Forma e Anis Mehmetit dhe Ernest Muçit nuk mund të mos vihet re nga stafi teknik i ekipit kombëtar të futbollit në Shqipëri. Sylvinho, Doriva dhe Zabaleta mbajnë shënim çdo prekje topi dhe jo më performanca fantastike si ato të raundit të fundit për dy sulmuesit.
Anis Mehmeti shkëlqeu me Bristol City në Angli, duke dhuruar tre asiste në fitoren e tyre të fundit, teksa ka shënuar edhe pesë gola këtë sezon. Nga ana tjetër, Ernest Muçi, pasi u bë prind, duket se po shkëlqen. I futur në fushë si zëvendësues, 24-vjeçari tundi dy herë rrjetën e Istanbul Basaksehir, në fitoren 3-4 të Trabzonspor.
Të dy sulmuesit kanë kohë që nuk përfshihen në listën e Sylvinhos, teksa kanë treguar se janë aty kur detyra i thërret. Në krahët e sulmit Kombëtarja "ka trafik", siç e përcaktoi edhe trajneri, ndaj Mehmeti dhe Muçi duhet të lënë pas emra si Broja, Uzuni, Asani, Daku, Hoxha, Manaj apo edhe Tuci, për të qenë pjesë e ekipit.
Mirëpo, forma e dyshes nuk mund të neglizhohet dhe disa minuta në fushë kundër Polonisë për play-off-in e Kupës së Botës 2026 mund të jenë vendimtare për një komb që ka shpresa për "ëndrrën amerikane".
Më 26 mars 2026 Shqipëria luan në Varshavë kundër Polonisë për gjysmëfinalen play-off dhe një fitore në ndeshjen teke do i vendoste përballë fituesit të çiftit Ukrainë - Suedi në finalen play-off.
Me shumë emra në sulm, formën e mirë të disa futbollistëve dhe mungesën e minutave për disa të tjerë, do jetë Sylvinho që do vendos kë do marrë në betejë, paçka se "dhimbja e kokës" ka filluar.
Deri më 26 mars 2026 duhen edhe katër muaj, ndaj shumë situata mund të ndryshojnë.
Komente









