Barcelona e cila ka bërë një merkato të bujshme i ka nisur me humbje ndeshjet miqësore të vlefshme për përgatitjet e sezonit të ri. Skuadra katalanase është mposhtur me shifrat 2-1 nga Chelsea në ndeshjen e zhvilluar në Japoni.
Takimi u zhbllokua në minutën e 34 nga Abraham i cili përfitoi nga një gabim i mesfushorit Sergio Busquets. Më tej në pjesën e parë nuk do të kishte më ndryshime, ndërsa në fillimin e së dytës trajneri Valverde ndërroi të gjithë ekipin, duke filluar nga porta e deri në majë të sulmit.
Me interes u panë dy blerjet Griezmann dhe De Jong, të cilët nuk arritën të linin gjurmë. Ndërkohë në minutën e 81 Barkley shënoi golin e dytë për Chelsea-n me një të majtë nga jashtë zone. Pak para fundit të sfidës Rakitic shkurtoi shifrat, me supergol nga jashtë zone, i cili gjithsesi vlejti sa për statistikë.
Një fitore për Chelsea-n që vjen pas disfatës në ndeshjen e parë ndaj ekipit të Frontale.