Debate për 'Konkurrencën'/ Ibrahimaj: PPP nuk janë turp! Ahmetaj-Tabakut: E ke bërë zakon që përmend emrin tim, të kam paralajmëruar! Përgjigjet deputetja e PD: Nuk kam frikë nga kërcënimet

Çmimet e larta në vend dhe raporti i Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2021 ka nxitur debate këtë të enjte në Kuvend. Deputetja demokrate Jorida Tabaku replikoi me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj për masat e marra nga qeveria për të përballuar krizën. Teksa diskutohej për raportin e Autoritetit të Konkurrencës në Kuvend, Tabaku tha se çmimet rriten dhe ngrihen bordet por nuk japin asnjë rezultat.

Ndërsa Delina Ibrahimaj mbrojti projektet me PPP të qeverisë shqiptare duke thënë se nuk janë turp, Tabaku iu përgjigj duke i thënë se është turp të shkosh në burg për PPP. Debati i Jorida Tabakut vijoi edhe me zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili i bëri me dije se e ka paralajmëruar pasi ia ka përmendur shpesh emrin, ndërsa deputetja demokrate iu përgjigj se nuk është e frikësuar nga kërcënimet dhe e bën gjumin e qetë pasi nuk ka hedhur firma për inceneratorët. Por Ahmetaj u shpreh i bindur se mban përgjegjësi për çdo firmë të hedhur. Edhe më parë, Ahmetaj e ka paralajmëruar Tabakun duke i thënë që bota është me rrota dhe duhet të lërë drejtësinë të bëjë punën e saj.

Për rritjen e çmimeve reagoi edhe deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, i cili tha se ekzistenca e bordeve për rregullimin e çmimeve të shportës dhe të naftës është abuzimi më i madh në treg.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:29
Tabaku i përgjigjet zv.kryeministrit: Më kërcënoi! Të hetojë nëse do, nuk kam frikë

 

Pas replikës me deputeten e PD, zv.kryeministri Arben Ahmetaj u largua nga salla e seancës plenare. Jorida Tabaku pretendon se Ahmetaj e kërcënoi dhe i bën thirrje që të hetojë nëse dëshiron pasi ka fuqinë e shtetit, por nuk ka frikë.

“Nuk është këtu zotëria që më kërcënoi. Sa për dijeni, jam Jorida Tabaku, e kam për krenari që vij nga dy familje të mëdha të Tiranës, e kam për krenari. Ka 9 vite që është në pushtet dhe ka qenë përballë meje për vite me radhë, unë flej e qetë, nuk kam frikë se më zgjon ndonjë thirrje nga SPAK. Nëse do të hetojë, le të vijojë, ka të gjithë fuqinë e shtetit. Mua nuk më intimidon as kërcënon dot ashtu siç nuk më ka intimiduar në çdo mënyrë që është përpjekur në Komisionin e Inceneratorëve”, përfundoi Tabaku.

Ora 12:16
Zv.kryeministri-Tabakut: Duhet të jetosh 3 herë të bësh shkollat e mia! Të kam paralajmëruar që po e tepron, jam krenar për firmat e mia

 

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka replikuar menjëherë ndaj Jorida Tabakut. Ishte deputetja e PD që i tha se zgjohet e qetë pasi nuk ka hedhur firma për inceneratorët, ndërsa Ahmetaj iu përgjigj duke i thënë se është krenar dhe mban përgjegjësi për këtë. Nga ana tjetër, Ahmetaj iu përgjigj Tabakut, e cila i tha se është mësues anglishte që mëson Ekonomiks.

"Ty do të duhet të jetosh 3 jetë të bësh shkollat e mia, por kënaqu me fjalët e tua. Unë do firmos për investime publike deri kur kryeministri im, grupi im parlamentar dhe qytetarët të më autorizojnë në një detyrë ose në një tjetër, qoftë këtu, qoftë atje. Ta kam thënë një herë dhe do vijë shumë shpejt, se cfarë shkon rrotull vjen rrotull. Do i filloj gjërat unë që nga Genova deri tek firmat e tua për shtëpinë tënde. E ke bërë zakon, e përmend emrin tim. Të kam paralajmëruar miqësisht që po e tepron. Nuk ke dëgjuar. Jam krenar për firmat që vë dhe mbaj përgjegjësi vetë, edhe politikisht, edhe personalisht", tha Ahmetaj.

