Të dielën do të luhet java e 11 e Superligës e cila mbi të tjera rezervon dy supersfida si Partizani-Kukësi, por edhe Teuta-Tirana. Në Elbasan Arena ‘demat’ e Ilir Dajës do të presin Kukësin, ekipin e drejtuar nga Skënder Gega, një ish që e shpalli Partizanin kampion pas 26 vitesh. Në prag të sfidës Agim Ibrahimi, numri 10 i ekipit të Kukësit është shprehur:
Agim Ibrahimi, futbollist i Kukësit: “Mendoj se Partizani ka një ekip mjaft cilësor. Duhet patur kujdes sepse e njohim kundërshtarin. Mirëpo dihet që në synojmë tre pikët. Duhen zbatuar ato detyra që na jap profesori dhe mendoj se do ia arrijmë qëllimit të fitojmë tre pikët.”
Sakaq në Durrës Teuta, skuadra që 2 ndeshjet e fundit ka 2 fitore, do të presë Tiranën, ekipin kampion në fuqi që këtë sezon nuk po performon brenda pritshmërive.
Nevil Dede, trajner i Tiranës: “Kemi përballje të fortë me Teutën. Në Durrës do shkojmë mbi të gjitha për të përjetuar cilësinë dhe aftësinë e skuadrës tonë. Të shohim talentet tona. Kemi shumë të rinj dhe në këtë situatë jemi gjithmonë befasues.”
Idriz Batha, futbollist i Tiranës: “Është ndeshje e vështirë sigurisht. Mendoj se është ndeshja më e vështirë në një moment të vështirë. Do të jetë një luftë sportive, pasi Teuta për mendimin tim ka skuadrën më të fortë të Superligës. Kjo përballje gjithmonë ka qenë emocionuese si për tifozët ashtu edhe për futbollistët pasi është si tip derbi dhe mendoj se do japim maksimumin për ta fituar ndeshjen.”
Në Shkodër Vllaznia e vendit të parë do të presë Skënderbeun, skuadrën që renditet e parafundit në renditje.
Ardit Hoxhaj, futbollist i Vllaznisë: “Ne si çdo ndeshje do futemi për ta fituar, por nuk mund të themi se është një skuadër e lehtë, pasi kam parë edhe ndeshjen që ka zhvilluar me Tiranën dhe kanë dalë barazim. Skënderbeu ka patur shumë raste dhe Tirana nuk është ekip i lehtë. Mendoj se në këtë kampionat nuk ka skuadra të lehta.”
Dy ndeshjet e tjera të kësaj jave janë Apolonia-Bylis dhe Kastrioti-Laçi.