TIRANE- Të plagosurit nga lufta për të marrë Lagunën e Patokut, pasi janë shtruar në spitalin e Ushtarak në Tiranë janë vendosur nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave të policisë. Vetëm një kat ka ndarë të afërmit e familjes Prenga nga ata të Calës.

Ndërsa mbi 50 forca policore kanë rrethuar spitalin si dhe janë vendosur në korridoret e katit të dytë dhe të tretë, ku kuroheshin 7 të plagosurit nga lufta e fiseve për lagunën e Patokut. Të plagosurit, pas përplasjes mes tyre fillimisht ishin dërguar në Spitalin Rajonal të Laçit, e më pas, rreth orës 1 janë transportuar në Tiranë për një mjekim më të specializuar. Pas konfliktit mes dy familjeve Prenga dhe Cali, të plagosur mbetën Gazmir Jushi 39 vjeç, Eduart Prenga 36 vjeç, Tom Cali 66 vjeç, Gjergj Cali 55 vjeç, Gjok Cali 51 vjeç, Nikoll Cali 53 vjeç, si edhe Françesk Cali 30 vjeç.

Tre prej tyre, Gjok, Françesk dhe Gjergj Cali, pas mjekimeve të marra lanë ambientet e spitalit në mesditë, pasi gjendja e tyre shëndetësore ishte e qëndrueshme dhe jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa 4 personat e tjerë ndodhen ende në ambientet e Spitalit të Traumës. Mësohet se Tom dhe Nikoll Cali janë plagosur me armë zjarri, ndërsa 5 të tjerët janë plagosur me mjete të forta.

spitali i traumes sherri lac

RENEA në spital
Që në mesnatë, forca të shumta të forcave operacionale të RENEA-s kishin “pushtuar” Spitalin e Traumës në Tiranë, aty ku tashmë ndodhen edhe të plagosurit nga përleshja e tyre në Kurbin. Por ambientet e spitalit janë mbushur dhe nga të afërmit e të plagosurve, të cilët kanë kërkuar të kenë më shumë informacion për shëndetin e tyre. Gazeta “Shqiptarja.com” bëri një vëzhgim në ambientet e këtij spitali. Në hyrje të pavionit ishin vendosur rreth 50 efektivë të cilët lëviznin herë pas here në të gjitha anët e spitalit.

Të plagosurit ishin shtruar në dy dhoma të ndryshme e në kate të ndryshme. Në katin e dytë në Spitalin e Traumës, në fund të korridorit e në dhomën e fundit ishin të shtruar të plagosurit e familjes Cali. Në ruajtje të tyre ishin efektivët e policisë të cilët qëndronin të armatosur.

Po e njëjta panoramë shfaqej edhe në katin e tretë të spitalit, në dhomën që ishte shtruar vëllai i deputetit Prenga, Eduart Prenga, si edhe miku i tij. Në të dy dhomat e të plagosurve kishte më shumë se 5 efektivë policie të armatosur, kjo për arsye që mes pjesëtarëve të dy familjeve Prenga e Cali mos të kishte përplasje mes tyre. Po ashtu personat që dukeshin “të dyshimtë” në lëvizjet e tyre merreshin në pyetje prej policisë. Madje në disa raste u kërkonin edhe mjetet e tyre të identifikimit. Në korridorin e katit të dytë ishin familjarët e familjes Cali, si edhe të afërmit e tyre.

Me shqetësim dhe ankth herë pas here takoheshin e komunikonin me mjekët që ishin duke u kujdesur për ta, duke u interesuar për shëndetin e të plagosurve. Situata paraqitej e qetë edhe në korridorin e katit të tretë, aty ku ndodheshin edhe familjarë e të afërm të deputetit Prenga. “Nuk kam folur ende me Eduartin dhe Gazmirin që të di se cila është e vërteta e kësaj ngjarjeje. Vetëm ata e dinë arsyen e saktë”, tha një i afërm i familjes Prenga.
 
Të plagosurit u morën në pyetje në spital
Teksa 7 personat e plagosur ndodheshin në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë, një grup hetimor kishin shkuar për t’i marrë ata në pyetje për të hedhur dritë mbi ngjarjen e ndodhur në Kurbin. Efektivë të policisë janë paraqitur në dhomat e të plagosurve duke marrë dëshminë për ngjarjen e ndodhur pranë komisariatit të policisë së Kurbinit. Dëshmitë e 7 të plagosurve u morët gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, pas mjekimeve të marra nga mjekët e këtij spitali.

Po ashtu, përveç 36 personave të cilët u morën në pyetje në komisariatin e Kurbinit të cilët u pyetën nëse kishin dijeni për ngjarjen e ndodhur, dëshmi të tjera u morën edhe në Tiranë. Në pyetje u morën edhe pjesëtarët e tjerë të dy familjeve Prenga e Cali të cilët kishin ardhur në Spitalin e Traumës për t’u interesuar nga afër për gjendjen e tyre shëndetësore.

Nga të dhënat e përfituara prej dëshmive në spital, por dhe nga dëshmitë e dhënë nga të shoqëruarit do të ndërtohet një panoramë e qartë të asaj çfarë ndodhi. Gjithashtu dëshmitë do të jenë dhe provat e prokurorisë në gjykatë, gjatë shqyrtimit të çështjes. Të tjera elementë do të jenë dhe provat e gjetura në vendngjarje.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 6 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)