‘Sylvinho ka heshtur edhe kritikët’, Duka: Për kualifikimin duhen ende pikë, por po shohim për vendqëndrime në Gjermani

‘Sylvinho ka heshtur edhe kritikët’, Duka: Për kualifikimin duhen ende pikë, por po shohim për vendqëndrime në Gjermani

Festa e kombëtares për fitoren

Fitorja 2-0 kundër Polonisë e ka dërguar Shqipërinë në vendin e parë në grupin E kualifikues të Europianit dhe kur kanë mbetur edhe 3 ndeshje nga fundi është pothuajse me një këmbë në Europian. Shpesh protagonistët si futbollistët dhe trajnerët zgjedhin të jenë me këmbë në tokë me këto situata, por presidenti i FSHF-së së fundmi ka lënë të kuptohet se Shqipëria po përgatitet për të shkuar në Gjermani.

Megjithatë fillimisht u ndal te fitorja me Poloninë.

“Pa dyshim që kam qenë shumë i gëzuar pas ndeshjes, kam festuar bashkë me ekipin dhe gjithë të tjerët përreth. Pastaj pas gëzimit fillon dhe mendon për të ardhmen, fillon mendon për ndeshjet e radhës, mendon se si duhet të ulemi me këmbë në tokë dhe të vlerësojmë maksimalisht ato. Kemi bërë vërtetë një ndeshje shumë të mirë, kemi marrë një rezultat shumë pozitiv, ka qenë një atmosferë fantastike dhe një lojë e bukur, që padyshim i ka gëzur të gjithë. Tani duhet të kthehemi e shkojmë përpara”.

Shanset për të shkuar në Europian sipas Dukës janë të mira, por është ende për të bërë llogari.

“Nuk duhet të bëjmë llogari, nuk duhet të themi që jemi në Gjermani, pavarësisht rezultateve pozitive, pavarësisht paraqitjeve shumë të mira, pavarësisht atmosferës shumë pozitive të krijuar – duhet theksuar – rreth skuadrës. Duhet që t’i vlerësojmë këto tre ndeshje si tre ndeshje finale, duke filluar ashtu siç thuhet në futboll, nga ndeshja e radhës me Çekinë. Çekia është një kundërshtar shumë i fortë, mbase më i fortë se Polonia”.

Në këtë fushatë kualifikuese Shqipëria pothuajse ka realizuar nga një supergol për çdo ndeshje.

“Golat janë të gjithë të bukur. Topi kur shkon në rrjetë gjithmonë është i bukur, sepse të jep rezultatin, të jep pikët. Për momentin, për surprizën që të krijon, golat kanë qenë shumë të bukur këtë edicion të Kombëtares shqiptare. Nuk mund t’i dallosh. Gol fantastik i Asanit ndaj Moldavisë, gjithashtu i Asllanit ndaj Ishujve Faroe, goli i Bajramit në Çeki ishte fantastik dhe ky i Dakut, me shumë emocion. Mbase kishte më shumë bukuri sepse Daku sapo hyri në fushën e lojës, ishte kontakti i parë ose maksimumi i dytë me topin dhe e çoi atë në rrjetë nga një pozicion i vështirë. Të gjithë golat ishin shumë të bukur. Nuk mendoj se fitoret, rezultati apo klasifikimi janë individual. Futbolli është lojë kolektive. Pavarësisht se goli vjen nga një veprim individual, është rrjedhë logjike e lojës së skuadrës, e përgatitjes së lojës, e stafit e të gjithëve,”-deklaroi Duka në një intervistë për ‘Supersport’.

Sipas Dukës trajneri Sylvinho ka bërë të heshtin edhe kritikët më të mëdhenj të kombëtares.

“Si rrallë herë, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën e futbollit, Silvinjo dhe stafi i tij kanë përcjellë mesazh pozitiv, kanë krijuar opinion pozitiv dhe Silvinjo nuk ka kritikë nga asnjë i fushës. Edhe ata që janë kritikët më të mëdhenj të futbollit shqiptar apo të Federatës Shqiptare të Futbollit, me Silvinjon janë pozitivë. Kjo është falë përkushtimit të tij, falë punës së tij dhe të stafit. Dua ta theksoj, edhe të stafit, jo vetëm atij të huaj, por edhe atij shqiptar. Në fund të fundit ai është dirigjenti, por ka një armatë njerëzish që punojnë me të dhe që janë shumë të përkushtuar. Në ndryshim nga stafet e mëparshme, janë me kohë të plotë në dispozicion të ekipit kombëtar, janë në Federatë, përgatisin ndeshjet, shohin videot. Mendoj që kemi qëlluar, jo rastësisht, por kemi bërë zgjedhjen e duhur,”-u shpreh Duka.

Në fund presidenti i FSHF-së la të kuptohet se kanë nisur përgatitjet në rast se Shqipëria merr pjesë në Europian.

 “Në avion duke fluturuar për në Çeki, i kam nxjerrë listën e hoteleve dhe qendrave të grumbullimit trajnerit Silvinjo dhe i kam thënë të zgjedhim se ku do rrimë në Gjermani. Kjo ishte thjesht për t’i dhënë atij një mesazh që ne do shkojmë në Gjermani dhe të jemi të përgatitur për këtë, jo se nuk kemi kohë për t’i zgjedhur ato. Kemi vënë disa piketa në të gjithë vendet, por kjo nuk duhet të na çojë në eufori. Padyshim që ne duhet të përgatitemi edhe për atje, por duhet të mendojmë siç thashë edhe në fillim, që kemi edhe tre ndeshje shumë të vështira. Kemi Çekinë, kjo është më kryesorja, duhet të mendojme vetëm 12 tetorin kundër Çekisë. Patjetër duhet të pretendojmë dhe të kemi objektiv rezultat pozitiv me Çekinë,”-tha Duka.

Ne.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Ligjbërësit iranianë kërkojnë ndryshimin e projektligjit të rreptë për hixhabin

Ligjbërësit iranianë kërkojnë ndryshimin e projektligjit të rreptë për hixhabin