Me një gjatësi rreth 3.5 km dhe 300 m thellësi kanioni i “Grykës së Vanave” në afërsi të fshatit Topojan, të Kukësit ofron një tablo magjike në këto ditë të ftohta janari.
Pjesë e degës së lumit Drin i Bardhë, nga “Ura e Topojanit” deri në “Shtrezë”, ky monument natyre ndodhet nën pushtetin e plotë të borës duke ofruar një pamje mahnitëse për syrin e vizitorëve.
Ndodhur në një lartësi mbi 600 m mbi nivelin e detit, për Drejtorin e Turizmit në Bashkinë Kukës, Arben Palushi, ujëvarat e lumit “Topojan”, janë një mundësi e pafund eksplorimi për natyrën shqiptare.
"Lumi i Topojanit është ende e paprekur, një nga pjesët më të bukura që ne kemi, ka disa ujvara njëra pas tjetrës, ka dhe popullatat më të mirë të troftave të malit. Ujvarat janë njëra më e bukura se tjetra, kemi menduar dhe vendosjen e një ure, që të jetë e aksesueshme për turistët", tha Arben Palushi, Drejtori i Turizmit në Bashkinë Kukës.
E krijuar nga gërryerja e shkëmbinjve, Kanioni i Vanave është një grykë e thellë pjesë e parkut Korab-Koritnik, që është përfshirë tek monumentet natyrore të zonave të mbrojtura të turizmit malor në Kukës.