PDIU është e kënaqur me ndërkombëtarizimin tashmë institucional të çështjes çame, por kërkon më shumë nga qeveria jonë për dialogun institucional në zgjidhjen e këtij ngërçi. Në një intervistë për Report TV, deputeti i kësaj partie Tahir Muhedini thotë se nuk është i habitur nga qëndrimi i Athinës zyrtare, dhe njofton se kjo parti në një mbledhje të shpejtë do të vendosë veprimet e ardhshme.

Si e pritët sinjalin nga Brukseli, i cili njohu zyrtarisht faktin se çështja çame është një pikë për tu zgjidhur nga të dy vendet?
Është një lajm që e prisnim pas punës së madhe të PDIU-së, e cila e ka ndërkombëtarizuar çështjen çame si në Parlamentin Evropian, Strasburg dhe Këshillin e Evropës. Unë kam një falënderim të veçantë personal dhe në emër të PDIU-së, shqiptarëve të Çamërisë dhe të popullit shqiptar për komisionarin Hahn. Kjo do të thotë që edhe politika dhe qeveria shqiptare duhet të kuptojë se çështja çame zgjidhet me dialog. Ne e kemi thënë sot dhe në krye të herës, që kur ishim shoqata patriotike “Çamëria” e sot që jemi një forcë politike përfaqësuese. Ky falënderim për komisionarin Hahn e vendos politikën shqiptare në pozitë të zgjimit. Nuk duhet të flejë më gjumë, por të gjejë formën dhe forcën për të hapur dialogun me shtetin grek për të zgjidhur këtë çështje, që në vetvete mban një dëbim, një gjenocid nga shteti grek, të një krahine të tërë si Çamëria. Popullsia çame kërkon liritë dhe të drejtat e veta. I ka kërkuar dhe i kërkon me forcë. Kjo nuk mjafton. Ne kemi një rezolutë e cila ishte lënë në hije që nga 2004, dhe pluhurin që e kishte zënë e hoqi z. Idrizi që e nxori nga sirtari. Kjo rezolutë nuk duhet të futet prapë në sirtar. Qeveria, Ministria e Jashtme, duhet të nxjerrin detyra, të hapet çështja dhe të dialogohet me shtetin grek. Delegacionet greke vijnë e ikin, dikush e pranon, dikush ja faturon gjykatës greke, dikush thotë që nuk ekziston. Greqia synon të mos e zgjidhë kurrë këtë problem. Por ne jemi shumë të vëmendshëm, dhe PDIU do të bëjë gjithçka me të gjithë forcat tona për ta zgjidhur çështjen çame që populli çam të fitojë liritë që i mohohet prej një shekulli.

Pse erdhi pikërisht tani kjo deklaratë nga Brukseli?
Kjo ka dy arsye. Së pari komuniteti çam që ka qenë më i ndjeshëm dhe që përbën 10 % të popullsisë shqiptare. Në ‘94 u njoh gjenocidi grek ndaj popullsisë shqiptare. Në 1996 u bë një traktat miqësie mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë për çështjet e pazgjidhura. Ky traktat në 20 vjet nuk u hap e nuk u diskutua mes dy vendeve, por i shërbeu shtetit grek për të bërë varreza imagjinare siç është rasti i turpshëm në Kosinë, ku u morën eshtrat e fshatarëve për tu bërë varreza greke. Kur duhet bërë një memorial në disa vende në Çamëri ku janë vrarë me mijëra njerëz të pafajshëm, fëmijë, gra, pleq.

