Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është shprehur se gjatë takimit 2 ditor të kryeministrit Edi Rama me ministrat në Pogradec, janë përcaktuar qartë prioritetet deri në fund të vitit, përfshi edhe politikën e jashtme.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha shkroi se qeveria do të punojë për integrimin e vendit në BE, forcimin e bashkëpunimit rajonal, modernizimin dhe thjeshtëzimin e shërbimeve konsullore dhe reformimin në tërësi të Shërbimit të Jashtëm, për një diplomaci moderne, profesionale e meritokratike.

Postimi në 'X' i ministrit Hoxha:

Pogradec - Seminari i Qeverisë, një moment për të parë dhe analizuar çdo aspekt në imtësi, përtej ditës dhe rutinës, dhe për të përcaktuar qartë prioritetet deri në fund të vitit, përfshirë edhe në politikën e jashtme.

Vijimësia e sukseshme e procesit të anëtarësimit në BE mbetet objektivi ynë parësor dhe do të kërkojë ritëm të shtuar, fokus të qartë dhe angazhim të plotë diplomatik.

Do të vazhdojmë të investojmë edhe më shumë në forcimin e bashkëpunimit rajonal, si kontribut për një Ballkan Perëndimor më të stabilizuar, më të ndërlidhur, më të qëndrueshëm dhe më pranë Evropës.

Do të modernizojmë dhe thjeshtëzojmë më tej shërbimet konsullore, duke i bërë sa më të shpejta, të aksesueshme dhe gjithnjë e më të orientuara ndaj qytetarit.

Në fokus të veçantë do të jetë vijimi i reformimit të Shërbimit të Jashtëm, për një diplomaci moderne, profesionale dhe meritokratike, me një korpus diplomatik të aftë, të zhdërvjellët dhe të angazhuar për të përfaqësuar denjësisht vendin, për të mbrojtur interesat kombëtare dhe për të krijuar më shumë vlerë të shtuar për Shqipërinë:

- më shumë ndikim për imazhin e vendit dhe projektimin e tij kulturor e shoqëror;

- më shumë lidhje me ekonominë dhe tregtinë;

- më shumë ndërlidhje, partneritete dhe mundësi;

- më shumë rezultate konkrete për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.

Një Shqipëri europiane kërkon edhe një diplomaci europiane.


Lajmi kryesor:

Takimet në Pogradec/ Rama: Fiksimi ynë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari, ministrat çdo muaj do ndjekin drejtoritë! Socialistët: ‘Besa’ në çdo ministri, duhet reflektim (VIDEO)