ATSH/- Partia Demokratike vijon të akuzojë qeverinë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët duke nisur nga 1 janari i vitit 2015.
Në një deklaratë për mediat, deputetja Jorida Tabaku tha se do të ketë rritje të çmimit të energjisë për 75 % të familjeve shqiptare dhe për biznesin.
"Nga 1 janari i vitit 2015 shqiptarët do të paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Ato shtresa në nevojë, pensionistë, persona me aftësi të kufizuara e kushdo që ishte i mbrojtur deri më sot, falë qeverisjes socialiste do të paguajnë 9.4 lekë/ këh në vend të 7.7 lek / këh (dhe kjo pa TVSH). Plot 24 përqind më shumë!", deklaroi Tabaku. Për bizneset e mëdha, theksoi Tabaku, rritja e çmimit të energjisë është 11.8%, ndërkohë për sektorë si industria rritja është 33% ndërsa për bujqësinë rritja është 35%.










