Tahiri: Kujdes shëndetësor
për forcat speciale të policisë

I nderuar Kryetar,
Të nderuar kolegë,
 
Do të doja të ishin prezent edhe deputetët e opozitës për të mbështetur një projekt-ligj, për mua është shumë i rëndësishëm, lidhur me mbështetjen që ky parlament duhet t’i japë Policisë së Shtetit dhe veçanërisht Forcave Speciale, siç do të kisha dashur që opozita të mos ishte gjithë kohën në mungesë, kur vjen fjala për të ndërmarrë akte, të cilat mbështesin Policinë e Shtetit, përtej retorikës politike. Në mungesë ishte kur rritëm pagat për punonjësit e Policisë së Shtetit, në mungesë është edhe sot kur po garantojmë sigurim shëndetësor të veçantë për forcat speciale e Policisë së Shtetit. Nëpërmjenj një projektligji që shtrohet para parlamentit sort për miratim, por që është mjaft i rëndësishëm për Ministrinë e Punëve të Brendshme, sigurisht më shumë akoma për punonjësit e Policisë së Shtetit, por akoma më shumë se kaq, një projektligj që kontribuon direkt në përpjekjet tona për të garantuar siguri për qytetarët dhe shoqërinë në tërësi.
 
Një projektligj që shënon përmbushjen e angazhimit të Qeverisë dhe Programit të saj elektoral dhe qeverisës. Në vazhdën e përmbushjes së angazhimeve u angazhuam për rritjen e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe qeveria miratoi rritjen e pagave deri në 25% për punonjësit e Policisë së Shtetit, dhe është rritja më e madhe në këto 23 vitet e fundit.
 
U angazhuam për uljen e taksave për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe me buxhetin e këtij viti dhe me taksën e sheshtë, punonjësit e policisë sot paguajnë më pak taksa, njëlloj siç paguajnë më pak taksa arsimtarët, njëlloj siç paguajnë më pak taksa infermierët, punonjësit e administratës publike e kështu me radhë. 
 
U angazhuam për rritjen e kapaciteteve infrastrukturore dhe teknologjike për Policinë e Shtetit. Në buxhetin e këtij viti, qeveria ka miratuar paketën mbështetëse  më të plotë për përmirësimin e infrastrukturës dhe teknologjisë në Policinë e Shtetit.
 
Shumë programe zhvillimi e inovacioni teknologjik janë në implementim e sipër, për t’i dhënë Policisë së Shtetit mundësi infrastrukturore, deri dje të paimagjinuara, jo më të planifikuara ndonjëherë për t’u realizuar.
 
Po kështu, u angazhuam për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për kujdesin shëndetësor të punonjësve të Policisë së Shtetit. Dhe ja ku po fillojmë sot me këtë projektligj, që i jep zgjidhje pjesës më të ekspozuar ndaj rrezikut ekstrem në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar që janë Forcat Speciale të Policisë së Shtetit.
 
Siç jemi angazhuar për ta rikthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës brenda 300 ditëve, për të garantuar siguri për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, zhvillim të sipërmarrësve dhe progres për ekonominë dhe shoqërinë.
 
Sot Policia e Shtetit është në krye të detyrës, në luftë kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
 
Përtej disa akuzave të pabaza, që janë kryesisht  për konsum politik nga opozita, askush sot nuk e mohon dot, jo më të akuzojë se drejtuesit e Policisë së Shtetit janë të lidhur me krimin.
 
E mirëkuptoj që sot shumëkujt i duket si objektiv i harruar, për sa kohë është objektiv i realizuar. Sepse kur vjen zgjidhja, harrohet problemi.
 
Por të mos harrojmë se deri dje lidhjet e krimit me policinë, deri në pikën sa nuk na besonin më as partnerët, ishin ulur këmbëkryq në Policinë e Shtetit.
 
Ndërkohë që ne kemi këputur çdo mundësi që krimi të depërtojë, apo akoma më keq, të komandojë Policinë e Shtetit.
 
