Syrja bej Vlora: Ahmet Zogu, 18
vjeçari me intrigë të përsosu

Syrja bej Vlora: Ahmet Zogu, 18<br />vjeçari me intrigë të përsosu
TIRANE - Ai ishte 18 vjeç kur e takova për herë të parë në Tiranë. Kryesonte parinë e Matit… Me flokët e verdha e trupin e hollë të kujtonte një aristokrat austriak… Edhe pse kaq i ri, zgjuarsia dhe intriga e tij ishte aq e përsosur sa që mund të zgjidhte edhe çështjet më të koklavitura, çështje që shastisin shumë pleq e të rinj… Ky ishte Ahmet Zogu, vetëm një vit pas shpalljes së Pavarësisë. Një 18-vjeçar jo i zakonshëm në sytë e një personazhi po kaq të pazakontë Syrja bej Vlorës.

Ky portretizim i mbretit të ardhshëm të shqiptarëve, që botohet sot për herë të parë është shkëputur nga kujtimet që la dorëshkrim Syrja bej Vlora, një prej pinjollëve më me emër të Vlorajve, kushëri i Ismail Qemalit, por njëherësh rival i tij politik, babai i Eqrem Bej Vlorës, kunat i Esat Pashë Toptanit, të cilit i kishte marrë motrën për grua, drejtor i përgjithshëm i doganave osmane, deputet në Parlamentin Osman pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë më 1914, njeri i arsimuar mirë për kohën…..

Këto kujtime  që autori i titulloi “Historia e Shqipërisë nga invadimi osman më 1400 deri në Luftën e Vlorës dhe çlirimin e saj nga okupacioni italian më 1920”, shkruar në osmanisht në vitet ’20, me gjasë në 1921-1925 në Romë dhe në Vlorë ku jetoi në ato vite Syrja Vlora, pasi kanë qëndruar në arkiva për dekada të tëra, vijnë për herë të parë në dorën e lexuesve shqiptarë.

Dje libri u shpërnda në të gjithë libraritë e vendit dhe pritet të ngjallë shumë kureshtje, jo vetëm si gjini (memuaristike) por më shumë për shkak të tematikës dhe personazheve që ngërthen dhe stilit mjaft të shkrifët e tërheqës të autorit. Përkthimi është gjetur në arkivin e Institutit të Historisë me inicialet A.A (mbase Ali Asllani),  dhe mendohet se është bërë në gjysmën e dytë të viteve’40, ndërsa redaktimi shkencor dhe përgatitja për botim është realizuar nga Akad. asoc. Marenglen Verli dhe dr. Ledia Dushku.

Portreti që Syrja bej Vlora i bën Ahmet Zogut  është mjaft ngacmues. Ai analizon me kujdes që nga tiparet fizike, karakterin e tij, lëvizjet strategjike në rrugëtimin e tij politik, balancën  mes vrulleve e tij plot guxim në çaste historike  dhe tërheqjet e kujdesshme në momente të pavolitshme për të. Mes shumë portreteve që Syrja bej Vlora sjell në kujtimet e tij, ky portret që ai i bën Ahmet Zogut vlen të veçohet e të analizohet.

Syrja Vlora
 
AHMET BEJ ZOGU

Ahmet Beu është një lastar i një dere të madhe, të përqendruar prej 200- 300 vjetëve në Mat dhe në krahinat përreth duke trashëguar pozitën dhe autoritetin nga babai tek djali. Këtë (A. Zogun) për të parën herë e pashë në Tiranë në moshën 18 vjeç, ku ndodhej së bashku me nja 15 vetë nga paria e Matit, që kryesonte.

Dukej shumë xhentil dhe modest, me shtatin e hollë dhe të gjatë dhe me flokët e verdhë, ngjante si një aristokrat austriak. Nisa bisedën me të rreth vajtjes së Esat Pashës në Vlorë dhe mbi bindjen që Pasha duhej të tregonte ndaj qeverisë së pavarur. Duhet ta pohoj se unë, duke marrë parasysh moshën e tij, kujtova se do t’i mungonte dijenia dhe eksperienca rreth çështjeve kombëtare dhe bisedave politike.

Prandaj gjatë bisedës desha të merrja qëndrimin e një babai përballë djalit, por duke kuvenduar, dalëngadalë e pashë që isha gënjyer në hamendjen time. Zgjuarsia dhe intriga e tij ishte aq e përsosur sa që mund të zgjidhte edhe çështjet më të koklavitura, çështje që shastisin shumë pleq e të rinj.

