TIRANE – Gjyqtari Neritan Tabaku, i cili akuzohet për moszbardhjen e vendimit ndaj Ilir Xhakjes, nuk është paraqitur as sot pranë organeve të akuzës. Shmangja e institucioneve të drejtësisë nga Neritan Tabaku vjen e përsëritur, pasi pak ditë më parë gjyqtari nuk i është përgjigjur as thirrjes të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ku ishte thirrur për të dhënë shpjegime në lidhje me pozicionin e tij.

Dhe pse ky orar ishte parapërcaktuar me konfirmim nga Neritan Tabaku, ka qenë ky i fundit, i cili ka njoftuar që s’mundej të ishte i pranishëm sepse avokati i tij ishte i zënë me punë të tjera, duke kërkuar që të caktohet një orar për ditën e nesërme.

Burime nga prokuroria konfirmojnë për televizionin A1Report se nëse Tabaku nuk do të respektojë paraqitejn pranë organit të akuzës atëherë ndaj këtij shtetasi do të nisë procedimi penal në mungesë.

Aktualisht Tabaku është pa imunitet dhe person në hetim nga drejtësia shqiptare pasi akuzohet për moszbardhjen e vendimit ndaj shtetasit Ilir Xhakja, çka dyshohet si shkaku kryesor që i dha lirinë Xhakjes, nga ku më pas ky i fundit vrau dhe kryekomisar Adem Tahirajn në fshatin Katund të Shijakut.

Në takimin e fundit të KLD,-s ka qenë vetë presidenti i Republikës Bujar Nishani, i cili ka njoftuar një mbledhje të posaçme vetëm për çështjen Tabaku, nga ku me një njoftim për mediat, KLD bëri me dije se kjo seancë plenare me kërkesë dhe të Ministrisë së Drejtësisë është caktuar ditën e premte më 30 nëntor.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)