Superioria jep verdiktet, në Vlorë
luhet titulli Flamurtari-Skënderbeu

Superioria jep verdiktet, në Vlorë<br />luhet titulli Flamurtari-Skënderbeu
Si rrallë herë në historinë e kampionatit shqiptar java e fundit e Kategorisë Superiore do të jetë vendimtare për të gjitha verdiktet nga kreu deri tek rënia. Asgjë nuk është siguruar dhe gjithçka është në lojë. Ka të favorizuar disi, ka nga ata që mbajnë fatet e tyre në dorë, ashtu si dhe nga ata që veçse duhet të marrin vetë maksimumin duhet të presin edhe nga të tjerët. Përballjet Flamurtari-Skënderbeu dhe Partizani-Teuta janë ato që tërheqin më shumë vëmendjen pasi aty luhet titulli. Korçarët kryesojnë me 2 pikë nga Partizani dhe e kanë vetën fatin e tyre në dorë, pasi nëse fitojnë në Vlorë fitojnë titullin e 6-të radhazi. Por nëse Partizani fiton ndaj Teutës, Skënderbeu duhet medoemos të fitojë sepse në barazimi nuk i bën punë. Në këtë rast dy kryesuesit do të jenë me nga 77 pikë por titulli do t’i kalonte Partizanit, pasi sipas rregullores llogariten pikët në ndeshjet direkte midis skuadrave ku të kuqtë kanë epërsi. Partizani ka fituar 2 ndeshje, 1 e ka fituar Skënderbeu dhe 1 ka dalë barazim.

Flamurtari-Skënderbeu
Java 36 e Kategorisë Superiore sjell në skenë sfidën Flamurtari – Skënderbeu që për disa sezone u etiketua si derbi i Shqipërisë për faktin se skuadrat duelonin për titullin kampion. Tani në këtë javë të fundit të kmapionatit sërish kjo ndeshje është shumë decizive, pasi nga ky duel varet fati i kampiones së vendit. Flamurtari vjen me mbijetesën pothuajse të siguruar pas barazimit në Ballsh, por një kombinim i rrallë rezultatesh nuk i jep matematikisht të drejtën e festës. Vlonjatët vijnë në një ndeshje kaq të rëndësishme me mungesa, sidomos në mbrojtje.

Dyshja Pashaj-Lacoste nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Ramadani për arsye pezullimi ndërsa në dyshim është edhe Debatik Curri. Gjithashtu në pikëpyetje është edhe rikthimi i kapitenit Bruno Telushi që është ende i dëmtuar. Situata nuk është më e mirë edhe tek Skënderbeu. Trajneri Mirel Josa duhet të ndryshojë qendrën e mbrojtjes, pasi Radas është i dëmtuar ndërsa Osmani i pezulluar. Gjithashtu kampionët kanë edhe një mungesë tjetër mjaft të rëndësishme, është ajo e goleadorit Hamdi Salihi. Nga ana statistikore Flamurtari është i avantazhuar. Në 17 ndeshjet e fundit të luajtura mes kupës dhe kampionatit midis këtyre dy skuadrave në Vlorë, janë regjistruar 12 fitore të Flamurtarit, 4 barazime dhe vetëm 1 fitore e Skënderbeut, ajo 0-1 e javës së 26 të edicionit të kaluar.

Edhe ecuria e fundit në kampionat është e mirë për kuqezinjtë që kanë marë dy fitore dhe një barazim në 3 takimet e fundit. Megjithatë përpara publikut të vetë, vlonjatët në 6 takimet e fundit kanë vetëm 1 fitore, atë ndaj Tiranës, 3 barazime dhe 2 humbje. Kampionët humbën terren në garën për titull pikërisht në dy sfidat e fundit, kur barazuan në Durrës me Teutën dhe u mundën në shtëpi nga Partizani në duelin direkt për titull. Në 4 transfertat e fundit në kampionat korçarët njohin vetëm 1 fitore atë ndaj Tiranës, dy barazime si dhe humbjen në Kukës.

Partizani-Teuta
Partizani pret Teutën në “Qemal Stafa”, që mund të jetë e fundit për këtë impiant që pritet të rindërtohet. Lamtumira e mitikut të futbollit shqiptar pritet të bëhet me një ndeshje të rëndësishme, jo vetëm për nga emrat, por edhe nga objektivat që janë në lojë. Partizani pritës synon titullin kampion dhe me mendjen në Vlorë do të presë Teutën që kërkon Europën. Por përpara se të presi dhuratën e shumëkërkuar nga larg, Partizani në fillim duhet të marrë fitoren ndaj durrsakëve. Trajneri Agostinelli duhet të bëjë llogaritë me mungesat e shumta, pasi nuk luajnë për arsye pezullimi Atanda, Kalari dhe Trashi, 3 futbollistë të formacionit. Gjithashtu në pikëpyetje janë argjentinasi Torrasa dhe Sukaj të cilët kanë shfaqur probleme fizike në seancat e fundit stërvitore.

Në krahun tjetër për Gugash Maganin e vetmja mungesë pritet të jetë ajo e serbit Slavko Lukic që mbylli sezonin pas kartonit të verdhë të marrë ndaj Lacit fundjavën e kaluar. Ajo që bie në sy në 4 përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave është se ka fituar gjithmonë skuadra mike, në 3 raste Partizani dhe një herë Teuta. Në 20 sfidat e fundit të luajtura me Partizanin si skuadër pritëse janë regjistruar 12 fitore, 6 barazime dhe 2 fitore për Teutën.

3 sfidat e tjera
Në “Zeqir Ymeri”, Kukësi kërkon të konfirmojë vendin e 3 në kampionat, dhe përballë Tiranës kërkon suksesin që do t’i jepte moralin e duhur për të luajtur më pas edhe finalen e Kupës ndaj Laçit. Trajneri Klodian Duro nuk ka në dispozicion dy qendërmbrojtësit Renato Malota dhe Ylli Shameti si dhe brazilianin Erick Flores. Në “Reshit Rusi” të Shkodrës, Vllaznia pasi siguroi mbijetesën objektiv të vetëm ka të mbajë vendin e 6-të. Bylis, pavarësisht se matematika e mban ende në lojë, udhëton i dorëzuar dhe pa trajnerin Zildzovic, që mësohet të jetë larguar drejt vendit të tij. Barazimi pa gola ndaj Flamurtarit fundjavën e kaluar ka goditur psikologjikisht mallakastriotët që duhet të rinisen nga Kategoria e Parë sezonin e ardhshëm. Në Lac është e ndaluar të gabojnë, pasi në të kundërt mund të jenë pikërisht kurbinasit që do të shoqëronin Tërbunin një kategori më poshtë. Kjo sepse po fitoi Bylisi në Shkodër dhe Laçi humbet me Tërbunin barazohen me pikë dhe kurbinasit janë iferiorë në përballjjet direkte.



Redaksia online
A.N/ Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Mziu e shtyu, reagon Milva Ekonomi: E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës, dhuna po kalon çdo kufi, dëmton Shqipërinë!

Mziu e shtyu, reagon Milva Ekonomi: E keqardhur për nivelin ku kanë degraduar kolegët e opozitës, dhuna po kalon çdo kufi, dëmton Shqipërinë!