Suplementi “Rilindasi”/ Një ëndërr fëminore e Kadaresë dhe kauza e tij, letërsia

Suplementi “Rilindasi”/ Një ëndërr fëminore e Kadaresë dhe kauza e tij, letërsia

Ismail Kadare

Sapo kishte mbushur nëntë vite, kur u zgjua i trembur në mëngjes herët u struk në krahët e gjyshes . –Nënë, kam parë një ëndërr të frikshme, sikur Baba Selimi, më takoi mua dhe më tha: -“Unë nesër do të iki, po në vendin tim do të jesh ti.”- Uuu të keqen nëna, po kjo qenka ëndërr e mirë, çka këtu për tu trembur. Ja, ta thotë nëna ty, do bëhesh njeri i madh, i dëgjuar, profet, do të dojë e gjithë bota, si Baba Selimin. S’ka më të rëndësishëm se ai në Gjirokastër. Është babai i teqesë, njeri i shenjtë!.

Të nesërmen, Baba Selimi vdiq!

Djali i mitur,i besoi ëndrrës dhe filloi të ngjiste e të zbriste Sokakun e të Marrëve, si njeriu më i rëndësishëm i qytetit!

Vitet kaluan, ai nuk u besoi më ëndrrave e as fantazmave. Në mendje i erdhi zëri i shpirtit. Kishte një tjetër mision, besonte tek një tjetër hyjni. Letërsia! Këtë hyjni, ja përkushtoi me gjithë forcën e shpirtit, kombit të tij. Ky mision e ngriti tek në një tjetër hyjni. Liria!

 

Besimi që shpërndau me hyjnitë e tij, na mësoi të jetojmë të vërtetën. Të ishim krenarë që jetonim në një tokë të lashtë,me një gjuhë të rrallë hyjnore, nga më të lashtat dhe të rëndësishmet në botë prej të cilës morën jetë shumë të tjera. Ankthi drejt lirisë, e bëri shkrimtarin të përbotshëm. Këtë ankth e kishin mbajtur ndër shekuj si kryq mbi shpinë shumë shkrimtarë të mëdhenj në botë. Po më i rëndë së të gjithë ish kryqi që Ai mbante!

I përbotshmi, nuk e di mirë se ku fillon ngjizja e një vepre madhore. Në  netët e gjata të dimrit të madh moskovit si kundërvënie  e një shkëlqimi të rremë, ndërtuar mbi kocka njerëzish. Nga varri i një prostitute në varrezat e qytetit. Kockat e një skeleti kali në kodrat përreth, apo letra që i shkruante të dashurës së tij Helenë, nga ftohtësia e akullt e hotel turizmit të Shkodrës, ku grilat e dritareve në mur ngjanin si brinjë të vdekurish. Kish kohë që dëgjonte pëshpërimat e shpirtit. Veprat, lindnin prej qenies, si një shpërthim vullkani për Lirinë!

Të gjithë këtë llavë lirie brenda tij, e kërkonte në Shqipërinë e rrethuar me telin me gjemba, ndërkohë ajo merrte dhenë. Ëndrra që mundonte shqiptarët e mbyllur në kurthin komunist gjendej aty në rreshtat e librave, fshehur pas sfondeve gri.

Do të quhej shpesh, antikombëtar, dekadent, kozmopolit etj…Këtyre epiteteve djallëzore, do ja dilte mbanë me lirinë e fituar prej gjuhës së tij të lashtë, duke u ndeshur me ligjit e saj të rrepta dhe triumfoi bashkë me të. E fitoi me teknikat, format dhe stilin e të shkruarit, i cili ishte gjithmonë në lartësinë e kohës. Mjeshtërisht shkrimtari me lirinë e tij, i dha format e shijes së lartë lexuesve  sqimatarë të hyjnisë letërsi. Nëpërmjet tyre na tregoi se luftërat janë primitivizëm barbar dhe prej tyre s’ka të fituar. Se përbindëshat e komunizmit ishin më të egër se përbindëshat e drunjtë të antikitetit, se në Hylliadë lufta vazhdon. Për të bukurën gjithmonë ka luftë dhe Arbëria e tij është e bukur. Helena e tij, ka frikë prej përbindëshit, e ndjen se ai do t’i shoqërojë gjithë jetën. Mbytja e së vërtetës ishte prezente dhe verbëria e Homerit ishte vetëm një kod. Nxitoi të shkruaj ashtu si poeti trojan në pllakat e gurit, “…por do të jetë vonë, gjithmonë do të jetë vonë”. Ai shkroi vargjet e vajet e popullit të tij në shekuj, “…mbeçë more shokë mbeçë, përtej urës së Qabesë…”