Dhe e kemi bërë këtë jo vetëm duke i besuar individit, cilido qoftë ky, por duke ngritur sistemin që garanton brenda vetë Policisë, siguri  në radhë të parë për të evituar, luftuar dhe ndëshkuar komprometimin potencial apo akoma më keq inkriminimin potencial të strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit në cilindo nivel.
 
Nga ana tjetër sot është minimizuar në maksimumin e vet korrupsioni brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Edhe ky duket objektiv i harruar, pikërisht se është objektiv që ne e kemi realizuar, dhe kjo, më lejoni ta them,  është arritje shumë e madhe.
 
Nuk dëgjon më për punonjës policise që vërshojnë rrugëve për të zhvatur qytetarët, sepse ky është modeli që kemi imponuar me edukim, parandalim por dhe ndëshkim maksimal aty ku duhet.
 
Siç natyrisht jemi të vetëdijshëm që mund të ketë ende raste, por ama ata që e bëjnë sot, jetojnë me rrezikun që herët a vonë, do bien në duart e drejtësisë. Sepse të korruptuarit janë të pasigurt për sa kohë sistemin e korrupsionit nuk e komandojnë ata që janë në kupolë, siç ndodhte deri dje.
Policia e Shtetit është në krye të detyrës dhe po e rivendosim rendin, duke luftuar pa asnjë kompromis terrorizmin, krimin e organizuar, krimin e rrugës dhe korrupsionin.
 
Sigurisht qytetarët presin më shumë. Dhe shumë mirë bëjnë, sepse edhe ne vetë presim më shumë.
 
Siç ka dhe shumë të tjerë që për çdo ngjarje, drejtojnë gishtin nga policia e shtetit, edhe atëherë kur policisë objektivisht nuk mund t’ia drejtosh gishtin. Por edhe ata që e shohin policinë, digën e parë për çdo problem, i mirëkuptojmë duke konsideruar këtë një pritshmëri të arsyeshme kur mungon çdo mekanizëm tjetër i sigurisë shoqërore, dhe kjo për ne, është inkurajim për të bërë akoma më shumë se ç‘kemi bërë deri më sot.
 
 
Një reformë e thellë në Policinë e Shtetit, është në fazën finale. Një korpus i tërë aktesh është draftuar dhe sot është për diskutim, duke shënuar pas dy dekadash, një moment vërtet kthese radikale në Policinë e Shtetit.
 
Për të garantuar siguri bashkë me qytetarët. Për të mbrojtur qytetarët, edhe atëherë kur është shteti që i kërcënon, dhe jo për të mbrojtur shtetin nga qytetarët, siç ndodhte deri dje.
 
Për të siguruar transparencë, pjesëmarrje dhe llogaridhënie. Luftë të ashpër kundër krimit dhe korrupsionit, dhe bashkë me hallkat e tjera të sistemit të drejtësisë, çrrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe mbi të gjitha garantimin e barazisë para ligjit, për të gjithë qytetarët, pa asnjë përjashtim.
 
Sistemi i kamerave në patrullë po pilotohet sot që flasim dhe shumë shpejt do vijojmë me kamerat në trupin e punonjësit të policisë.
 
Shumë shpejt kjo do jetë një praktikë standard në Policinë e Shtetit, për të garantuar monitorim të plotë të standardeve të shërbimit dhe shmangie totale të abuzimeve, qoftë me të drejtat e njeriut, qoftë me xhepin e qytetarëve.
 
Kemi ngritur një sistem të tërë inovacioni teknologjik që punën e Policisë së Shtetit të mos e lëmë në sakrificë pambarim, por të mbetet vetëm sakrifica që mbart në vetvete detyra e punonjësit të policisë nga rreziku në luftën kundër krimit, dhe jo sakrifica për të gjetur karburant, për të kursyer para, për të bërë punën pa mjete dhe pa infrastrukturë dhe për t’u aventuruar në rrugë në luftën kundër krimit, pa asnjë kusht.
 
Sepse krimi ka ecur me hapin e kohës duke u sofistikuar, ndërkohë që policia, në këto 23 vjet, dhe akoma më shumë në 8 vitet e fundit, është shkatërruar në mënyrën më të paimagjinueshme.
 
Me projektin e inovacionit teknologjik për policinë, do arrijmë standarde të njohura për botën, por të panjohura për policinë shqiptare.
 
Po rikthejmë Policinë e Shtetit tek mendja dhe luftën ndaj krimit me forcën e mendjes, jo me forcën e muskujve. Duke e nisur nga shkollimi, dhe konkursi i fundit i Policisë së Shtetit ishte një shembull; si kurrë më parë, 10.000 aplikantë; 1/4 e të cilëve me shkollë të lartë, dhe 1/4 e të cilëve, vajza.
 
Në një konkurs që sapo ka mbyllur fazën e parë e ku ankesat për rezultatet e testit teorik janë thuajse zero nga 10 mijë aplikantë, në një konkurs prej nga do të dalë gjenerata e re e Policisë së Shtetit.
 
Për të vazhduar me ndërtimin e një sistemi që çrrënjos pasigurinë në detyrë duke siguruar meritokracinë dhe vlerat në detyrë në shërbim të qytetarëve për punonjësit e Policisë së Shtetit.
 
Kemi ndërtuar platformën e reformimit më ambicioz në Policinë e Shtetit. Dhe kush ka pritur që 23 vjet zvarritje t’i kthejmë në progres brenda këtyre 6 muajve, ka bërë mirë, sepse na inkurajon.
 
Dhe ne zvarritjen e 2 dekadave, po e kthejmë me hapa marramendës në progres. Për të garantuar më shumë siguri për qytetarët dhe për shoqërinë.
 
 
Në këtë kuadër dhe ligji që vjen sot për miratim në parlament, është një gur kilometrik në reformimin e Policisë së Shtetit.
 
Nga viti 1991 deri sot, 253 punonjës policie janë vrarë e plagosur në luftë me krimin. E trishtë ta thuash por 20% e këtyre që kanë humbur jetën apo janë plagosur në krye të detyrës kanë ndodhur vetëm gjatë një viti e gjysmë, 2012  dhe gjysma e vitit 2013.
 
Merreni me mend ç’standard sigurie garantonte qeveria e kaluar, kur nga të gjithë punonjësit  e Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën apo janë plagosur në krye të detyrës, 20% kanë ndodhur në afërsisht 16 muaj dhe përkatësisht në vitin 2012 dhe gjysmës së parë të vitit 2013.
 Gjatë kësaj kohe Ministria e Brendshme ka dërguar për trajtim mjekësor jashtë vendit rreth 68 punonjës policie të plagosur. Vetëm për trajtimin mjeksor për 4 punonjësit e fundit, janë shpenzuar nga fondi rezervë i Këshillit të  Ministrave, 118.000 euro.  
 
Qasja e deritanishme e qeverive deri dje, ka qenë rastësore. Kur ndodhte fatkeqësia, sakrificë më vete ishte të bindje ministrin dhe pastaj ministri të bindte Këshillin e Ministrave për të nxjerrë para nga fondi rezervë.
 
Kjo ishte pasiguria, pasiguri e skalitur në Policinë e Shtetit, edhe akoma më shumë tek forcat speciale. Që në përballje me krimin, duhet të mbanin kokën mbi shpatulla nga hallet e shtuara dhe në pikëpyetje se ku do të gjenin paratë për t’u mjekuar e kuruar larg o zot të ndodhte ndonjë gjë!
 
Dhe për turp, kanë ndodhur në fakt jo të pakta kanë qenë rastet, kur janë mjekuar me paratë e veta, me borxhe apo kredi, sepse janë lënë në mëshirë të fatit.
 
Për këtë arsye qeveria ka sjellë sot në parlament këtë projektligj. Për t’u dhënë siguri djemve dhe vajzave të Repartit Renea, FNSH, repartit RESI, njësisë Antieksploziv, Njësisë së Negociatorëve dhe Njësisë së Helikopterëve.
 
Kemi vendosur që shteti të marrë përsipër barrën e përgjegjsisë dhe të paguajë për kurimin e kujtdo që ka nevojë për trajtim mjekësor të specializuar, brenda dhe jashtë vendit.
 
Dhe kjo do të thotë më shumë siguri, duke mos e lënë në dorën e ministrit, kryeministrit apo qeverisë, cilëtdo qofshin këta, sepse qeveria paguan sot menjëherë policën e sigurimit shëndetësor, të veçantë, dhe shërbimi mjekësor do të jetë i garantuar pa pasur nevojë për përpjekje shtesë.
 
Do të thotë më shumë garanci për shëndetin e punonjësve të policisë, tani që shteti merr përsipër, me këtë projektligj, trajtimin e veçantë mjekësor, me procedura mjekësore parandaluese, diagnostikim dhe kurim, përfshirë këtu dhe avionin special mjekësor, kur është e nevojshme.
 
 
Të nderuar kolegë,
 
Nga ka mbetur njeri nga ne, pa u mburrur në këto 23 vjet me djemtë e vajzat e Policisë së Shtetit, veçanërisht të forcave speciale. Sepse na kanë bërë krenar për sakrificën dhe vetëmohimin në luftën e tyre kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
 
Por është për t’u pranuar se trashëgojmë një borxh të madh, 23 vjeçar, pikërisht ndaj këtyre djemve dhe vajzave. Borxh të cilin kjo qeveri po e shlyen sot me mirënjohje dhe angazhim maksimal, duke filluar me rritjen e rrogave, kushte pune, intrastrukturë, teknologji inovative, siguri për jetën dhe shëndetin dhe mundësi trajtimi për familjen e secilit.
 
Ky është modeli ynë për gjeneratën moderne të Policisë së Shtetit.
 
 
Kam ndjekur debatet në komisionet parlamentare lidhur me miratimin e këtij projektligji. Është e vërtetë që disa kolegë të opozitës kanë kërkuar më shumë. Kanë kërkuar që me këtë lloj sigurimi të mbulohen të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Të shtojmë edhe vlerën e sigurimit, e kështu me radhë.
 
I falendëroj për sugjerimet, sepse fundja janë gjëra që deri dje mund t’i kishin bërë vetë, dhe sot na i kërkojnë ne t’i bëjmë. Neve në fakt do i bëjmë sepse e kemi marrë këtë angazhim dhe  kemi një përgjigje, edhe për sugjerimet e opozitës. Këtë skemë që sot e miratojmë me këtë projektligj për punonjësit e strukturave të policisë operacionale, pra për forcat e policisë në repartet RENEA, FNSH, e kështu me radhë, do ta zgjerojmë me kuadrin e ri ligjor, për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Kjo është skema fillestare e kujdesit shëndetësor të veçantë ndaj punonjësve të Policisë në forcat speciale, por nesër kjo skemë do shtrihet në të gjithë policinë, për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.
 
Sepse për ne është pasuri e çmuar jeta, shëndeti dhe madje komoditeti në punë për punonjësit e Policisë së Shtetit. Dhe këtë projektligj që keni përpara dhe që do votojmë sot për forcat speciale, shumë shpejt do ta replikojmë në një kuadër ligjor të ri për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.
 
Qeveria sot merr përsipër, dhe me hyrjen në fuqi të ligjit, do të paguajë sigurim shëndetësor të veçantë për punonjësit e policisë në forcat speciale.
 
Nesër, po kjo qeveri, do të marrë përsipër edhe kujdesin shëndetësor të veçantë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.
 
Sepse punonjësit e Policisë së Shtetit kanë nevojë të jenë të sigurt për jetën dhe shëndetin e tyre për të garantuar jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
 
Ju faleminderit!

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

Vota e diasporës/ Fleta e votimit u shkon në 2 zarfe! Shifrat e regjistrimit, ‘miratohen’ rreth 55 mijë emigrantë