presidentit të vendit, i cili është i vetmi institucion që Kushtetuta i jep tagrin të caktojë daten e zgjedhjeve.

    Në zbatim të Dekretit presidencial, Bashkia e Kukësit nuk mund të lejojë që të ketë votime të paligjshme si në kohën e diktaturës kur votohej 99/99 %, por nuk kishte zgjedhje se nuk kishte rivalë. Dekretet e Presidentit të cilat ne i zbatojmë, nuk janë lënë të gjykohen nga qeveria e as nga institucione periferike të saj.

    Dekreti i Presidentit që thotë se nuk ka zgjedhje me datën 30 qershor 2019 do të zbatohet rigorozisht nga Bashkia Kukës, në gjithë territorin e Bashkisë dhe jo vetëm në objektet në pronësi të Bashkisë.

    Nëse qeveria ka ndonjë paqartësi për këtë, ta cojë ceshtjen në Gjykatë Kushtetuese, pasi qeveria dhe asnjë institucion vartës i saj nuk është Gjykatë Kushtetuese" shkruan ai.