Larg konformizmit, nuk mendoj kurrë të braktiste hyjninë e tij. As përpara  maskave korrigjuese të një tirani. Një diktator mund të vërë në fytyrë maska të një liberali, të një sheiku apo të një peshkopi. Edhe në rastet kur ai paraqitet si një liberal, shpesh diktatura e vendosur prej tij bëhet më e fortë se vetë diktatori. Levat e tij, mund të përmbysin edhe atë vetë. Një shembull i thjeshtë e tregoi këtë. Gjeniu e di se, “Turma e shkrimtarëve mediokër që iu sulën shkrimtarit të madh rus, ishte aq shumë e ngjashme me ato të vendit tim”. Revolta e masave dhe shkrimtarëve mediokër servilë të diktaturës dhe e të gjitha levave të tij ishin kundër shkrimtarit dhe librit, “Dimri i vetmisë së madhe”, ku diktatori ishte në mëdyshje, të dënonte atë, apo të griste portretin e vet me duart e tij.

Shkrimtari nuk mbajti anën e askujt, mbrojti hyjninë e tij letërsinë dhe kërkoi  lirinë e atdheut. Na tregoi një tjetër Shqipëri, atë të përjetshmen, të bukurën, përballë shkretëtirës komuniste. Po ajo Shqipëri kishte lidhje në disa gjasa me tragjiken që ne dhe shkrimtari, jetonim çdo ditë. Na tregoi se gurët që ndërtoheshin urat me tri harqe,ishin gurët mesjetarë, ashtu si gurët  e kohës faraonike që u ndërtua Piramida. Frika dhe terrori ishte i ditëve tona. E vërteta është se në mesjetë Shqipëria ishte e ngjashme me principatat europiane, ndërsa koha që jetuam ishte e ndryshme nga të gjitha. Më e egra.

 Hyjnia liri ekzistonte brenda shkrimtarit i cili kërkonte me çdo kusht të na i përcillte edhe ne. Na mësoi se kryemotivi i diktaturës,“flijimi në emër të së ardhmes” qe veçse një krim. Një krim ku viktimat shpesh kalonin në hipnozë.

Hyjnia Letërsi nuk e braktisi kurrë shkrimtarin me mendjen e zemrën në harmoni me shpirtin. Ndërsa hyjnia liri jetonte vetëm në kalendarin e dytë të tij. Kjo hyjni nuk u përgjigjet ligjeve të tokës tregon ai. “Ajo është ditë e kalendarit tjetër, pra e pandryshueshme, e njëllojtë, siç ka qenë dje nën diktaturën komuniste, sot në liri, në Tiranë, në Paris apo në një fshat Holandez”.Ndaj, “Tërheqja e tokës është aq mizore, saqë më vjen habi që pikërisht tokën e kemi lavdëruar aq shumë në poemat tona.”

Hyjnia letërsi është kaq e fortë sa pranë shkrimeve, mund ta përballonte lehtë diktaturën. Në kohën e kalendarit të dytë, në hyjninë liri, aty ku diktatura nuk hynte dot, po edhe kur hynte nuk mund ta shkatërronte. Ishte ai që diktonte mbi ta. Ka përherë pranë një engjëll mbrojtës, që për fat është zonja e tij, Helena, me të cilën ndan gjithçka dhe kohën e tij me hyjnitë.

Kritika e huaj do të habitet gjithmonë me ritmin e tij marramendës të pa paralajmëruar, çdo vit kishte kryeveprën e radhës e ndryshme nga njëra-tjetra. Duke përcaktuar mendësinë dhe madhështinë e një populli, të hedhur në letërsi, falë imagjinatës së lartë me harmoninë e mendjes dhe të shpirtit.

A mundet që kombi ynë i vogël ta lartësojë këtë shkrimtar të madh? Nëse jo, përse duhet ta shqetësojë me fantazinë e sëmurë, me të kundërtën që shkrimtari bën. Në çdo rresht flet me dashuri, për miq dhe kolegë. Deklaron të hapen dosjet. Ku as për njëmijë vjet nuk gjejnë dot një rresht të shkruar kundër askujt. Ndaj nuk ka asnjë arsye, sidomos ata që nuk e kanë lexuar asnjë libër. Apo ata që e kanë lexuar së prapthi qenien e tij në këtë tokë, me shpifje të tipit monstruoz.

