Gjatë seancës dëgjimor në Kuvend, ministri i Brendshë, Sajmir Tahiri u është përgjigjur dhe pyetjeve të deputetëve të opozitës për vrasjen e vëllezërve Çollaku si dhe për situatën e krimit.
 
Aqip Rakipi: Z. Ministër, ju dëgjova me vëmendje, por ajo që ju thatë janë informacione nga pala jonë, jo nga pala greke. Këtu kërkohet nga pala greke. Çfarë mund të marrim informacione, sepse ato që kemi janë versioni i tyre, por ne si shtet e si Ministri duhet të insistojmë që të merrnim pjesë atje në verifikimin e vendit të ngjarjes...
 
Ministri Tahiri: Unë e kuptoj shqetësimin e deputetit dhe mbase në pozitë tjetër mund të jepja tjetër përgjigje, por për përgjegjësinë që ushtroj, mua nuk më lejohet të shkoj përtej kompetencës ose fushës së përgjegjësive që ushtron Ministria e Punëve të Brendshme. Policia e Shtetit shqiptar ka këto kompetenca dhe ka ushtruar këto përgjegjësi, ka bërë këto veprime ditën që ka ndodhur ngjarja, bazuar qoftë mbi legjislacioni në fuqi të Republikës së Shqipërisë, qoftë mbi marrëveshjet ndërkombëtare ku Shqipëria dhe Republika e Greqisë aderojnë dhe ku përcaktohet fortë qartë kur ndodhin hetime të përbashkëta apo asistencë policore e përbashkët në çështje të përbashkëta. Kjo nuk është një çështje e përbashkët, kjo është një çështje që ka ndodhur jashtë juridiksionit ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë mund t’ju garantoj që qeveria, shteti shqiptar ka ushtruar të gjithë kompetencën, në radhë të parë për t’u informuar për dosjen hetimore; Prokuroria ka nisur një çështje me kërkesë të Policisë dhe pret që të zbardhet çështja tërësisht. Por kjo mbetet prapë jo në dorën e Policisë shqiptare apo instancave tona për t’i dhënë ritmin e duhur, siç kërkoi deputeti, zbardhjes së kësaj çështjeje.
 
Flamur Noka: E nisëm këtë kërkesë për seancë dëgjimore nisur nga sensibiliteti i opininonit dhe sensibiliteti i familjarëve. Versioni dhe jo vetëm familjar por që i gjithë fshati dhe e gjithë zona njeh, për ngjarjen është, - dy djemtë nuk  kanë pasur asnjë armë, nuk kanë prekur ndonjëherë armë, njihen si dy djemtë më të urtë të asaj zone dhe nuk kanë ikur të armatosur dhe i gjithë fshati është dëshmitar që ata kanë ikur me varkë dhe i vetmi armatim që kanë pasur me vete ka qenë rrjeta e peshkimit? A ka akt marrje në dorëzim dhe çfarë veprimesh ka kryer Policia e Shtetit në momentin që policia greke ka dorëzuar 2 kufomat e dy të ndjerëve?
 
Ministri Tahiri: Lidhur me çështjen e dy vëllezërve të vrarë jashtë territorit të Shqipërisë, nuk ka nevojë për shumë komente politike dhe nuk do të doja kurrë që në këtë tavolinë të abuzohej politikisht me një ngjarje që po hetohet nga Prokuroria.  Policia e Shtetit veprimet i ka kryer një për një sipas përgjegjësive të veta. Në qoftë se kërkoni informacion shtesë përtej asaj që ka bërë Policia, këtu duhet të vijë Prokurori i Përgjithshëm, ose një institucion tjetër, por mos më detyroni të përgjigjem për gjëra që nuk më takojnë. Këtë nuk e bëj dot!
 
Patozi: Shqipëria, ne jemi të gjithë dëshmitarë, është shndërruar në këto 5 muaj në ‘Republikën e tritolit’ dhe unë z.Ministër mendoj që pas Kryeministrit Edi Rama, ju jeni personi që mbani përgjegjësi direkte për këtë atmosferë lufte në mbarë vendin? Qeveria dhe krimi i organizuar janë në garë me njëri tjetrin se kush ta përdorë më mirë tritolin kundër qytetarëve të vet? Z.Ministër, keni ndërmend për të luajtur një gisht për ta nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e tritolit?

Sa i takon situatës së rendit në vend, është absolutisht e vërtetë që është hapur një fole kriminaliteti që deri dje nuk ishte e hapur.
 
Sa i takon eksplozivëve, është e vërtetë që ka një rritje të pajustifikueshme për asnjë rrethanë lidhur me këtë situatë.
 
Unë mund t’ju them dy gjëra: E para, që këto janë akte terroriste dhe do të trajtohen si të tilla nga Policia e Shtetit. Në hetime të përbashkëta me Prokurorinë jemi duke zhvilluar hetimin më të plotë ndonjëherë në historinë e Policisë së Shtetit, pa kursyer askënd. Pa kursyer askënd, e riktheksoj, sepse nesër rezultatet mund të tregojnë gjithçka. Këto janë akte terroriste dhe do të trajtohen si të tilla. Dhe për sa kohë unë të jem në detyrë, do bëj maksimumin që këto ngjarje të ndërpriten njëherë e mirë. Por di t’ju them, sot, Policia e Shtetit po bën maksimumin, pavarësisht gjendjes në të cilën e kemi trashëguar, pa informatorë dhe pa kapacitete reale për të luftuar kriminalitetin në thellësi dhe siç duhet; dhe e dyta, unë dje kam pasur një takim me Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilit i kam komunikuar se inaktiviteti, mosmarrja e informacionit dhe mosdhënia e informacionit cënon sigurinë kombëtare lidhur me këto akte terroriste. Sot që flasim kam zero informacion lidhur me këtë që ndodh nga SHISH. Kjo është e papranueshme dhe cënon sigurinë kombëtare të shtetit shqiptar, cënon jetën dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë. Ia kam komunikuar Drejtorit të SHISH dhe pres prej tij që të më japë informacion lidhur me këto akte terroriste si detyrë themelore e SHISH. Unë pres që në luftën kundër të tilla akteve, pavarësisht se kanë një rritje të pajustifikueshme, gati artificiale, pres që përtej bashkëpunimit deklarativ të ketë bashkëpunim thelbësor. Dhe bashkëpunim thelbësor unë nuk quaj të kem zero informacion nga SHISH lidhur me këtë gjendje, por të kem informacion të plotë. Përndryshe kjo situatë, pra mosdhënia e informacionit, inaktiviteti ose mospasja e informarmacionit në cilëndo formë nga SHISH, cënon në thelb sigurinë kombëtare dhe jetën e qytetarëve shqiptarë. Dhe pavarësisht kësaj, i siguroj të nderuarit deputetë të opozitës, por mbi të gjitha siguroj qytetarët shqiptarë që Policia e Shtetit, bashkë me Prokurorinë, po zhvillon një hetim shumë-dimensional, që unë besoj kemi të dhëna pozitive dhe sinjale shumë pozitive deri tani, që unë besoj do na nxjerrin në rrugën e duhur.
 
Faleminderit!

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com_