27 marsi i vitit 2023 është i paharruar për Jasir Asanin, me anësorin e sulmit që bëri debutimin me fanellën e Kombëtares edhe pse në moshën 28-vjeçare. Në stol ishte Sylvinho, trajneri që besoi te Asani dhe e afroi për herë të parë në ekip.
Në lamtumirën e trajnerit nga Shqipëria, Asani ka reaguar i pari ndër futbollistët duke e falenderuar brazilianin. Shkupjani thotë se do t'i jetë përjetë mirënjohës trajnerit.
"Faleminderit mister për gjithçka. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur dhe të gjatë bashkë, me plot momente që nuk do t’i harroj kurrë. Jam shumë mirënjohës për besimin dhe mundësinë që më dhe për të përfaqësuar Kombëtaren. Do të të jem falënderues gjithë jetën. Suksese në vazhdim, mister", shkruan Jasir Asani në kanalet e komunikimit.
Sot Jasiri feston 31 vjetorin dhe ka marrë një 'dhuratë' jo shumë të këndshme me lajmin e largimit të Sylvinhos nga stoli i Kombëtares. Asani pritet që në verë të bashkohet me Getafen në La Liga.
Lajmi kryesor:
Sylvinho i lë stafetën trajnerit Rolando Maran, italiani firmos deri në vitin 2028 dhe prezantohet në Kombëtare: Fola me De Biasin, mund të shkojmë në Botëror









