Suplementi "Rilindasi"/ Nexhmedin
  Zajmi rrefen sekretet e pikturës

Suplementi   Zajmi rrefen sekretet e pikturës">
TIRANË - Një student i sapo diplomuar në Akademinë e Romës të fillim nëntorit 1944, me një anije të UNRA-s zbriti në Portin e Durrësit. Ishte i vetëm dhe atë ditë binte shi. Askush nuk e priste. Fshati i tij, në Trebinjën e largët në Dibër, i dukej edhe më i largët. I vogël kishte zbritur në Tiranë, ku e lidhnin shumë kujtime. Në kryeqytet kishte mbaruar shkollën Teknike dhe atë të Vizatimit, e më pas katër vite të gjata kishte studiuar për pikturë në Akademinë e Romës.

Ishte piktori Nexhmedin Zajmi. Në krahë kishte kavaletin, kasetën e ngjyrave dhe një valixhe të vogël me tesha. Një pyetje i rëndonte, vallë çfarë e priste në Atdheun e tij ? Por nuk hamendëson, nuk ndihet në udhëkryq të jetës. Sapo vuri këmbë në tokën shqiptare, ndjeu erën e barutit, krismat e pushkëve dhe një lëvizje e madhe e njerëzve. Rrugëve që ende nxirrnin tym, endeshin partizanë e robër lufte. Shqipëria dilte nga gërmadhat e Luftës së Dytë Botërore. Kishte lenë një vend në luftë e gjente vendin e tij të tillë. Ndonëse për sytë pamja ishte e rëndë, ndihej një entuziazëm i madh. Brigadat partizane po grumbulloheshin për të shkuar në ndihmë të çlirimit të popujve të Jugosllavisë. Djaloshi i ri shënon emrin vullnetar, por i thanë që ishte më i vlefshëm në vend.

Jeton në Tiranë, larg familjes, pa punë e pa të ardhura. Endej rrugëve të kryeqytetit dhe në mendje i silleshin vitet e femijërisë, miqtë e shokët e dikurshëm, Foto Stamo, Qamil Grezda, Sadik Kaceli, Bukurosh Sejdini, Kel Kodheli, Hasn Reçi etj., mësuesit Andrea Kushi, Odise Paskali, Abdurrahim Buza e Lasgush Poradeci... kujtime të bukura kur në ditët e ftohta të dimrit në dhomat e Shkollës së Vizatimit do të hidhnin hapat e para në pikturë. Disa prej miqve e shokëve kishin marrë poste në pushtetin e ri. Ai nuk kishte luftuar. Kishte mbaruar Akademinë dhe donte të punonte. Puna ishte piktura.

Pranë Pazarit të Ri ishte një Mencë Popullore, ku i kishte bërë përshtypje një grua e re, e shkathët matjane, gjellbërëse. Shpesh aty artisti i ri do të hante ndonjë pjatë supë të ngrohtë. Një ditë pasi hëngri diçka, përgatiti telajon, nxori kasetën e ngjyrave dhe me penelat në duar nxitoi ta skiconte. Punonte shpejt nën vështrimet kureshtare të të pranishmeve dhe të vetë gjellëbërëses. Kishte hedhur në tablo veprën e parë, pas kthimit në atdhe. Gjellëbërësen nuk e bëri se nuk gjente personazhe të tjerë më joshës, por njeriu i thjeshtë dhe i punës do të jetë personazhi kryesor dhe pothuaj i vetëm i gjithë krijimtarisë së tij. Këtë mësim kishte marrë në Tiranë dhe po të njëjtin mësim mori edhe në Akademinë e Romës.