Shkrimtari jetoi purgatorin dhe ferrin sa herë flitej par librat dhe filmat mbi veprat e tij. Ndërsa ne zbukuronim jetën me to. Hyjninë letërsi, parajsën e tij, dërgoi larg në kasafortat e botës për ta shpëtuar nga terrori e ankthi, plenumet dhe propaganda e ferrit. Letërsia e tij duhet të ishte e lirë dhe e pavarur. Një ditë do të ndriçonte përsëri mendjen dhe jetët tona pavarësisht fatit të gjeniut.

Edhe kur erdhi dita e falimentit komunist në Shqipëri, bota mësoi se shtetasit e saj nuk mundën të çliroheshin plotësisht prej tij. Të jetosh gjatë në llumin e bretkosave dhe gjarpërinjve, është vështirë të dalësh prej aty. “Popujt e nënshtruar që nuk revoltohen, mbeten popuj që nuk e zotërojnë veten”. I thotë, kritiku dhe poeti madh francez, Alain Bosquet.

Gjeniu ynë përgjigjet.“ Unë jam shkrimtar dhe ç’do kujt mund t’ia fal gjithçka, por askujt nuk mund t’ia fal një gjë; kur ngre dorën kundër kombit tim.. Unë nuk kam frikë se do më quajnë nacionalist. Unë s’jam i tillë. Por nuk duroj askënd, qoftë edhe Zotin po ta bënte këtë. Sepse ky është një popull që është grirë padrejtësisht gjatë historisë së tij dymijëvjeçare. E tani nuk duhet të grihet më!”

Kjo ishte kauza e tij. Qëllimi i të jetuarit me hyjninë letërsi për ti dhënë kombit të tij lirinë e mendimit dhe të jetuarit, duke veshur herë petkun e murgut për t’u flijuar tek Ura me tri Harqe, herë të Laokoontit, ku ish mbytur e vërteta, apo të Gent Ruvinës tek Përbindëshi.

Kështu shiteshin në libraritë tona tridhjetë mijë libra në një orë apo në një çast. Uragani nuk mund të ndalej, se vinte nga një komb autokton me prejardhje e gjuhë ilire. Shpesh e quajtën dhe nacionalist, “Kur vjen çështja për kombin e vet, Kadare është më i verbër se Homeri”. Jo, këtë nuk e pranon dhe sqaron se; nacionalist nuk është ai që do shumë popullin e vet, po kur  nuk i duron do popujt e tjerë. Ai shkroi me vërtetësi për popujt fqinjë, për kulturën dhe arritjet e tyre. Mbështeti tezat e studiuesve të huaj për gjuhën shqipe si me të rëndësishmet në Europë dhe botë. Se Durrësi, Shkodra janë qytete të lashta sa Roma, se Shqipëria ka qenë pesë –gjashtë herë më e madhe se Mali i zi, më e shtrirë se Greqia dhe Serbia. Këto shtete në vend që të ulin kokën e të ndjehen të turpëruar për çfarë kanë grabitur padrejtësisht, dhe kërkuar herë pas here ndarjen e Shqipërisë midis tyre, zhdukjen nga faqja e dheut të kombit shqiptar, vazhdojnë të kenë të njëjtin qëndrim të egër.

Tregoi me hollësi prejardhjen, fisin, katragjyshat, gjyshat, dajën komunist dhe atë perëndimor, motrën, babanë, vëllanë dhe nënën kukull, një kukull ndryshe që lindi një gjeni. Tregoi për qytetin e tij të gurtë vlerat dhe dobësitë, për Hankonatët dhe Dobatët. Tregoi gjithçka me vërtetësi,përcjellë magjishëm nëpërmjet laboratorit të tij të veçantë, dhe bota e besoi dhe e kuptoi madje e quajti, ndërgjegje kombëtare. Një komb jeton gjatë, falë gjenisë dhe fantazisë për ta paraqitur identitetin e tij si një thesar të rrallë, duke i dhënë madje një identitet të dyfishtë, atë real dhe emblematik e imagjinar që nuk e kanë hasur në popuj të tjerë Europianë. E quajtën dhe ndërgjegje ndërkombëtare, sepse shkroi për terrorizimin, pasojat e tij, për Ballkanin e ashpër po me vlera të mëdha dhe energjitë e tij të pazbuluara, për botën dhe korifenjtë e saj. Tregoi për lashtësinë për mesjetën dhe pashallëqet e madhe, bizantin dhe kamaren e turpit. Së fundmi na tha se kur sunduesit grinden, të humburit janë, artistët, shkrimtarët të gjithë ne,vetë populli.

