ITALI - Sulmuesi i Kombëtares U-21, Cristian Shpendi mund të jetë largimi i radhës nga kuqezinjtë. Në një intervistë për ‘Pianeta Bianconero’, sulmuesi që ka shkëlqyer me nëntë gola këtë edicion në Serie B me Cesenan, ka thënë se priste një ftesë nga Sylvinho dhe se një telefonatë nga Italia do bënte të ndryshonte mendje.
‘’Sinqerisht e prisja ftesën e Sylvinhos në nëntor, u zhgënjeva. Më vjen keq pasi si përfundoi edicioni i Shqipërisë në Ligën e Kombeve, rezultoi një edicion i keq i Shqipërisë. Unë jam i lindur në Itali dhe i rritur në Itali, por një ftesë nga Italia nuk më ka ardhur ende, nuk kam asnjë kontakt. Por nëse do të vinte një telefonatë, sigurisht unë tani jam me Shqipërinë, por do ta mendoja atë ftesë sigurisht. Deri tani nuk më ka ardhur asgjë nga Italia’’, tha 21-vjeçari.
I pyetur për merkaton, Shpendi deklaroi se fokusi i tij është vetëm te Cesena, ndërsa shtoi se nuk shqetësohet nga lajmet që qarkullojnë.
“Kam lexuar lajmet që qarkullojnë për mua. Mund t’ju siguroj se nuk di asgjë fare, janë thjesht thashetheme që nuk më shqetësojnë, mendoj për Cesenën dhe e di që të vazhdoj këtu është rruga e duhur, ndonëse nuk më takon mua të marr vendime të caktuara”, deklaroi Shpendi.