Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila dënoi me 6 vjet burg Jelena Gjukanoviqin për spiunazh.
Sveçla tha se institucionet shtetërore janë angazhuar më shumë se kurrë më parë për zbulimin dhe parandalimin e aktiviteteve të spiunazhit, të cilat, sipas tij, kanë rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit.
Ai theksoi se institucionet e sigurisë do ta vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, ndërsa kërkoi më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat që këto veprime kanë për shtetin.










