Superliga shqiptare e futbollit është në përgatitje të raundit të tetë. Në program janë pesë sfida të ndara në dy ditë, me kreun që mund të ndryshojë. Të premte në orën 14:00 luhet Vora - Dinamo. Ekipi i Ilir Dajës ka vetëm një pikë më shumë dhe vorakët e Ballait janë surpriza e bukur e sezonit.
Në orën 17:00 janë programuar dy duele të tjera. Në "Elbasan Arena" vendasit e AF Elbasanit do përballen me Bylisin, teksa dy skuadrat vijnë nga humbjet respektive gjatë fundjavës së shkuar. Po në 17:00 në "Loro Boriçi" luhet Vllaznia - Tirana, një sfidë me peshë dhe e pagëzuar nga tifozët si 'Klasikja' e futbollit shqiptar.
Dy ndeshjet e tjera do marrin jetë të shtunën duke nisur nga ora 17:00. Partizani, pas fitores 0-1 në Vlorë kërkon një tjetër sukses, këtë herë kundër kampionëve në fuqi të Egnatias. Dueli zhvillohet në "Arenën e Demave". Po në 17:00 në "Niko Dovana" luhet takimi mes Teutës dhe Flamurtarit.
Superliga, raundi i tetë:
E premte, 24 tetor
14:00 Vora - Dinamo
17:00 Vllaznia - Tirana
17:00 AF Elbasani - Bylis
E shtunë, 25 tetor
17:00 Partizani - Egnatia
17:00 Teuta - Flamurtari
Renditja:
Katër gola ka shënuar Bekim Balaj në gjashtë takimet e luajtura këtë sezon në Superligë. Kapiteni i Vllaznisë foli para sfidës kundër Tiranës, e cila luhet të premten në orën 17:00 në 'Loro Boriçi' dhe vlen për raundin e tetë në Superligë.
Balaj, ish-sulmuesi i Tiranës në sezonin 2011-12, ka folur me respekt maksimal për bardheblutë, por kërkon t'i mposhtë në fushë nesër.
"Është një ndeshje që pritet me interes, duke parë edhe historinë dhe përballjet mes dy skuadrave ndër vite. Jemi në vend të parë dhe një fitore na duhet për vazhdimësinë. Na duhen tifozët në stadium dhe një fitore.
Keni luajtur me Tiranën...
Po, ne jemi profesionistë. Kam kaluar një periudhë shumë të mirë te Tirana që më ka shërbyer për të lëvizur jashtë Shqipërisë. Kam respekt maksimal. Sot jam kapiteni i Vllaznisë dhe dua të motivoj dhe të shtyj ekipin drejt një fitore të madhe që do na shërbente shumë.
Vllaznia ekipi për t'u mundur?
Është herët për ta thënë, por jemi me meritë në vendin e parë dhe na shërben që të vijojmë më këtë ritëm.
Ndeshja me Tiranën vitet e fundit është shoqëruar me incidente...
Masat do merren, nuk është se mendojmë për atë pjesë. Sa më pak tensione, aq më pak spektakël në tribuna dhe në fushë. Rivaliteti mes dy ekipeve është ndër vite, e mbaj mend që fëmijë festonim me shumë entuziazëm fitoren kundër Tiranës. Në këtë moment na vlejnë pikët.
Është kjo Vllaznia më e mirë që pas rikthimit tuaj në Shkodër?
Realisht kemi një ekip të mirë. Duke parë lojtarët dhe konkurrencën në ekip, jemi mirë. Por këtë do e tregojnë rezultatet. Edhe vjet shkuam në finale, por nuk e morëm trofeun. Sezoni sapo ka nisur, kemi kohë të tregojmë se çfarë do bëjmë", tha Bekim Balaj mes të tjerash.
Një fitore, gjashtë pikë dhe vendi i parafundit në klasifikimi. Kjo është KF Tirana e shtatë raundeve të para të këtij sezoni në Superligë. Paçka nisjes jo të mirë, trajneri italian Roberto Bordin është i lumtur për rritjen që ka pasur ekipi në dy javët e fundit.
Nesër në orën 17:00 në "Loro Boriçi" luhet sfida mes Vllaznisë dhe Tiranës, e cilësuar si 'Klasikja' e futbollit shqiptar. Veç peshës që mbart takimi, te Tirana kërkojnë vazhdimësinë, por përballë është ekipi kryesues i renditjes.
“Jemi përgatitur shumë mirë, sigurisht kemi një ndeshje me ekipin e parë në klasifikim dhe do të jetë një ndeshje e vështirë, do të jetë ndeshje në shtëpi për ta dhe ka rëndësinë e saj edhe kundër të parëve në klasifikim, por kemi marrë një fitore dhe barazim dy ndeshjet e fundit dhe do të tentojmë të bëjmë një performancë shumë të mirë.
Duke parë performancën e ndeshjes së fundit janë pak mendime personale, por mendoj që morëm një barazim kundër një skuadre shumë të fortë si Teuta, sigurisht Vllaznia është një ekip i fortë përderisa është edhe në vend të parë, do ta shikojmë tani se çfarë do të ndodh, ne sigurisht do të bëjmë maksimumin tonë për të marrë një rezultat sa më të mirë.
Nuk me shqetëson fakti që nuk krijuam një rast me Teutën pasi ishte një ndeshje shumë e vështirë kundër një skuadre të fortë që kishte një posedim të topit, çdo ndeshje duhet të vlerësohet për atë që është, siç e thashë edhe pas Teutës.
Kundër Partizanit nuk patëm lojtarët më të mirë të botës, edhe pas asaj ndeshje ishim më të dobëtit, ishin komplet dy ndeshje të ndryshme nga njëra-tjetra duhet të përmirësohemi dhe të jemi të gatshëm të përballemi me Vllazninë. Sigurisht kjo është skuadra ime dhe jam i lumtur për përmirësimin që kanë shfaqur. Kam ardhur në një situatë të vështirë që të gjithë e dini, mundohemi dhe punojmë çdo ditë për ta çuar Tiranën lart në renditje.
Edhe kritikat i japin një moral të lartë skuadrës, jemi kundër të gjithëve, mundohemi të shkojmë përpara. Përveç Rafës të gjithë të tjerët janë të gatshëm. Presioni është gjithmonë prezent nuk është ndonjë gjë e re, nuk duhet të ndryshojmë sjellje, duhet të marrim më të mirën e çdo gjëjë për t'u përmirësuar”, tha Bordin.
Komente