Ora 12:11
Braçe: Ekzistenca e bordeve për rregullimin e çmimeve është abuzimi më i madh në treg

 

Këtë të enjte në Kuvend u diskutua edhe raporti vjetor i Autoritetit të Konkurrencës. Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend, tha se ekzistenca e bordeve për rregullimin e çmimeve të shportës dhe të naftës është abuzimi më i madh në treg.

‘Ekzistenca e bordeve është abuzimi më i madh në treg. janë marrëveshje që kanë cenuar konkurencën në vite. Drithin e kanë 4 kompani, orizin atë kokërrgjatin 95% të tregut e kanë 3 kompani, i gjithë ushtrimi i bordit kanë njohur edhe abuzimin. Jemi në regjimin e rregullimit të çmimeve nga bordet. Tregjet tek ne janë këneta, nuk ndryshon asgjë në to. Tregu i naftës që kishte 5 operatore ka sot 4 operatorë kryesore. Tregjet e  tjera janë në po të tilla kategori. Ne nuk ja dolëm do të të hiqnim barrierat e vendosura, e të krijonim hyrjet e reja në treg. Duhet luftuar buzimi ose me tregtarët ose me fshatarët’- tha Braçe.

Ora 12:06
Tabaku replikon me zv.kryeministrin: Ndoshta jam e paditur, por zgjohem e qetë se nuk kam firmosur ndonjëherë për inceneratorët

 

Jorida Tabaku ka replikuar me zv.kryeministrin Arben Ahmetaj duke i thënë se fle e qetë sepse nuk ka hedhur asnjë firmë për inceneratorët. Ndër të tjera tha se situata ekonomike në vend është problematike dhe se inflacioni po ndikon negativisht në ekonomi dhe konsumin e qytetarëve e bëri vërejtje në lidhje me shpenzimet e qeverisë.

"Ndoshta mund të jem e paditur se nuk jemi të gjithë mësues anglishte që mësojmë Ekonomiks, por të paktën zgjohem e qetë nga gjumi se tendera për koncesionet dhe inceneratorët nuk kam firmosur ndonjëherë. Tendenca për rritjen e cmimeve ka filluar vitin e kaluar në gusht-shtator. Sot ndërkohë që flasim, qeveria shqiptare ka miratuar një plan masash në shkurt të këtij viti për masa sociale për rritjen e cmimeve ndërsa inflacioni ka arritur në këtë muaj në thuajse 7%. Kjo tendencë ndihet më shumë tek ata që janë më të varfër. Në këtë situatë ekonomike, ka vetëm 1 përgjegjës, shkurtditësia e kësaj qeverie. Në situatën ku jemi duhet të kishit marrë masa të tjera", tha Tabaku.

Ora 12:03
Zv.kryeministri-opozitës: Nëse doni të godisni një fenomen, shihni çfarë ndodh që të mos flitet përmbys

 

Zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka folur për Autoritetin e Konkurrencës duke thënë se ka rekorde pozitive për gjatë vitit të kaluar. Në Kuvend, tha se duhen parë të gjitha të ardhurat, ndërsa shtesa do të shkojë për investime publike dhe paketa sociale. Duke iu referuar opozitës shtoi se kushdo që do të flasë për këto çështje, duhet të marrë informacione nëse do të godasë një fenomen të drejtë ose të gabuar.

"Nuk them që Autoriteti është perfekt, por rekordet janë pozitive. Nëse profesionalisht doni të mbroni ose godisni një fenomen të drejtë ose të gabuar, shihni çfarë ndodh në doganë. Cilat kompani importojnë? Sa janë marzhet e fitimit etj, në mënyrë që kur flitet këtu, të mos flitet përmbys, por drejtpërdrejt dhe të vihet një tullë në atë që mund të përmirësohet. Qeveria do vazhdojë të bëjë investime strategjike, do vazhdojë ta aplikojë ligjin për investime strategjike që është i hapur për këdo. Po të shohësh të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë në rritje, gjë që ju duhet ta gëzoni. Gjithë shtesa e të ardhura shkon për investime publike dhe për paketa të mundshme sociale", tha Ahmetaj.

