Kombëtarja shqiptare e futbollit luan nesër në 18:00 kundër Moldavisë në Chisinau, për duelin e parafundit në grupin E kualifikues të Euro 2024.
Në konferencën zyrtare për mediet foli edhe trajneri i Kombëtares, Sylvinho. Braziliani shtoi se kjo është një finale dhe se janë katër skuadra në garë për kalimin në "Gjermani 2024".
"Barazimi? Në futboll luhet vetëm për fitore, nëse nuk ka një të tillë asnjë prej skuadrave nuk ka qenë e aftë për tri pikë. Ne futemi në fushë për fitore, besoj edhe Moldavia. Për në është një finale. Moldavia është e fortë në shtëpi, ka mundur Poloninë.
Përgatitja? Kemi seriozitet që e përcjellin edhe lojtarët, kemi bërë ndeshje shumë të mirë me Çekinë, por nuk është mbyllur asgjë dhe këtë djemtë e dinë mirë. S'ka asnjë ndryshim përsa na përket ne, për forcën që kemi. Moldavia është e organizuar, ka shumë lojtarë të mirë që luajnë me topin, janë edhe fizikë dhe në fushën e tyre janë të vështirë për t'u mundur, gjë që e kanë treguar.
Rekordi me gjashtë pikë apo barazimi për kalimin më tej? Të dyja skuadrat nuk futen për barazim, ata nuk kanë humbur në shtëpi, e theksoj. Kjo është një finale dhe ne e dimë. Nuk mendoj për asgjë veç Moldavisë. Ne nisemi mirë në kundërsulm dhe ofensiva jonë është e mirë. Na duhet të bëjmë kujdes. E dimë mirë rëndësinë e kësaj ndeshje. Rrugëtimi ynë është i mirë, por duhet të kalojmë edhe ndeshjen nesër.
Dëmtimet? Puna e një kombëtareje është e vështirë, pritet deri në fund për listën. Ajeti është i dëmtuar, kemi marrë Mersinaj dhe jemi "ok" me këtë listë. Kemi të duhurit. 70 përqind e këtij grupi kanë luajtur ndeshjet dhe kanë treguar cilësi.
Një pikë apo fitore në dy ndeshjet e mbetura? Në futboll nuk bëhen llogari, futet në fushë vetëm për tri pikë. Lojtarët janë të ndërgjegjshëm se asgjë nuk ka mbaruar dhe do futemi në fushë vetëm për fitore.
Tanimë që jemi realitet,e bën kjo ndeshjen më të vështirë? Avantazhi që kemi është se jemi në këtë garë dhe gati për t'u kualifikuar. Që në mars isha i ndërgjegjëshëm se kishim një grup të vështirë dhe donim që të vinim në nëntor në këto kushte, por janë katër ekipe në garë për kalimin më tej dhe avantazhi ynë është që kemi më shumë pikë dhe jemi të parët", tha Sylvinho.
Lajmi kryesor: