Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku thotë se avancimi i Shqipërisë drejt integrimit evropian është një fasadë e sajuar nga qeveria. Tabaku nga foltorja iu referua raportit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë duke thënë se nuk mund të trajtohet si propagandë pasi aty Shqipëria kritikohet për nivelin e lartë të korrupsionit, zgjedhjet e kapura nga pushteti si dhe ekonomia që i shërben vetëm qeverisë.

“Sot përballë shqiptarëve ekzistojnë 2 vizione të kundërta: nga njëra anë, një qeveri që përpiqet të ndërtojë fabulën e integrimit pa probleme. Një fabul ku integrimi reduktohet në miratime ligjesh me porosi, që mbrojnë interesa dhe propagandë institucionale. Nga ana tjetër është opozita, shoqëria civile, qytetarët që kërkojnë ndërtimin e Evropës këtu në Shqipëri, si një standard jetese, demokracie e shteti.

Integrimi nuk është marketing politik, as garë deklaratash, as numër ligjesh të miratuara në errësirë; është ekonomi funksionale, sundim ligji, ndarje pushteti, zgjedhje të lira dhe respekt për qytetarin, e jo një parti që kontrollon shtetin.

Pas gjithë kësaj fshehtësie ekziston edhe frika që qeveria ka nga standardet, transparenca dhe vetë procesi i integrimit. Raporti i PE nuk është propagandë, është një pasqyrë politike dhe demokratike e vendit. Na thotë që Shqipëria ka rënë 11 vende në indeksin e korrupsionit në vend. Sistemi që mbron të fortët nuk duhet të ekzistojë, propaganda nuk zëvendëson rezultatet.

Raporti flet edhe për zgjedhjet. Kemi referimin për OSBE-ODIHR, që flet për terren jo të barabartë zgjedhor, për blerje votash dhe presion ndaj qytetarëve. Raporti ndalet edhe te media, ku situata është alarmante. PE dënon sulmet ndaj gazetarëve të pavarur, si dhe presionin ekonomik. Demokracia vdes kur mbytet fjala e lirë.

Një qeveri që beson te Evropa nuk i frikësohet debatit, opozitës dhe transparencës. Evropa nuk ndërtohet me propagandë, por me standarde”, tha ndër të tjera Tabaku.


Lajmi kryesor:

Akti normativ për uljen e akcizës/ Malaj: Synon të mbrojë konsumatorin! PD: Politikë shpopullimi, alibi për të mos ulur taksat