Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri gjatë vizitës në Greqi është takuar me homologun e tij grek Nikolaos Toskas ku ka kërkuar bashkëpunim dypalësh sa i takon çështjes së refugjatëve.
 
Përveç kësaj, në qendër të takimit të dy zyrtarëve të lartë ka qenë çështja e emigrantëve shqiptar që jetojnë në Greqi.
 
Biseda jonë prek një sërë çështjesh: që nga ato që kanë të bëjnë me qytetarët tanë që jetojnë në Greqi, deri tek çështja e sigurisë, lufta ndaj terrorizmit dhe kriza e refugjatëve.’’ tha ministri Tahiri.
 
Gjatë takimit që ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilloi me ministrin e Rendit Publik të Greqisë Nikolaos Toskas është diskutuar edhe për krizën e emigrantëve sirian.
 
Sipas ministrit Tahiri është shumë i rëndësishëm të kemi një plan të përbashkët për përballimin e kësaj krize.
 
Kemi kuptuar bashkërisht se nevojitet një bashkëpunimin në kuadër të Bashkimit Europian. Dhe për Shqipërinë është i domosdoshëm një bashkëpunim akoma më i ngushtë me partnerët edhe fqinjët tanë Greqinë dhe Italinë.’’ theksoi ndër të tjera ministri Tahiri.
 
Në këtë vizitë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shoqërohej edhe nga ZV/ministri i Brendshëm Stefan Çipa dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako. Një ditë më parë ministri Tahiri zhvilloi edhe një takim në Athinë me shoqatat e emigrantëve ku u ndal në lidhje me procesin e regjistrimit të emigrantëve shqiptarë në vendet ku ndodhen.

takimi greqi qako

tahiri ne greqi

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)