Superkupa e Europës, nuk
përzgjidhet “Arena Kombëtare”

Superkupa e Europës, nuk<br />përzgjidhet “Arena Kombëtare”
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, pas relacionit nga komisioni përkatës Ad-Hoc ka vendosur që të zgjedhë dhe të shpallë fitues stadiumin “Vodafone Arena” të klubit të Beshiktashit, për të zhvilluar finalen e Superkupës Europiane të edicionit 2018-2019. Në këtë mënyrë kandidatura e Shqipërisë me projektin në zbatim e sipër të “Arenës Kombëtare”, së bashku me 5 impiantet e tjera të nominuara për zhvillimin e kësaj finaleje nuk janë shpallur fituese.

Pavarësisht se FSHF, ishte koshiente dhe vendosi të hyjë në këtë garë si e vetmja Federatë e cila shpalli kandidaturën e saj me një projekt, dhe jo me një impiant të përfunduar, sërish alternativa e “Arenës Kombëtare” u mirëprit dhe u vlerësua për vetë seriozitetin e saj, në të gjithë dosjen voluminoze të dokumentacionit të kërkuar.

Pas marrjes së vendimit, presidenti i FSHF-së, Armand Duka deklaroi: “Komiteti Ekzekutiv gjykoi të arësyeshme dhe vendosi që Finalja e Superkupës së Europës e vitit 2019 të luhet në impiantin “Vodafone Arena” të Beshiktashit. Përtej dëshirës së madhe për ta marrë ne si FSHF këtë të drejtë, sidoqoftë, e kam thënë edhe më parë që ishim koshientë për vetë faktin se hymë në këtë garë me një projekt shumë ambicioz, dhe jo me një impiant të përfunduar dhe në funksion e sipër, si federatat e tjera kandidate.

FSHF plotësoi me rigorozitet të gjithë dosjen e kërkuar, në të gjitha etapat dhe pikat e kërkuara. Sidoqoftë, nuk mund të them që kam keqardhje, pasi shumë shpejt përfundojmë stadiumin tonë “Arena Kombëtare” me parametra të shkëlqyer dhe do të kthehemi sërish në garë për të sjellë në Tiranë dhe në Shqipëri, vitrinën e futbollit europian”,- theksoi Presidenti i FSHF-së.

Hyrja në këtë garë me një projekt, por shumë shpejt me një impiant modern dhe bashkekohor shton akomë më shumë pritshmëritë dhe ambiciet që FSHF të jetë sërish një kandidaturë e fortë në një të ardhme të afërme. Ky hap me këtë kandidaturë të parë është vlerësuar maksimalisht dhe mbetet një “bonus” pozitiv për të tentuar përsëri marrjen përsipër të organizimit të eventeve europiane të futbollit.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?



×

Lajmi i fundit

Bashkimi Evropian ndalon katër media ruse

Bashkimi Evropian ndalon katër media ruse