Ora 11:57
Tabaku: Nuk është turp të bësh PPP por turp është që të arrestohesh për PPP-të

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka replikuar me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj për masat e marra nga qeveria për të përballuar krizën. Teksa diskutohej për raportin e Autoritetit të Konkurrencës në Kuvend, Tabaku tha se çmimet rriten dhe ngrihen bordet por nuk japin asnjë rezultat.

Ndërsa Delina Ibrahimaj mbrojti projektet me PPP të qeverisë shqiptare duke thënë se nuk është turp të bësh PPP. Për këtë replikoi deputetja e PD duke i thënë se nuk është turp të bësh PPP, por të shkosh në burg për PPP dhe përmendi se tregu ka probleme më jetike, ndaj Autoriteti i Konkurrencës duhet të merret me çështje të tjera, jo me tregun e Playstation 5.

Debati i plotë:

Jorida Tabaku: Në fillim të këtij viti patëm një rritje të çmimeve të ushqimeve. Autoriteti i konkurrencës dhe qeveria nuk morën masa. Patëm protesta masive. A patëm masa nga ana e qeverisë dhe institucionet shtetërore? Çmimet vazhdojnë dhe rriten, ngrihen struktura atipike komuniste si bordet, përsëri nuk ndodh asgjë.

Delina Ibrahimaj: Në vitin 2021 inflacioni nuk ishte rritur, ka filluar të rritet brenda këtij viti. U rrit në janar me 3.7%, në shkurt me 3.9%, në mars me 5.7% dhe në prill me 6.2%. e vërtetë u rrit, por filloi të rritet këtë vit. Është e lehtë të dalësh të flasësh pa shifra, me supozime, po nuk është e lehtë të marrësh vendime që japin rezultatet e duhura. Ne kemi marrë vendimet në kohën e duhur dhe po shohim që rezultate deri tani janë ato të duhurat. Konsumi deri tani nuk ka shfaqur shenja rënie, siç shfaq zakonisht në periudha inflacioniste. Autoriteti i konkurrencës ka qëllimet e veta që janë të përcaktuara me ligj. PPP nuk janë turp të përmenden. Janë procese dhe procedura që ndiqen nga gjithë vendet e botës për të financuar investime madhore të cilat nuk mund të mbarten nga buxheti i shtetit. Procedurat janë transparente dhe i shërbejnë vendit thuhet që kjo qeveri po bën porte dhe aeroporte. Po pse është turp të bësh porte dhe aeroporte? Është turp ta bësh Shqipërinë me 3-4 aeroporte? Unë mendoj që jo.

Jorida TabakuGjithmonë me lehtësinë e papërballueshme të arrogancës përgjigjet ministrja që nuk ka kaluar nga shkallët e duhura të meritokracisë. Nuk është turp të bësh PPP por turp është që të arrestohesh për PPP-të apo si puna e atij tjetrit që mund të shkojë prej Check Up.

Tregu ka sot probleme më jetike dhe pres që AK të mos merret me tregun e Play Station 5 dhe jo me gjëra më të rëndësishme. Çmimet e produkteve janë rritur me kohë, janë rritur çmimet për miellin, për sheqerin, për naftën që nga shtatori por ju e keni mohuar dhe sot vini këtu dhe gënjeni.

I thashë ministres që jemi në një situatë stagflacioni dhe ministrja e mohonte ndërkohë që sot po flasim për këtë. Dhe e fundit, sot qeveria po bën biznes me krizën si spekulatore. Po bëjnë biznes në kurriz të qytetarëve shqiptare janë për bukën e gojës. Kur sot po rriten çmimet. Po ndajmë ne para për popullin shqiptar, a thua se janë paratë e tyre por harrojnë që janë paratë e buxhetit të shtetit. Në fund, ju kujtoj që të jeni pak më të qetë dhe më me edukatë kur përgjigjeni!"

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar