T’i drejtohemi Brera-s për
të zbuluar Ibrahim Kodrën

T’i drejtohemi Brera-s për<br />të zbuluar Ibrahim Kodrën
Kodra është një personazh në artin italian. Jeta, personaliteti dhe krijimtaria e tij, ende janë në kërkim të njohjes së plotë në vendin fqinj. Kodra është edhe personalitet shqiptar, pasi lindi, e nisi edukimin në Shqipëri dhe me memorie e imazhe piktorike nuk u nda prej saj. Sipas kësaj logjike, Kodra edhe në vendin tonë, është një figurë e rëndësishme e kulturës figurative, pasi jeta dhe krijimtaria e tij janë në kërkim të njohjes. Në Itali shumë tekste e cilësojnë Kodrën si një personalitet të artit modern dhe kjo na nxit për një njohje tërësisht cilësore. 
Ibrahim  Kodra me origjinë shqiptare i lindur në Ishëm apo Isammus apo Pistum, i njohur me këtë emra, në hartat e grekëve dhe romakëve të lashtë, u vlerësua në Itali dhe nga Italia si një nga artistët me vlerë. Krijimtaria e tij u rrit dhe konstruktua gjatë gjithë gjysmës së dytë të shek. XX, por ajo mori famë në vitet '50-'60. Kjo do të thotë se, për çdo historian apo kritik shqiptar, njohja dhe pikënisja e mendimeve të tyre mbi Kodrën dhe krijimtarinë e tij, sugjerohet të nisë nga kultura e formuar gjatë kësaj kohe në Itali dhe veçanërisht në Milano. 
Na duhet t'i drejtohemi Breras, t'i referohemi vëmendjes së Aldo Kapri-t, që ishte pedagogu dhe mbrojtësi i tij, Eva Teo-s, pronësores dhe historianes së artit, që udhëhoqi intelektin e tij teorik, të njohim marrëdhëniet dhe frekuentimin e hershëm artistik me Marlotti-n, Dova-n, Brindisi-n, Cassinari-n, Guttuso-n, Birolli-n dhe më pas me Ajmone-n, Bonfante-n, Peverelli-n dhe Dario Fo-n, të gjithë artistë të njohur të kohës.
Na duhet të orientohemi konkretisht nga idetë vlerësuese për Kodrën, që nisin me vitin 1947 dhe Paul Eluard, i cili kur pa punimet e moshës së re tha se kanë tejkaluar gjuhën poetike europiane.  Në 1948, me  Picasso-n, i cili pas disa takimesh (në Kongresin e Paqes ne Canë) dhe njohjes me një seri të dendur vizatimesh të Kodrës dha një gjykim miklues. E quajti mik, e vlerësoi pikturën e tij si të pashoqe dhe firmën e krahasoi të njëjtë me vizatimet e piktorit.
Në vitet në vijim krijimtaria e Kodrës u mor në konsideratë dhe vazhdoi të vlerësohej nga një kritikë e kualifikuar të kryer nga Carlo Bo, Lucio Cabutti, Maroi Stefanile, Franco Russoli, Luigi Carluccio, Marco Valsechi, Guido Ballo, Renzo Bertoni. Në tërësi ata vunë re dhe theksuan shijet orientale bizantine dhe neobizantine. Dhe nxorën në dritë një dimension të brendshëm. E cilësuan si dimensionin euklidit apo të një ideje harmonike që depërton në marrëdhëniet e natyrës me njeriun. 
Duke bërë një kalim të shpejtë mbi bibliografinë ekspozuese të Kodrës gjen se është në listë me Picasso-n, Chagall-in, Roualt, Dufy-në, Matisse. Xhanino Mastronardi shkruan në 2004, në librin "Shkëlqim Mesdhetar" apo "Solarita Mediterranee" se Carlo Bo e cilësonte Kodrën "simbol i gjeneratës". Ky ishte një përcaktim konstruktiv shumë i rëndësishëm i kohës për Kodrën, që u kthye si një shenjë dhe nxiti një fillim të mbarë në jetën e tij artistike.
Në vijim, idetë e sotme, të miat, nuk marrin përsipër të zbulojnë fenomenin e individit Kodra, i cili është i shtrirë në dimensionin dy qendror gjeografik Itali dhe Shqipëri, as të rok të gjithë fenomenin artistik Kodra, i cili ka marrë vlerësime me një shtrirje të gjërë ndërkombëtare, por shkurtimisht më lejoni të bëj një panoramë sintetike rreth gjurmëve vizuale që ka lënë Kodra. 