“Një herë, tregonte Zajmi, profesori i pikturës Carlo Saviero, na tha të dilnim rrethinave të Romës për të pikturuar. Ato janë të bukura, peisazhe të mrekullueshëm. Studentët u shpërndanë fushave e kodrave, kush e kush të gjente vendin më të bukur. Hapën kavaletet dhe zunë menjëherë të pikturonin.
Kisha disa vite i larguar nga Shqipëria dhemb  kishte marrë malli. Peisazhi i bukur përreth nuk po më tërhiqte. Duke parë fushat e lëndinat, drurët e pemët m’u ndez malli, m’u kujtua shtëpia ime e varfër larg në malësi, prindërit, të afërmit...

Zura të endem dhe befas syri më zuri një shtëpi të braktisur. Shtyva portën e drunjtë dhe u futa brenda. Shtëpi e thjeshtë, si shtëpitë tona në malësi, pa shumë oriendi, me vatër në mes, të nxirë nga tymi i oxhakut, me pak enë të vendosura sipër vatrës. Mbeta te dera. Nxorra shpejt e shpejt penelat nga çanta, hapa kavaletin dhe me paletën në dorë fillova të pikturoj.
Sa e dashur dhe e ngrohtë m’u duk ajo shtëpi fshati, ajo dhomë zjarri, shumë e afërt, si shtëpia ime. Zemra më rrihte me forcë në kraharor nga emocioni. E mbarova punën shpejt.
Jashtë shokët e kursit po vazhdonin të pikturonin, njëri një peisazh më të bukur se tjetri. E mbështolla mirë punën dhe pa ia treguar askujt u largova. Të nesërmen na priste profesori i pikturës për të parë se çfarë kishim pikturuar.

“Besoj se vendi ju ka tërhequr dhe do të keni bërë peisazhe të bukura. Verini këtu në dritë që t’i shikojmë dhe t’i vlerësojmë së bashku !” – tha.
Vunë punët në faqen e studios së madhe, peisazhe punuar me ngjyra të freskëta e tone të larmishëm gjithë dritë. Vetëm unë kisha bërë një brendi fshatare.
Profesori i kaloi tablotë, përgëzonte apo bënte edhe ndonjë vërejtje të vogël. Ishte i kënaqur dhe në buzë i endej një buzëqeshje miratimi. Iu afrua tablosë time dhe mbeti. Buzëqeshja në fytyrë iu shua dhe u vrenjt në fytyrë.

“E kujt është kjo tablo ?” – pyeti thatë, duke hedhur vështrimin rrotull. “E imja Maestro !” – bëra përpara.
“Ashtu ?! Në të gjithë Romën kaq të bukur, nuk gjete më të mirë për të pikturuar, por bëre këtë brendi fshati?!”
“Maestro, – Jam rritur në ato brendi malësore plot tym e pa orendi, bota ime e fëmijërisë dhe megjithëse jam në vendin tuaj të bukur, vendin tim nuk do ta ndërroja me asnjë vend tjetër, as me Romën...!”

Profesori më mori në qafë e duke më përqafuar tha:“Më fal Zajmi. Ke të drejtë. Dëgjo një këshillë: kurrë mos iu ndaj këtyre brendive. Aty është arti yt”.
Më pas do të pikturonte disa brendi malësore, me pak oriendi të thjeshta tronditëse, ku ruhen mbeturina të kultit të vatrës, që kanë të bëjnë me kultin e zjarrit, pra me kultin e të parës së gjinisë, luhej drama e jetës, të trajtuara penelata të kursyera monokrome, me shumë ndjenjë, ku derdhet një emocion të madh. Tek brenditë.

Krijimtaria e artistit shtrihet krejtësisht në epokë dhe në kohë kur arti do të orientohej nga Partia në pushtet dhe për të nuk ka as luhatje dhe as ngurrim në rrugëtimin artistik. Nuk është ulje koke dhe nënshtrim. Piktori “e veshi kostumin e ri” edhe pse nuk i rrinte mirë, e pranoi, kërkoi të krijonte dhe ia doli të lerë gjurmën origjinale në Artin Figurativ Shqiptar. Nuk kërkoi heronj e ngjarje të jashtëzakonshme. U fut në rrjedhën e jetës natyrshëm, si piktor bashkëkohor, pjesëmarrës i gjallë i ndryshimeve, që po pësonte shoqëria dhe njeriu dhe ndërtoi një pikturë rrëfimtare, pasqyruese dhe përgjithësuese.

