Superliga, spektakël pa fitues
Tirana- Skënderbeu mbyllet 2-2

Superliga, spektakël pa fitues<br />Tirana- Skënderbeu mbyllet 2-2
Gola spektakolarë, penallti dhe emocione të shumta. Të gjitha këto i dhuroi ndeshja e parë e javës së 25-të të Superligës mes Tiranës dhe Skënderbeut e mbyllur në barazim 2-2.

Bardheblutë e Mirel Josës kalojnë të parët në avantazh në “Selman Stërmasi” dhe ai që tund rrjetën pas vetëm tre minutash është Ede. Kampionët në fuqi reagojnë dhe shumë shpejt do të barazojnë. I riu Cake pengon kosovarin Latifi në zonë dhe për gjyqtarin Jorgji ka penallti. Nga njëmbëdhjetë metrat Hamdi Salihi nuk gabon duke barazuar.

Të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë dhe shohin drejt portave kundërshtare por vendasit e mbyllin pjesën e parë në avantazh. Në minutën e 42-të Erjon Hoxhallari lëshon një silurë nga goditja e dënimit dhe mposht Shehin. 2-1 për Tiranën. Gjithsesi skuadra e Ilir Dajës nuk dorëzohet dhe në pjesën e dytë baraspeshën e sjell Salihi.

Sulmuesi shkodran firmos dygolëshin personal duke e shtyre me kokë topin në rrjetë. Deri në fund korçarët provojnë ta fitojnë takimin por nuk ia arrijnë. Tirana-Skënderbeu mbyllet 2-2, rezultat që shkon në favor të Kukësit e Partizanit.

Megjithatë në pritje të dy ndeshjeve të së shtunës Partizani-Flamurtari dhe Kukësi-Korabi, Skënderbeu merr kryesimin.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin