Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u paraqit sot përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda për t'u njohur me vendimin e kësaj Gjykate që i bllokoi atij pasaportën dhe daljen jashtë vendit. 

Tahiri hyri i qeshur në Gjykatë teksa përshëndeti edhe gazetarët. Pas rreth 60 minutash seance te Krimet e kryesuar nga gjyqtarja Liljana Baku, Tahiri doli sërish i qeshur, ndërsa foli shkurtimisht edhe për mediat. "Do flas shumë shpejt", tha Tahiri teksa linte ambientet e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Nuk është e qartë se për kë ishte paralajmërimi i Tahirit.

Kujtojmë që ish-ministri ka paralajmëruar edhe më herët se ka diçka për të thënë. Dy muaj më parë kur Këshilli i Mandateve shqyrtonte kërkesa e Prokurorisë për arrestimin e tij, Tahiri tha s'keni parë gjë akoma, duke huazuar kështu një frazë të kryeministrit Edi Rama.   



Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com