Fjala e tij ishte e ëmbël, por shumë e fuqishme dhe e prerë. Ahmet Beu, duke u drejtuar dhe me një farë nënqeshjeje, insistonte që Esat Pasha, për të shmangur ndonjë rrezik për jetën, duhej të mos shkonte në Vlorë. Në këtë mes, duke shënuar rëndësinë e posaçme që kishte Mati dhe krahina e tij, theksonte nevojën që organizimi në këtë vend të mbetej për më vonë. Kjo krahinë [sipas tij] duhej të veçohej medoemos.

Sjellja e Ahmet Beut e kishte burimin në faktin se kur ai vajti në Vlorë, pa se punët nuk ishin në vijë. Prandaj nuk e zgjati qëndrimin dhe u kthye, por edhe vegla e Esat Pashës nuk deshi të bëhej. Krahinën e Matit, që e kishte nën urdhrin e tij, sidoqoftë, nuk deshi ta vinte nën autoritetin e asnjërit nga ata të dy [Ismail Qemalit e Esat Pashës].

Ismail Qemal Beu, sado që deri atë ditë nuk e kishte menduar kurrë nëse në Mat duhej bërë organizimi ose jo, menjëherë e refuzoi propozimin. Esat Pasha, duke mos kuptuar qëllimin e vërtetë të propozimit, e pranoi dhe ndërmjetësoi që të pranohej edhe nga qeveria e Vlorës. Më së fundi Esat Pasha, edhe pse nuk kishte marrë përgjigje për pranimin e sipërshënuar, shkoi në Vlorë dhe bëri një farë marrëveshje me Ismail Beun, e cila vazhdoi për disa ditë.

Por Esat Pasha e kuptoi se Ahmet Beu, të cilin e quante djalosh dhe të parëndësishëm, përbënte një rrezik të madh për personin e tij dhe për qeverinë. Posa u kthye në Tiranë, me qëllim që të thyente fuqinë dhe autoritetin e Ahmet Beut, nisi të përdorte lloj-lloj intrigash. Pas ardhjes së Princ Ëiedit, sikurse erdhën paria e çdo ane, edhe Ahmet Beu erdhi në Durrës për urim.

Pasi u takua me Princin, shkoi e vizitoi edhe Esat Pashën, i cili atë kohë ishte ministër i Brendshëm dhe i Luftës. Pasi u largua Ahmet Beu nga oda e tij, Esat Pasha nisi të vërtitej nëpër odë duke u menduar. Në prani të djalit tim, Eqremit dhe sekretarit të tij Stavro Stavridhit, Esat Pasha tha diçka dhe dha të kuptohej se Ahmet Beun e konsideronte të rrezikshëm për të. Ahmet Beu në gjettë shesh [u shpreh Pasha], një ditë do të arrinte të kalonte në fuqi dhe në autoritet.

Kur erdhën austriakët në Shqipëri, pozitën e shquar të Ahmet Beut e kuptuan dhe, me qëllim që ta afronin në krahun e tyre, i dhanë gradën kolonel. Nga ky shkak, Ahmet Beu u pa me sy të keq nga italianët. Kështu, në qeverinë që u formua në Durrës nën influencën e Italisë, Ahmet Beu nuk mori ndonjë post. Të dy palët kishin marrë një qëndrim të rezervuar.

Këshilltarët kombëtarë, që u mblodhën në Lushnjë për të rrëzuar fantazmën qeveritare, që ndodhej në Durrës dhe për të ngritur një qeveri kombëtare [e vlerësuan Ahmetin]. Pjesa e parisë, që për atë kohë quhej më me influencë, dhe që ishte në moshë të pjekur, me qëllim që ta bënin të birin e Zogollëve vegël për vete, e zgjodhën Ministër të Brendshëm.

Por Ahmet Beu, në saje të zgjuarsisë dhe të mençurisë së tij, doli superior ndaj të gjithëve dhe shumicën e këtyre, me dashje pa dashje, e bëri vegël për punët e tij dhe për synimet që ndiqte. Veprimet që kreu përgjithësisht shkëlqenin në sy të popullit dhe prandaj gjetën pëlqimin e duhur. Sa për Esat Pashën, kur ishte bërë gati që të nisej nga Parisi për në Shqipëri, mori dy plumba dhe shkoi e mbaroi në atë jetë.
 