Zajmi kur ka përpara ngjarjen, apo modelin, largohet nga mendimet e tjera të fantazisë. Një penel larg është objekti dhe realiteti. Gjithçka për t’u zbuluar me domethënie e realizëm. I afrueshëm me njerëzit dhe i pajisur me zgjuarsi, i emëruar “inteligjencë popullore”, fillon një bashkëbisedim të ngrohtë modelin, duke zbuluar ngadalë personazhin e ardhshëm të veprës, njeriun e punës, që lufton e përleshet me jetën. Asnjëherë portretet nuk dalin të përgjumur e në pozime të ftohta. Këtu qëndron kyçi i zbërthimeve të thella psikologjike, bota e gjerë shpirtërore, kur ndodhesh para të tablove të tij.

Realizmi lidhet me mjetet shprehëse dhe në radhë të parë me koloritin dhe formën. Në këta elementë piktori është kërkues, duke mos bërë kurrë lëshime. Koloriti është materializues dhe nuk ka një bazë parapëlqimi. Ai hidhet në telajo pasi është përpunuar e përpunuar në paletë dhe është bërë masë organike në shtjellimin e subjektit.

“Vepra e artit nuk do dekoracion, shprehej Zajmi. Dekoracioni e dëmton pikturën. Dekoracionin mund ta vësh bukur në xham, por jo në tablo. Tabloja do kolor. Kolori është baza e pikturës. Ai duhet të jetë i brendshëm, të jetë gjaku i veprës, i cili e gjallëron dhe i jep jetë. Efekte nuk duhen në pikturë. Ato e dëmtojnë pikturën, i prishin vërtetësinë dhe materializimin. Piktura në bazë të saj ka vertetësinë dhe materializimin. Ajo duhet të jetë e gjallë, e pastër, e plotë në kolor, e kompozuar bukur, e ngritur artistikisht, pra nuk duhet t’i mungojë asnjë nga elementët përbërës të saj”.

Spektri koloristik është pasuruar me tone optimiste të freskëta, ka ruajtur ngrohtësinë dhe karakterin e thellë materializues, kolori vlerësohet gjithmonë drejt i lidhur me strukturën e brendshme si material organik dhe jo si efekt ilustrativ. “Kolori ka një detyrë, është gjaku që lëviz nëpër tablo dhe i jep jetë e gjallëri asaj...”, shprehej. Asnjë penel i hedhur për efekt koloristik e lojë të sipërfaqshme dhe nuk ka raporte tonale, që të qëndrojnë jashtë thelbit të objektit e formës së tij, që bashkë me linjën grafike, shkojnë krah me subjektin që trajton, ngjitur e bërë një me ndjenjën materiale në volum dhe në peshë. Kjo rrugë krijuese nuk e çoi në natyralizëm, por i thelloi shumë materializimin, aq sa peneli e lëvizja në pëlhurën e telajos është pothuajse e padukshme dhe duhet kërkuar që ta gjesh.

Si vlerësonte ngjyrat, hidhej e thoshte, - Të bukura janë ngjyrat, por pa dritë ato nuk janë asgjë. Tabloja po nuk pati dritë, nuk ka pikturë. Ndërsa pa ngjyrë ka pikturë. Ja grafika si rron ? Ajo nuk ka ngjyrë, por ka dritë dhe drita e bën që edhe pse nuk ka ngjyra të jetë e bukur si piktura. Pra koloret nuk janë gjithçka. Duhen edhe komponentë  të tjerë, ndryshe ata mbesin jetim, tabloja nuk bëhet organike, nuk njësohet e të mblidhet në një gjetje artistike”.

Loja e dritë hijes bëhet më e gjallë, peneli vibron më shumë, volumi merr më rëndësi, plastika lëshohet nga rregullsia e linjave, emocionet janë më të shpejta, duke u ruajtur gjithmonë thellësia psikologjike. Në veprat e para janë “Portreti i malësorit”, “Nëna labe” “Dardharja” etj. Të mëvonshmet janë “Bajram Curri”, “Portret malësori”, “Portret nusje”, “Vjerra” etj.
Zajmi ka pak Kompozime, por dy prej tyre kanë tërhequr vëmendjen e kohës “Tregim nga lufta” dhe “Diga e Drinit”, të cilat shprehin edhe largësi në kohë, por edhe koncepte e nivele të ndryshme artistike. Me to, artisti i vuri vulën një epoke të pikturës shqiptare dhe vepra e tij zuri një sipërfaqe, “një mur” në Galerinë e Arteve, mur të cilin e ka edhe sot e kësaj dite.

Ai është vazhdues i traditave më të mira realiste të piktorëve Kol Idromeno, Ndoc Martini, Vangjush Mio, Andrea Kushi etj., thelloi dhe e pasuroi në forma të reja shprehëse. Realizmi i tij nuk është i jashtëm, por i thellë që lidhet me mësimet që mori para se të shkonte jashtë vendit për studime, por do të ishte Akademie e Romës, ajo që i dha vulën e fundit realizmit të Zajmit. Në një ekspozitë retrospektive të hapur vitet e fundit në Galerinë Kombëtare me punime të piktorëve italianë të viteve 30 – 40 të shekullit të kaluar, tablotë nuk kishin asnjë ndryshim nga pikpamja artistike, koloritit dhe realizmit me punët e Zajmit, Stamos, Grezdës, Sejdinit etj., të cilët erdhën po nga kjo rrymë realiste italiane.

Shpesh përsëriste, “të mos i bëjmë retë si rrënjë dhe rrënjët si re”. por edhe “Të ngatërrosh ullirin me shelgun nuk ke bërë pikturë, sepse vetë ulliri nuk është kudo njëlloj. Tjetër pamje ka në Tiranë, tjetër në Vlorë e tjetër në Sarandë. Ne kemi ullinj krejt të ndryshëm në çdo krahinë që të shkosh. Është nga drurët më të lashtë, i dobishëm që i jep vlerë peisazhit shqiptar. Si mund ta bësh atë njëlloj ? Është njëlloj si t’i bësh të gjithë njerëzit njëlloj. Çdo pemë ka personalitetin e vet, ka “hijen” e vet krejt të veçantë. Tabloja duhet të ketë vërtetësi dhe po i mungoi nuk kemi bërë art”.

Piktura për Zajmin ishte realiteti, njeriu i gjallë, natyra dhe mjedisi, ndaj “gjuan” dhe kërkon me ngulm faktin real. Mbështetja e thellë në realitet, nuk do të thotë që piktori bën një montim mekanik në pëlhurë, apo një inventarizim sendesh. Interpretimi artistik është i lidhur dhe gërshetuar me faktin real, aq sa vijnë së bashku njëkohësisht, si një emocion i vetëm me dritëhijen, perspektivën, ajrin, fizionominë, tipin etj..

Fakti real vjen si fillesë ideoemocionale. Jeta pranë ngjarjeve dhe lëvizjeve i jep materialin e gjallë, burimin e mirëfilltë nga ushqehet. Menjëherë pranë faktit real, ngrihet ai artistik. Ky kalim është i shpejtë dhe i vetëdijshëm, rrjedhojë e një pune të gjatë, vjen nga që Zajmi është piktor i terrenit, që kavaletin e ngre pranë natyrës, pranë figurave që krijon. Fantazia mplekset me realitetin, mbarset me larminë e përshtypjeve të mara nga jeta dhe pastaj rikrijohet ngjarja.

Pra, procesi i njohjes shikohet si proces krijimi dhe jo i shkëputur. Ndaj dhe në natyrë nuk shihen raportet e ngjyrave, por qenia dhe domethënia e sendeve, jo dukja e jashtme, por brendësia materiale. Çdo objekt apo send nuk është një njollë vetëm sa e hedhur, një mbresë e çastit, por ze një vend të caktuar në organizimin kompozicional, si material organik në ndërtimin e figurës artistike. Sendet kanë peshë, përbërje materiale, ndërtim të brendshëm.

Zajmi është si shtrati i gjërë i një lumi që nuk krijon dallgë në sipërfaqe, por që të trondit nga thellësia. Kjo duket në trajtimin e njeriut, është mjeshtër i portretit, i  zbërthimit psikologjik që i bën. “Kur Zajmi bën portrete, peneli i tij kullon mjaltë !; do të shprehej miku i tij skulptori Perikli Çuli. Portretet nuk janë personazhe të papërcaktuar, u kuptohet menjëherë origjina, karakteri shqiptar, fizionomia malësore. Pothuajse të gjithë portretet e pikturuar janë malësorë.

Edhe kur piktori trajton punëtorët, tek ata ndjen diçka të thellë nga malësia. Piktori bisedon me modelin, futet në botën e tij dhe atëhere, kur ai kthehet nga pozues në personazh, zbulohet thellë brendësia, karakteri dhe bëhet siç është në jetë, mbi telajo hidhen penelat dhe krijohet figura artistike. “Guerilasi” shpreh guxim e zgjuarsi, etjen kryeneçe për liri, “Delegati dibran”, me buzë mishtake të hapura, duken sikur nxjerrin frymën e ngrohtë, “Portret plaku”, shohim një mendim të thellë, urtësi shekullore, “Malësori” me gjoks të zbuluar si një asht shkëmbor në qëndrim krenar, krenari shqiptare mbrujtur me trimëri e zgjuarsi. “Njerëzit në tablotë e mia nuk i jap në lëvizje të mëdha, thoshte. Përpiqem që ata të rrinë sa më lirshëm, të mos bëjnë xheste të kota. A je i zoti që me minimumin e xhesteve të japësh lëvizjen më të madhe? Ja këtij i them art unë!”

Për çdo portret Zajmi ka për të treguar një histori. zë e kujton bisedat e gjata me personazhet, përpjekjen e madhe drejt zbulimit shpirtëror. Njeh të gjithë personazhet e krijuara. Në kujtesën e fortë është ngulitur gjithçka. Këto rrëfime të Zajmit janë copëza të vërteta artistike të bluara me art e zgjuarsi.

 Krijimtarinë nga pikpamja stilistike dallohet një stil i zhdërvjelltë e lakonik, pa zbukurime të jashtme, të saktë në një linjë materiale që shtrihet plotësisht me subjektin. Linja funksionale përvijon silueta solide, hequr me nerv dhe temperament sa vjen e më shumë piktura bëhet me e thjeshtë ruan të njëjtën emocion, por këtë e ka me mjete më të pakta si rrjedhojë e jetës së gjatë krijuese, penelatat ndjekin njëra tjetrën, paleta lëviz.

Gjatë gjithë jetës Zajmi ka qenë vazhdimisht i vlerësuar, duke u mbajtur si modele të kohës, të artit që kërkohej, ndërsa vetë artisti ishte tërësisht i bindur në artin që bënte dhe asnjëherë mendja e tij nuk është turbulluar nga pyetje se kujt po i shërbej, sepse ai e kishte pranuar realitetin dhe pikturonte me ndërgjegje të plotë.

Shpesh e takoje Zajmin saloneve të Galerisë Kombëtare. Ndalej para çdo tabloje. Dukej sikur bashkëbisedonte. “Shikoj klasikët tanë: Idromenon, Paskalin, Mion, Simon Rrotën, Zef Kolombin, Xegën, Paçon... Ata kanë bërë shumë për pikturën e skulpturën shqiptare. Ndokush nuk kishte shkollë artistike, por kanë punuar me ndjenjë të madhe kombëtare, me dashuri dhe me pasion të madh. Ishin atdhetarë, e dashuruan me zjarr atdheun dhe vendin e tyre, e pasqyruar atë e bukurië e tij me art, u ngritën monumente, pa ndonjëherë bënë në shenjë respekti edhe njeri tjetrin”.

Mbushej me frymë e shtonte: “Nga ne të vjetrit nuk keni se çfarë të merrni, do të thoshte. Për mua si u shkrua, si nuk u shkrua, një mur atje në Galeri e kam. Nuk ma heq dot njeri atë. – buzëqeshte duke picëruar sytë e vegjël me dashuri. – Tani ka piktorë të rinj të talentuar. Shkruaj për ta ! Jeta sot është bërë shumë e vrullshme. Ajo ecën shpejt, fluturon. Në një orë sateliti i bie botës përqark. E shikon ku jemi ? Edhe piktura është bërë e vështirë. Ka kërkesa të tjera, të reja.

Tre gjëra i kërkohen sot pikturës: shpejtësi, saktësi, thjeshtësi. Shpejtësi se jeta ecën shpejt e nuk mund të mbahen punët gjatë e me vite. Emocionet lëvizin shpejt, u kalon koha të parave e fiton të tjera. Po punove ngadalë mbetesh pas me kohën e piktura të vjetërohet.

Saktësi e dyta. Pikturën bëje të saktë dhe shpejt. Kjo kërkon që të vëzhgosh mirë në jetë, të pikturosh me vërtetësi e njohje. Po nuk i pate këto piktura del e rreme.
Dhe e fundit thamë: thjeshtësi. Kjo është më e vështira për t’u bërë. Pikturat duhet të jenë të thjeshta, të kapshme nga shikuesi, pa salltanete të tepruara. Të jenë të thjeshta e të bukura”.
Shpesh jetoi si bohem, larg shtëpisë, i mbyllur në studio deri ditët e fundit me penela në duar, herë duke rregulluar ndonjë kornizë e herë duke hedhur ndonjë natyrë të qetë me mollë apo me rrush.

Edhe pse nuk shikonte mirë, pikturonte e pikturonte, sepse piktura ishte jeta, tablotë që krijonte fëmijët... kështu punëtor i palodhur deri në frymën e fundit... E lidhnin kujtime, punë, emocione, takime, frymëzime, mbresa të cilat i mbarte brenda vetes për t’i derdhur sapo takohej me njeri. Studio ishte bërë pjesë e jetës së tij, ndoshta pjesa më e qenësishme, ajo pjesë që ishte si një gjymtyrë e trupit...

“Kur futem në studio gjithçka më duket në errësirë, më thoshte vitet e fundit. Më pas dalëngadalë sytë më mësohen, forcat më rigjallërohen, diçka lëviz nga brenda dhe... marr penelat në dorë, hov në këmbë pranë kavaletit e pikturoj... Por më kushton shumë. Sytë e mi e dinë se ç’heq në darkë. Dritën e syve e kam të pakët e më duhet ta ruaj me shumë kujdes e ta përdor me kursim...”

Ishte koha ku shprehej, “fëmijëria e pleqërisë ngadonjëherë del  e zgjuar !” hynte në studio lëshonte kapelen republikë mbi ndonjë karrige dhe i drejtohej kavaletit. Në tavolinë ndonjë tufë lulesh, shportë me rrush, mollë e fruta të tjera. Përgatiste ngjyrat në paletë, merrte penelat, duke u harruar i tëri, aq shumë sa nuk kujtohej të hante apo të kthehej në shtëpi... dhe kur në fund të jetës fuqitë e sidomos vështrimi e la ai përsëri pikturonte edhe pse shpesh herë peneli as nuk prekte në telajo dhe lëviste dorën posht e lart... por pikturën ai e kishte brenda vetes.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid

Lojërat Olimpike në Paris, OBSH: Të paktën 40 atletë me Covid