FT/ Vllaznia 1-2 Valur (90’+1′ Doçi/ 23′ Agustsdotir, 81′ Bjorgvinsdotir)
Vllaznia e femrave në futboll është eliminuar nga Champions League. Vajzat e Haris Likës humbën 1-2 kundër Valurit të Islandës në “Loro Boriçi”, duke mos shkuar në fazën play-off të këtij kompeticioni.
Mikeshat nga ishulli u treguan më të sakta, duke shënuar me Agustsdotir në të 23 minutë. Në pjesën e dytë ishte Gresa Berisha që goditi traun e portës nga 40 metra, por pa mundur të barazojë ndeshjen.
Në të 81 minutë Bjorgvinsdotir për Valur shënoi për 0-2, duke zbehur shanset për shkodranet. Vllaznia u kujtua vonë, duke shënuar një supergol nga jashtë zone me Megi Doçin, që në fund shërbeu sa për statistika.
Humbja nuk pritej në Shkodër, me vajzat kuqeblu që këtë sezon nuk mundën të bënin arritjen e një viti më parë, kur ishin në grupet e Champions League. Kujtojmë se për dhjetë vite radhazi Vllaznia e femrave është kampione e kampionatit dhe Kupës në Shqipëri.