Ahmet Beu, megjithëse është i buzëqeshur dhe me fytyrë të çelur, nuk qesh shumë; nuk flet shumë; nuk i pëlqen shakaja, nuk largohet nga serioziteti; nuk ndjen ndonjë qejf nga lodrat; nuk përdor pije; kurdoherë i menduar, kundrejt çdo ngjarjeje, qoftë e vogël ose e madhe; sillet me kujdes; mban besën ndaj mikut; adhuron aktivitetin dhe burrërinë; nga puna nuk mërzitet, nga rreziku nuk trembet; është i zoti të bisedojë me këdo sipas cilësisë të çdo njeriu dhe për çdo gjë ka një shikim të thellë.
 
Laik e i lirë nga paragjykimet, ka një qëndrim dhe durim të jashtëzakonshëm në realizimin e punëve dhe në arritjen e qëllimeve të tij. Armiqtë e zotërisë së tij, që në të vërtetë janë rivalët e tij, pretendojnë se është autokrat dhe këtë prirje të Ahmet Beut e konsiderojnë shumë të rrezikshme për një qeveri konstitucionale.

Por, duhet pohuar me ndërgjegje, se pas qeverisjes osmane dhe pas invadimit të të huajve, në qytetet dhe në malësitë e Shqipërisë, përgjithësisht në popullsinë tonë, nuk ishte e mundur të zbatoheshin plotësisht tërë ligjet e botës së qytetëruar dhe, sidomos, një burrë shteti nuk kishte mundësi të kënaqte dëshirat e çdokujt.

Një qeveri e dobët dhe demagoge (liberale) në Shqipëri nuk bën dot punë. Duhet një qeveri e fortë që të bëjë të dëgjohet e të respektohet urdhri i saj dhe të mbahet qetësia, prandaj qeveria është e shtrënguar të tregojë rreptësi në zbatimin e ligjeve. Ahmet Beu për sa kohë ndodhej në fuqi, u detyrua ta pranonte këtë nevojë të domosdoshme.

Forcimin e autoritetit qeveritar e konsideroi si qëllim kryesor, fitoi shumë mbështetës dhe kënaqi vetëm një pakicë nga ata që ushqenin lakmi dhe ambicie. Është e vështirë ta kuptosh si do të jetë e ardhmja e Ahmet Beut, por është e vërtetë se zotëria e tij këndon e thotë: “Lart e më lart, mbasi: “Yüksel ki, yerin bu yer deĝilder- Vendi (posti) yt nuk është ky vend”.

Ahmet Beu nuk e humbet rastin për t’ia arritur qëllimit, nuk e le punën me sot e me nesër, shtyje ta shtyjmë. Është për të vënë re se kur u vendos [të organizohej] mbledhja e Lushnjës, qeveria e Durrësit ishte kundër saj dhe për këtë mbështetej në forcat e Italisë. Esatistët ishin tarafdarë jo për një qeveri kombëtare. Ata dëshironin një principatë, që t’i vinte pas qejfit një xhahili dhe ambiciozi si Esat Pasha. Orientimi i vërtetë i popullit nuk dihej dhe kësisoj situata e përgjithshme shkaktonte merak dhe shqetësim.

Përballë këtyre tri fuqive shtypëse dhe dërmuese, që ishin gati për veprim, e vetmja mbështetje e atyre që ishin mbledhur në Lushnjë, ishte Ahmet Beu dhe forcat që ishin të lidhura me personin e tij. Kjo forcë përbëhej prej 300-500 vetësh. Ahmet Beu, duke i përbuzur rreziqet e çfarëdollojshme i vajti në ndihmë mbledhjes së Lushnjës dhe në saje të qëndrimit të tij burrëror, vendimet e Lushnjes u pranuan e u vunë në zbatim në një mënyrë të ndershme kombëtare.

Për këtë, Shqipëria duhet t’i jetë mirënjohëse. Me mençurinë e tij, Ahmet Beu e kishte çmuar situatën, gjithashtu kishte vlerësuar edhe të ardhmen dhe kishte vendosur të bëhej i pari. Tërë fuqinë dhe influencën e tij si edhe rrethin e administrimit, e organizoi sipas interesit të vet dhe ka ditur të përfitojë nga çdo rast.
 
Redaktimi shkencor dhe përgatitja për botim: nga Akad. asoc. Marenglen Verli dhe dr. Ledia Dushku

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (prin) 02.07.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ministri Balla: Bashkëpunim me vende të tjera për të luftuar krimin! Armëmbajtja pa leje shqetësim! Të vihen para ligjit zjarrëvënësit

Ministri Balla: Bashkëpunim me vende të tjera për të luftuar krimin! Armëmbajtja pa leje shqetësim! Të vihen para ligjit zjarrëvënësit