Reagimi i Athinës zyrtare ka qenë i ashpër. Si e komentoni ju?
PDIU e ka ndërkombëtarizuar këtë çështje. Punët nuk bëhen me sustë. Ne duhet të punojmë, mbase të vjelat i marrim më vonë. Lotimi ynë ka qenë i madh, por jo më i madhi. Ne kemi qenë të kujdesshëm që të mos ndikojmë marrëdhëniet mes vendeve. Ne duam që në mënyrë institucionale të dialogojnë dy shtetet dhe të zgjidhet ky gabim historik. Ne nuk themi që ata që bënë masakrën t’i nxjerrim nga varri e t’i dënojmë. Ne themi me gojën plot që një shtet i BE-së si Greqia, të bëjë hero kombëtar një gjeneral famëkeq, Napolon Zervën, i cili vrau mijëra e mijëra fëmijë e gra të pafajshëm. Ajo nuk është krenari e shtetit grek. Nuk na emocion fare qëndrimi i Athinës, pasi është mësuar të informojë me keqdashje PE, DASH, etj, ku ne na quan bashkëpunëtor të fashizmit. Shteti grek t’i gjejë tek vetvetja bashkëpunëtorët e nazizmit. Të pyesë historianët e vetë që kanë thënë se popullsia çame nuk ka qenë kurrë bashkëpunëtore nazizmi, por vetë minoritarët grekë. I them shtetit grek se ne nuk jemi për luftë, ne jemi evropianë. Ne jemi për dialog dhe këtë e kërkojmë kudo që prezantojmë çështjen greke. Madje ne duam zgjidhje me bashkëpunimin e BE-së dhe SHBA-së.

Çfarë i kërkoni tani konkretisht qeverisë për avancimin e çështjes suaj?
Ne do të punojmë që ta bindim shtetin grek, me ndihmën e partnerëve, të hyjë në dialog me Shqipërinë. Mund të kemi dhe ne gabime në pretendimet tona. Dialogu i zgjidh këto. Unë për vete dua që të kthehem dhe të jetoj në shtëpinë e të parëve të mi. Të marrë ato benefite që kishin ata. Të parët e mi i kanë varret atje.
 
Ju kërkoni pronat?
Ne kërkojmë gjithçka që na takon mbi të drejtat e njeriut. Këtë e kemi thënë kudo. Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë që të ndryshojnë kufijtë, vetëm të drejtat që na takojnë.

Sa kohë mund të kërkojë kjo?
Shteti grek është shumë i gatshëm për të manipuluar. Herë pas herë dërgon relacione në DASH për minoritetin grek dhe problematikat, kurse shteti shqiptar duhet të mësojë t’i dalë për zot popullsisë së vetë dhe të dërgojë relacione në DASH. Unë për vete kam qenë i dyzuar për faktin që PS vendosi në program çështjen çame. Mendova se ishte thjesht elektorale. Por të them të drejtën politika ndryshoi. Rama i tha shtetit grek “Këtu vendosim ne, ju shikoni punët tuaja”. Ju e dini se çfarë ndodhi kur z. Idrizi u bë nënkryetar kuvendi apo kur ne morëm zv.ministrin e jashtëm. Rama e bëri të qarta ndarjen e çështjeve. Pra, askush të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit tjetër. PDIU është më i interesuar se kushdo që marrëdhëniet Shqipëri-Greqi të jenë sa më të mira për të zgjidhur çështjen tonë. Por s’mund të bëjmë hipokrizi e të themi se janë marrëdhënie të shkëlqyera kur ky shtet ka një ligj lufte. Atë ligj ai për ne e mban, kur ai në fakt nuk ka të bëjë me ne. Të heqin atë ligj e të zgjidhen çështjet mes shteteve.

A do të ndërmerrni ndonjë hap konkret si forcë politike këto ditë?
Forca jonë politike do të mblidhet këto ditë dhe do të shikojmë për hapa të mëtejshme që do të ndërmarrim karshi politikës dhe shtetit shqiptar. Nuk kemi asnjë lloj emocioni për gënjeshtrat e shtetit grek. Ata patën fat që gjatë periudhës komuniste çështja çame nuk u përmend fare, por edhe 24 vjet demokraci kjo çështje sikur u la pas dore. Çështjet kombëtare lihen pas dore. Nëse thuhet se u zgjidh Kosova, është dhe kjo krahinë tjetër.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com