Për të hyrë në botën e Kodrës, fillimisht, po citoj disa fjali nga një tekst i shkruar 10-të vite më parë nga Xhanino Mastronardi. "Legjenda e Kodrës filloi kohë më parë dhe u pasurua përmes episodeve kalorësiake, të çuditshme dhe kokëshkreta. Ajo nisi nga Bari, udhëtoi drejt Romës dhe përfundoi në Milano. (Në parantezë ne duhet të themi se ajo nisi në Ishëm, shkoi drejt Durrësit, Tiranës, pastaj Barit, Romës dhe Milanos). Mastronardi vijon se Kodra ishte një artist i çiltër, autentik dhe i vërtetë. Ai bënte një jetë romaneske apo aventureske, siç bënin njerëzit e shquar. Ai krijoi një botë fantastike dhe poetike të figurave, të cilat i krodhi në ngjyrat e ylberit dhe krijoi një botë të zanafillës së tij".
Për ta parë më konkretisht legjendën e tij aventureske, duhet të shprehem se Kodra e ka zhvilluar atë në disa periudha, ku gjenden të depërtuara cilësitë krijuese, idetë sintetike, emocionet e nëndheshme, imazhet e sipërfaqes, ndijimit, fantazia, memoria, fëminija, atdheu, ndikimet, variacioni i temave, i objekteve, i figurave, gjinitë, teknikat dhe mediumet.
Krijimtaria e tij e ekspozuar fillon në vitet '50. Ai u largua nga Brera pasi kishte fituar pjekurinë artistike dhe aftësinë e vizatimit. Në pjesën e parë të viteve '50 Kodra krijoi qindra fletë të vizatuara, me vizatimeve në bardhë e zi dhe me ngjyra të bojës së kinës. Vizatoi pafund portrete, figura nudo, kuaj, duar, gra shtatzëna, nënën dhe fëmijën, lojtarë futbolli, hedhësdisku dhe fëmijë.
Në '44 Ibrahim Kodra dhe Ciro Agostini hapën studion e tyre të përbashkët. Kjo solli përvojat e para, rriti numrin e veprave dhe të ekspozimeve në Itali, Europë dhe ShBA. Shpesh herë imazhi i tyre i përket ngjarjeve të rezistencës e të luftës, të cilat buruan probleme sociale dhe politike Përvojat e para anojnë nga abstraksionizmi dhe kubizmi. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe mendimet kritike dhe amatorët e artit e zbuluan si një artist, që për herë të parë i dedikohej njeriut me gjysmë ekspresionizmin e tij të ri dhe me origjinalitet. Është një periudhë e angazhuar dhe në marrëdhënie me disa grupe artistësh, shumë të njohur të asaj kohe, e cila i ofroi Kodrës një periudhë shprese. Në këtë periudhë mund të thuhet se po fillojnë të tejkalohen imazhet si përfaqësim i realitetit pasqyrues dhe shfaqen katër struktura piktorike, të cilat burojnë nga ndjesi të ndryshme të shfaqjes së dritës. Drita si shpërthim prej fundit të fërkimit, drita si përthyerje e ngjyrës në hije, drita si shenjë e dalluar dhe drita si ringjallje e memories mbi të shkuarën. 
Duket sikur Kodra kishte ndërtuar një situatë piktorike paraprake e të pëlqyeshme, që e çoi përballë viteve 1950-1960, të cilat u quajtën vite legjendare të krijimtarisë së tij. Piktura dhe vet Kodra u trupëzuan si një mit i vetëm në sytë e kolegëve të tij në Brera, Milano dhe Europë. Në vitet '60, Kodra la pas temat ekzistenciale, poezitë e viteve '50, tensionet sociale dhe politike. Ai filloi të drejtohej nga ndijimet magmatike, do të shkruante Aldo Gerbino, që disa herë ishin torturuese dhe herë të tjera i rigjallëronin kujtesën e heshtur. Piktura e tij ishte gjithmonë e përzgjedhur për ekspozime të rëndësishme. Bienalia e Venecia dhe disa galeri me emër të kohës i japin një vend nderi në krah të artistëve avangardë si Picasso, Shagall, Matisse, Severini, Modigliani dhe Leger. Struktura piktorike e Kodrës filloi të shfaqë  sipërfaqe të gurta të tipit dentrit, që shtrihen në plan të sheshtë dhe të gjërë, i cili  përshkruan të gjithë telajon, që më pas piktori e piklon në forma pupilash të ndryshme. Në raste të tjera, të cilat vlerësojnë origjinalitetin Kodran, u shfaqën imazhe që duken si regjistrimi preciz i ndijimeve të forta dhe të njëpasnjëshme. Veprat e kësaj periudhe lidhen me ringjalljen e kujtesës për detin dhe morfologjinë e tij, me thirrjet embrionale dhe konstruktin e tyre hijesor, me hapësirat vizuale në lëvizje dhe me trajtimin mjegullor të paraqitjes së sipërfaqes së pikturës.
