Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se 250 të mitur janë mes mbi 1 mijë të rinjve të arrestuar ose të shoqëruar nga policia gjatë nëntë ditëve të protestave në Tiranë. Pas një vizite në Bllokun e Sigurisë, ajo akuzoi efektivët për 'dhunë barbare' ndaj protestuesve e veçanërisht ndaj vajzave.

"Mbi 1 mijë të rinj janë arrestuar e shoqëruar gjatë këtyre nëntë ditëve protestë. 250 prej tyre janë të mitur, të cilët nuk janë kursyer nga dhuna barbare, nga goditjet dhe tërheqjet, edhe në momentin kur janë identifikuar si të mitur. Janë të rinj, të mitur, të cilët po kërkojnë një Shqipëri ndryshe.

Sot takova dy 14-vjeçarë që thjesht kanë qenë në një cep të protestës, pa ushtruar dhunë, me duar në xhepa, të cilët edhe ata nuk janë kursyer. Dhe i pyesin se përse protestojnë?! Të rinjtë sot protestojnë pikërisht kundër kësaj dhune, kundër këtij përqendrimi pushteti. Kërkojnë një Shqipëri më të mirë.

Protestojnë për kushtet ekonomike të familjes, për meritokracinë e munguar, për më shumë mundësi, për një arsim më të mirë. Ata sot po bëhen zëri i një Shqipërie që duhet patjetër të ngrihet. Një Shqipërie që sot flet me zërin e tyre, ka dalë në rrugë me të rinjtë dhe po merr gjithmonë e më shumë mbështetje.

Dhuna barbare e policisë, tërheqjet në mes të rrugës ndaj vajzave, ndaj të miturve, ndaj kujtdo, pa iu dridhur syri, tregojnë vetëm që Shqipëria sot është gjithçka përveçse europiane. Nuk mund t’i kërcënosh të rinjtë me bursa. Nuk mund t’i kërcënosh mësuesit me rroga. Nuk mund t’i motivosh e t’i shpërblesh policët vetëm përse ushtrojnë dhunë. Kjo nuk është Shqipëria europiane. Dhe këta të rinj po kërkojnë pikërisht një Shqipëri të tillë: një Shqipëri europiane" tha Tabaku 


Lajmi kryesor:

Berisha mbledh Kryesinë e PD: Rama po kërcënon protestuesit me ‘black-lista’ të nxjerra nga arkivat! ‘Kartën’ e Antifa-s e përdori për të mashtruar ndërkombëtarët (VIDEO)