Më 25 prill 1993, të gjithë ne shqiptarët u ndjemë më mirë, kur Papa Gjon Pali II-të vizitoi Shqipërinë dhe puthi tokën shqiptare në aeroportin e Rinasit. Papa i famshëm polak ishte një reformator i madh i Kishës Katolike dhe i solli mesazhet kristiane të paqes dhe vlerave njerëzore shumë më pranë njerëzve, kudo në botë. Në një realitet ku e plagosen, e keqkuptuan, sulmuan ashpër dhe deri e izoluan disi politikisht, në përcjelljen e mesazheve të tij, ky Papë arriti të ngjallë shumë shpresë dhe të japë ngushëllim, por jo të ngjizë besim dhe tek fete e tjera, kudo në planet.

Afër 22 vite më vonë, në këto orë plot krenari që po përjetojmë sot, me ndjesinë se po na sheh dhe vlerëson e gjithë bota, Papa i bashkëjetesës paqësore dhe mospërjashtimit njerëzor, di dhe arrin të ngjallë edhe besim! Papa Françesku, me vizitën e tij në Tiranë, mund të na bëjë edhe një tjetër mrekulli, krahas rritjes ortek të imazhit pozitiv të shqiptarëve dhe Shqipërisë në planet. Mund të na ngjallë besim se klasa jonë politike mund të bëhet më e përgjegjshme për fatet e vendit. I pamë të gjithë protagonistët e jetës sonë politike, të dukeshin më njerëzorë dhe si më pranë njeri-tjetrit, aty në rreshtat e takimit me Papën në Presidencë, pa parzmore dhe heshta të helmëta sulmesh personale.

E dimë që nuk do të kalojë shumë dhe do të rimarrin sërisht armët e vjetra. Por të paktën, shpresojmë se do të përpiqen të jenë më njerëzorë. Kryeministri i sotëm bëri shumë mirë, kur falënderoi publikisht Presidentin e Republikës dhe Bashkinë e Tiranës, për kontributin e tyre të madh e të sinqertë në organizimin e pritjes së Papës. Për një ditë, nuk dëgjuam sharje dhe sulme personale nga politikanët tanë. Njëlloj si magjia e të shëtiturit në qendrën e Tiranës pa zhurma dhe makina, përjetuam magjinë e mungesës së sulmeve e tensionit politik në vend.

Do të kthehen zhurmat dhe sulmet politike, vallë? Sigurisht. Vrazhdësia e jetës sonë, mundësitë e pakta ekonomike, pasiguria po ekonomike për të ardhmen e familjeve tona, pamundësia për të gjetur një punë, frustracioni nga shërbimet publike të munguara ose jocilësore, do të na lidhin sërisht sy e veshë pas politikanëve sharës dhe shfryrës profesionistë. Por kësaj rradhe, me më pak besim se ata do të vijojnë të bëjnë ligjin dhe me më tepër shpresë se do të ketë më shumë duar të shtrira për bashkëpunim e mirëkuptim nga kjo shumicë e sotme qeverisëse. Mirëfilli, ajo dukshëm ngjan se është më tepër qytetare dhe më pak arrogante se shumica e djeshme. Dikush mund të thotë: prit, është ende herët, pse akoma nuk u ka ardhur këtyre dehja nga pushteti dhe ndjesia se janë të pagabueshëm! Ndoshta ka të drejtë, por me shpirt urojmë të mos ndodhë kështu. Që krenaria se jemi shqiptarë, bij të një toke që për 102 vjet ka kultivuar harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, të na japë paksa besim se edhe klasa jonë politike do të ndryshojë. Ende nuk e flakim dot cilësimin që vijojmë të jemi ndër vendet më të korruptuara të Evropës, por të paktën atë cilësim që jemi prodhimtarë e magazinë e patrazuar e drogës së lehtë në Evropë, e kemi shkurorëzuar! Tani, duhet të besojmë fort se Papa na dha një dorë të madhe! Krahas njohjes më të plotë dhe respektit për martirët tanë fetarë, mendoj se na dha dëshirën për t’u bërë qytetarë më të përgjegjshëm, dhe për t’u përpjekur si qytetarë, si media, si shoqëri civile, seriozisht të ndryshojmë për mirë politikanët tanë. Dhe bëhemi më të përgjegjshëm, kur dalim në rrugë dhe protestojmë, në protesta jo të organizuara politikisht, për gjëra që na indinjojnë dhe shqetësojnë si qytetarë. E kemi bërë për armët kimike, e bëmë (ndonëse shumë më të paktë në numër), për përgjegjësine morale të ish-Guvernatorit në vjedhjen e bankës qëndrore.

Duhet të vijojmë ta bëjmë më me forcë, më shpesh, për ¬çdo hall të madh publik që do të kemi. Kështu, do të na kthehet besimi se mund dhe do të arrijmë të bëhemi si Shtet, të ndryshojmë. Besimi se mund të rilindim si vend, si shoqëri. Kemi një aleat të madh, Papa Françeskun, njeriun që buzëqeshur maje makinës së bardhë bekonte pardje kokat e fëmijëve tanë! Kampionin e krishtërimit dhe të vlerave njerëzore, që lutet për tokën e martirizuar shqiptare, për bijtë e shqipes që do të dinë të fluturojnë lart dhe të kthehen në fole (janë fjalët e Atit të Shenjtë)...

Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print) 23 Shtator 2012

Redaksia Online
(a.ç/Shqitparja.com)