Vitet '70 dhe '80 lënë pas strukturat piktorike të dritës dhe të ndijimeve, por aspak vazhdimin e krijimit të tyre në kohë sporadike. Gjatë këtyre viteve Kodra filloi të pasqyrojë lëndën jetësore dhe konkrete. Piktura e tij u bë shprehje e lojës së objekteve planetare dhe gjeometrike. Ai vuri në qendër figurën e gruas dhe i dha biografi të ndryshme subjekteve. Përzgjodhi figurat e muzikantëve të folkut. Ishte një shprehje e re që i dha zhvillim të ndryshëm sipërfaqes piktorike. Ai ndryshoi konceptin mbi vëllimin. Ndryshoi konceptin mbi strukturën e paraqitjes së objektit. I dha funksion vijave të drejta vertikale, horizontale dhe zigzake. Ai depërtoi mbi to gjeometriken e trekëndëshit, drejtkëndëshit, katrorit, rrethit, gjysëm rrethit dhe linjës harkore. Simbolikën e sfondit e ndau në dy sipërfaqe. Ai krijoi modulin e tij që u përcaktua si totemi apo idhulli i Kodrës, të cilët do ta shoqërojnë deri në fund të jetës krijuese. Totemët e tij nuk janë thjesht një motiv figurativ. Përmes tyre Kodra ka arritur të ketë disa avantazhe shprehimore. Fillimisht ata janë dija e tij mbi marrëdhënien e imazhit si simbol i një skenari apo një përmbajtje të thjeshtë. Totemët janë mbartës së ngjyrës embrionale dhe membranore të Kodrës, të cilat nuk transformohen me shfaqjen e strukturave të reja gjeometrike, por bëhen më të kapshme dhe përcaktuese. Totemët gjeometrikë janë zëra dhe echo. Kodra thotë se janë dëshira absolute që shkurtojnë distancat e largëta.
Në vitet '90 dhe 2000 Kodra bëhet shprehës i një strukture piktorike të cilën e quan "Një urbanistikë e re" apo "una nuova urbanistika". Në këtë periudhë krijimtarie Kodra paraqet se është njohës edhe i një gjuhe tjetër, të cilën kritikët e kohës e kanë vlerësuar dhe cilësuar gjuhë sinkretike, të lindur nga marrëdhënia e traumave piktorike me echon arkitektonike bashkëkohore. Carmelo Strano do të shkruaj rreth kësaj strukture piktorike, e cila përbëhet prej një cikli me shumë piktura, se: "...Edhe një herë Kodra, siç ka bërë gjithmonë me personazhet e tij dydimensional përmes postkubizmit dhe shijeve orientale, ngrihet si një tregimtar kalvinian, pasi për të përralla, pra subjekti është rezultat si i një ideje paradoksale, si i një sjellje njerëzore dhe si i një aspekti jo rastësor i një përvoje kulturore". Kodra transferon vizionin e vet arkitektonik në pikturë në arsye të evidentimit të përvojës kulturore. Ai në mënyrë ideale ndërton qytetin e tij, duke rralluar format e tij kubiste të ndërtesave, shton hapësirat dhe tensionon transparencën tonale dhe shprehëse të timbrit të ngjyrave.
Kodra në vitet e jetës së tij na ka lënë një trashëgimi faktesh dhe shumë motive, për të cilat duhet biseduar, trajtuar dhe evidentuar. Koha në këtë rast ikën dhe natyrisht duhet folur mbi psikologjinë dhe tipin e tij njerëzor, për sasinë e madhe të veprave, për vendin ku ndodhen, për serigrafitë e tij, për qeramikën dhe mermerët, për detaje të jetës, të njohjeve. Për poezitë, për muzikën që e kishte hobi dhe se ishte një këngëtor i poezive të Lasgushit, për dashurinë dhe kujtesën në temat që i kushtoi Shqipërisë, për miqësinë arbëreshe, për ardhjet në Shqipëri, për titujt, çmimet dhe vlerësimet që ka marrë. Për Ibrahim Kodrën ka pafund për të folur e shkruar.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024