TIRANE- Admir Tafilaj, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i konsideruar nga prokuroria e Krimeve të Rënda si kreu i një grupi kriminal që kryente vrasje me pagesë, ka mohuar akuzat teksa është shfaqur dje në gjykatë. Tafilaj është shoqëruar nga burgu i Bradasheshit në gjykatë, në masa të rrepta sigurie, ndërkohë që në sallën e gjyqit ka deklaruar se ai nuk ka dhënë asnjë urdhër për të kryer vrasje. Kjo pasi sipas tij, ai ka hasmëri me një familje në Shkodër dhe nuk kërkon të hapë hasmëri të tjera për anëtarët e familjes së ndodheshin jashtë burgut.

Në rrëfimin e tij, Tafilaj ka pranuar të ketë pasur njohje me dy të arrestuarit e kësaj dosje të penduarin Kristi Pine dhe Alfred Qefalinë, por ka mohuar që ai të ketë urdhëruar nga burgu ata për të kryer vrasje. Nga ana tjetër avokati mbrojtës i Tafilajt ka deklaruar se dëshmia e Kristi Pines të mos merret si prova nga ana e gjykatës, pasi thënien e tij mbeten të pambështetura në prova konkrete, por mbetet vetën në kushtet e deklarimeve. Mirëpo këto pretendime nuk janë marrë në konsideratë nga gjykata e cila ka vendosur të lenë në masën e “arrestit në burg” shtetasin Admir Tafilaj.

Kunati mbetet në burg 
Pas Tafilit, para gjykatës doli i akuzuari si vrasës i grupit Alfred Qefalia, i cili u njoh me akuzën zyrtare të vrasjes me paramendim në bashkëpunim. Edhe Qefalia mohoi akuzat, duke pretenduar se shoku i tij Kristi Pine nuk thotë të vërtetën.

Ai shkoi edhe më tej, duke akuzuar prokurorinë për manipulimin e dëshmisë dhe provave. Por pavarësisht qëndrimit mohues, Gjykata e njohu Qefalinë me vendimin e dhënë në mungesë ndaj tij, për akuzën e “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, “Vrasje” dhe “trafik droge”. Gjykata e Krimeve të Rënda e njohu me masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë në mungesë edhe Elson Merdanin, kunat i Admir Tafilaj, i dyshuar si anëtar i këtij grupi dhe bashkëpunëtor në vrasje. Edhe ky i dyshuar nuk ka pranuar akuzën.

Vrasjet me pagesë
Sipas materialit të lexuar nga prokurori i krimeve të Rënda, dyshohet se Admir Tafili është drejtuesi i grupit kriminal që merrte dhe i jepte porosi Kristi Pines dhe Alfred Qefalisë për të kryer vrasje kundrejt pagesave. Ata dyshohet se kanë marrë pjesë në disa ngjarje të rënda, duke kryer vrasje, vendosje të tritolit, gjobëvënie, trafik të lëndëve narkotike e kanosje.Grupi e ka nisur me vrasjen e shtetasit Ibrahim Mani në Shkodër dhe më pas ka vijuar me plagosjen e Edmond Cakmashit dhe Armando Cekës, ndërkohë kanë bërë plane për vrasjen e Leonard Murataj në Durrës dhe disa biznesmenëve të tjerë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)