Të martën nis me debatin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së takimi më i rëndësishëm vjetor i Kombeve të Bashkuara. Një herë në vit, krerët e shteteve dhe qeverive, si dhe ministrat e jashtëm nga më shumë se 120 vende të botës, mblidhen në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ky është takimi i 81 i Asamblesë së OKB-së. Ndër fjalimet që priten më me interes janë ato të Presidentit amerikan Donald Trump, Presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, Presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrit britanik Andy Burnham.
Takim i presidentit Trump me presidentin Zelensky
Ndërsa debati i përgjithshëm në OKB pritet të prodhojë më shumë deklarata sesa vendime konkrete, vëmendja është përqendruar te takimet dypalëshe në prapaskenë. Donald Trump takohet të martën me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Një tjetër moment i rëndësishëm do të jetënënshkrimi i marrëveshjes përGroenlandën mes Trumpit, kryeministres daneze Mette Frederiksen dhe kreut të qeverisë së Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen. Shumë diplomatë shpresojnë se pikërisht këto takime do të sjellin rezultatet më konkrete të javës në Nju Jork.
Trumpi do të zhvillojë po ashtu në kuadër të takimeve të Asamblesë takime me përfaqësues të shteteve të Gjirit Persik. Lufta me Iranin po zgjat prej gati shtatë muajsh dhe ndërkohë ka përfshirë gjithnjë e më shumë edhe vendet e rajonit. Sulmet iraniane, si dhe përshkallëzimi i konfliktit me milicinë Huthi, po rrezikojnë qytete, baza amerikane, si dhe rrugë të rëndësishme të transportit të naftës dhe lundrimit detar.
Një vit më parë, paraqitja e Trumpit në OKB bëri bujë jo vetëm për mesazhet politike. Presidenti amerikan dhe bashkëshortja e tij Melania mbetën të bllokuar në një shkallë lëvizëse, ndërsa më pas dështoi edhe teleprompteri i tij, duke e kthyer daljen publike në një ndër momentet më të komentueshme të javës.
Përmbajtja e fjalimit të Trumpit nuk dihet
"Mund të kishte qenë edhe më keq” – me këto fjalë shumë punonjës në selinë e OKB-së e pritën me lehtësim fjalimin e Trumpit vitin e kaluar. Por frika se SHBA-ja mund të tërhiqej nga Kombet e Bashkuara, e pranishme një vit më parë, sot nuk është më temë diskutimi këtë vit. Çfarë mesazhesh do t'u përcjellë liderëve të mbledhur nga të katër anët e globit? Sipas ekspertit të OKB-së, Daniel Forti, nga Instituti "International Crisis Group" këtë nuk e di askush me siguri. Madje, pak ditë para nisjes së Asamblesë së Përgjithshme, edhe këshilltarët e Trumpit nuk e kishin ende një ide të qartë për përmbajtjen e tij, sipas Fortit.
Një vit më parë, Trumpi u paraqit si presidenti që kishte ndalur më shumë luftëra se vetë Kombet e Bashkuara dhe si kandidat për Çmimin Nobel për Paqe. Këtë vit, megjithatë, ai duhet të mbrojë politikën e tij në luftën kundër Iranit, si dhe operacionin ushtarak të zhvilluar natën në Venezuelë. Të dyja këto veprime mbeten të debatueshme dhe kundërshtohen nga një pjesë e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare.
Kritika nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres
Para se Trumpi të ngjitet në foltoren e OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres pritet të japë një mesazh më të ashpër. Ai ka kritikuar vazhdimisht Rusinë dhe SHBA-në për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se mungesa e pasojave po krijon një precedent të rrezikshëm. Në një konferencë për shtyp javën e kaluar, ai paralajmëroi se kjo po ndikon negativisht edhe në sjelljen e vendeve të tjera: "Kur fuqitë e mëdha nuk ndëshkohen, edhe të tjerët ndihen të lirë të shkelin ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut”, paralajmëroi Guterres. Sipas tij, numri i shteteve që veprojnë jashtë normave ndërkombëtare po rritet, ndërsa përgjegjësia për këto shkelje po mungon gjithnjë e më shumë.
Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja pritet të mblidhen në një takim kushtuar zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez. Të tre vendet e njohën Palestinën si shtet një vit më parë dhe së fundmi kanë njoftuar hapa të tjerë të përbashkët kundër zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, përfshirë ndalimin e importeve dhe vendosjen e sanksioneve./DW





Komente
Komento