Gjeniu sqaroi se shkrimtari ashtu si duket i vrazhdë i fortë, kapriçoz apo mendjemadh tek të tjerët, në fakt, është qenia më e brishtë, lehtësisht e cenueshme. Thirrja e tij nëpër podiume për të dhënë shpjegime është një kurth, të shkruash në një kohë të egër nën trysninë diktatoriale dhe të japësh shpjegime pas 50 vjetësh. Po, kujt i ndodh kjo në botë?! Është njëlloj sikur ti kërkosh llogari, pse e quajte nënën kukull. Njëlloj sinë komunizëm, aq më tepër që ai i ka sqaruar të gjitha me hollësi, në librat e tij. Lexoni! Mjaft me pyetje spontane të lehta e qesharake. Megjithatë ai i pranon duke e ditur se kjo është tërheqje drejt një trualli të pabesë për tu goditur përsëri befasisht si atëherë. Shkrimtari i madh flet me artin e tij, jo për të shuar kuriozitetin e gjithkujt, se, shkrimtari është qenia më e pashkatërrueshme nga asgjë, madje as nga populli dhe epoka e vet. “Zoti më ruajt nga një mendim i tillë. Për mua krijimi letrar është i shenjtë, dhe përpara tij ndalem si përpara një shenje të shenjtë. Qoftë një tempull, qoftë një varr, s’ka shumë rëndësi.”

Ka treguar se ka guxim të marrë, për të mbrojtur kauzën e tij. Akoma pa rënë muri i Berlinit, nëpërmjet miqve të të tij francezë i dërgoi Presidentit Bush, dhe krejt perëndimit, një kumt: “Të mos e harronin Shqipërinë. Populli shqiptar ishte mik në shekuj me popullin amerikan, ndryshe prej politikave të egra komuniste.”Guximin për të ngritur zërin kudo ndodhej, përpara një mikrofoni,një takimi akademik, apo forumi të rëndësishëm  politik, të bënte thirrje dhe të shkruante për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kadare me sitën e hollë të trurit magjik, krijoi një epokë e cila nuk mund të përshkruhet në asnjë shkrim, një epokë që mbart të gjitha epokat shqiptare brenda saj të kthyera në universale. Ky është thelbi i qëndrimit të gjeniut si njeri dhe si shkrimtar.“Unë rrekesha që nën pankartat dhe ngrehinat e përkohshme të socializmit, të krijoja një tjetër Shqipëri, …kur të binte ora e përmbysjes, shqiptarët të mos hutoheshin prej pluhurit të rrënimit, por nën këmbët e tyre të gjenin Shqipërinë Sublime”.

E krahasuan me Gogolin, Kafkën, Homerin, Shekspirin, po ai është, përfaqësuesi më i lartë bashkëkohor, me veçantitë e rralla që mbart hyjnia e tij.I lartësuar mbi çmimin nobel. Miqtë e shumtë të Epokës Kadare, nuk reshtin ta vënë në vend këtë padrejtësi. Kauza Kadare tashmë është kauza e të gjithë shqiptarëve. Shqipëria dhe vlerat e saj te humbura të nëpërkëmbura nga forca të errëta armiqësore në botë të mbështetura prej errësirës vendase.

Nisur nga profecia e ëndrrës, Kadare është një Profeti vendit të tij. Duke u marrë me emblemat e dikurshme të këtij populli, u kthye vetë në një emblemë. Kauzën e tij tashmë e ndjekin mijëra e miliona adhurues të Epokës Kadare, është kauza e të gjithë atdhetarëve të këtij kombi, kudo ndodhen. Kauza Kadare është e ardhmja e ndritur europiane. Shqipëria shkëlqimtare. Të cilën tashmë  e shquajnë në horizont. Koha ka ardhur të triumfojë!

*Bibliografe-Studiuese arti.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë